Home Approccio Italo Albanese Marrëveshja detare italo-greke dhe një paralajmërim për Shqipërinë e Libinë

Marrëveshja detare italo-greke dhe një paralajmërim për Shqipërinë e Libinë

Nga Kübra PAR

Ndërkohë që ne merremi me axhendat e brendshme, të martën pati një zhvillim të rëndësishëm që do të ndikojë në balancat e fuqisë në Mesdheun Lindor.

Greqia dhe Italia nënshkruan Marrëveshjen e Zonës Ekskluzive Ekonomike.

Në mbrëmjen e së njëjtës ditë ishte i ftuar te Habertürk nënadmiral Xhem Gyrdeniz (Cem Gürdeniz). Aty diskutuam si për domethënien që ka kjo marrëveshje kur shihet nga perspektiva e Turqisë dhe Mesdheut Lindor, dhe për ngritjen e tensioneve me Greqinë e për Libinë.

Pas programit biseduam me nënadmiralin e dalë në pensiondhe ekspertin e së drejtës detare, doc. dr. Xhihat Jajxhë (Cihat Yaycı), dorëheqja e të cilit pati jehonë të madhe. Ai tha se programin e kishte ndjekur me kujdes. E pyeta atë për pikëpamjen e tij për marrëveshjen mes Greqisë dhe Italisë.

Informacionet e dhëna i dëgjova me shumë kujdes, sepse çdokush e di se Xhihat Jajxhë Pasha (Cihat Yaycı Paşa) është babai i mendimit shkencor tëMarrëveshjes për Kufizimin e Juridiksionit Detar të nënshkruar mes Turqisë dhe Libisë.

Në të vërtetë, sa herë që ai pyetet për këtë thotë se,“Nënshkrimi dhe jetësimi i marrëveshjes është rezultat i vullnetit të presidentit tonë të nderuar” dhe tregohet i kujdesshëm që të mos e përshkruajë si diçka të vetën.

Doc. dr. Jajxhë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Libinë botoi në janar të vitit 2020 në revistën “Kriter” një studim ku renditi hapat që duhen hedhur pas Libisë.

Xhihat Pasha i sjell tani në vëmendje ato këshilla dhe thotë se janë disa hapa konkretë që mund t’i ndërmarrë Turqia, e se është i rëndësishëm vlerësimi shumëdimensional i kësaj çështjeje nga institucionet shtetërore përkatëse.

Po cilat janë ato hapa?

Ai thotë: “Përtej hapave ushtarakë, Turqia duhet të krijojë epërsi duke përdorur diplomacinë dhe të drejtën ndërkombëtare. Në shkrimin që shkrova në janar tregova se ç’mund të bëjnë shtetet rivale. Tani ata nisën nga hallka më e dobët, por ne duhet të marrim masa paraprake.”

Greqia hedh poshtë tezën e saj”

Xhihat Jajxhë Pasha e e thotë me këto fjalë përse është shumë e rëndësishme për Turqinë marrëveshja mes Italisë dhe Greqisë: “Greqia e pranoi me këtë marrëveshjeje se ishujt nuk kanë të drejta sa territori kryesor i saj.

Në fakt, Kozias, i cili është deputet i partisë opozitare greke Syriza dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, duke e kritikuar qeverinë pohon gjendjen në fjalë: ‘Marrëveshja e nënshkruar me Italinë është fatkeqësisht në një pikë më prapa marrëveshjes që kemi negociuar nenë atë kohë. Në marrëveshjen e shelfit kontinental të nënshkruar në vitin 1977 në veçanti ishullit Diaponia në veri i njiheshin më shumë juridiksione.’

Mendoj se institucionet përkatëse të shtetit tonë do ta përdorin shumë mirë këtë.

E kemi edhe një shembull tjetër.

Në vitin 2009 mes Greqisë dhe Shqipërisë u nënshkrua Marrëveshja e Zonës Ekskluzive Ekonomike. Ishujve në Adriatik u njiheshin të drejta aq sa edhe Shqipërisë. Edhe kufirin anësor Greqia e përdori në favor të saj.

Raportin e përgatitur për këtë çështje ia kemi përcjellë në konfidencë Shqipërisë dhe e kemi paralajmëruar se,‘Po mashtroheni’. Edhe pse marrëveshja u nënshkrua, Shqipëria e kundërshtoi Greqinë dhe i tha: ‘Nuk është e drejtë që ishujt tuaj të kenë të drejta të njëjta me territorin tim.’ Pastaj vendimin e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese dhe e anuloi.

Greqia vazhdimisht kërkon që të pranohet që ishujt e saj të kenë juridiksion detar të barabartë si territoret kryesore, por në lidhje me këtë çështje nuk arriti t’i bindë as Shqipërinë dhe as Italinë në marrëveshjen e kësaj jave.

Megjithatë, duke përdorur të njëjtat teza, pretendon të drejta karshi Turqisë në Egje dhe në Mesdheun Lindor.

Ndërsa ishullin Meis nuk është e mundur ta shohësh as në hartë, duke pretenduar se ‘ka shelfin kontinental’ kërkon ta zotërojë Mesdheun Lindor duke i injoruar brigjet e Anadollit gjigand. Pas këtij guximi qëndron dhe aktiviteti agresiv i diplomatëve grekë.”

Shqipëria dhe Libia duhet të zgjohen

Doc. dr. Jajxhë thotë:“Tani Turqia duhet të ndërmarrë një hap shumë konkret.” Sepse në marrëveshjen e bërë midis Italisë dhe Greqisë nëpërkëmbet e drejta e Shqipërisë dhe Libisë.

Po rrëmbëhen zona që në linjën jugperëndim-verilindje mund të fitohen nga Shqipëria kurse në drejtimin veriperëndim-juglindje nga Libia.

Pra, po të bënin marrëveshje Libia dhe Shqipëria me Italinë, disa prej zonave të marra nga Greqia do të ishin të tyret. Prandaj Libia dhe Shqipëria duhet ta kundërshtojnë këtë marrëveshje.

Këto informacione të dhëna nga Xhihat Jajxhë Pasha janë shumë kritike. Ai nuk e thotë këtë për shkak të mirësjelljes, por unë po e shkruaj hapur dhe troç: Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë duhet t’i zgjojë një minutë e më parë Shqipërinë dhe Libinë!

Madje duhet të mos mjaftohet me kaq, por opinionit publik në Egjipt, Izrael dhe Liban duhet t’u kujtojë mesazhin: “Nëse bëni marrëveshje me Turqinë, jo me Qipron Jugore apo me Greqinë, do të fitoni më shumë zonë detare”…

Kujdes dhe me afrimin Egjipt – Greqi

Tek ndodhin të gjitha këto, në gazetën më të madhe greke,“Kathimerini”, në lajmin që mban firmën e Vasilis Nedos-it thuhet se në Greqi sytë janë kthyer nga Shqipëria dhe Egjipti pas marrëveshjes me Italinë.

Në hollësitë e këtij lajmi ekziston një pjesë që na intereson shumë.

Pretendohet se po u bë një marrëveshje e tillë me Egjiptin, të gjitha planet e turqve në Mesdheun Lindor do të shkojnë dëm.

Duke iu referuar tensioneve mes Egjiptit dhe Turqisë, përparësia kryesore e Egjiptit është fitorja e Hafterit në Libi, sepse theksohet se ardhja në pushtet në Libi e një qeverie të afërt me Vëllazërinë Muslimane do të ishte një kërcënim i madh për sigurinë e Egjiptit.

S’mund të themi se “Ç’na duhet ne, le ta nënshkruajnë”, sepse sipas asaj që shpjegoi Xhihat Jajxhë Pasha.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve për ndarjen e juridiksioneve detare midis Greqisë-Egjiptit dhe Greqisë-Qipros Jugore bëhet skenari më i keq që mund t’i dëmtojë interesat tona kombëtare. Juridiksioni ynë detar prej afërsisht 186 mijë kilometrash katrorë që rrjedhin nga ligji ndërkombëtar kufizohet në 41 mijë kilometra katrorë në një situatë të tillë.

Kjo mund të tingëllojë shumë e ndërlikuar në vesh.

Shkaku i këtij ndërlikimi është ky: juridiksioni detar dhe marrëveshjet e zonave ekskluzive ekonomike nuk janë aq të prera sa kufijtë tokësorë.

Ngaqë merren për bazë brigjet e shteteve përballë njëri-tjetrit, ajo se sa hapësirë do të fitoni ndryshon në varësi të asaj se me cilin shtet do të bëni marrëveshje.

Kësisoj, del i fituar kush vepron më parë.

Marrëveshja e Turqisë me Libinë ishte një gol spektakolar për shtetet e rajonit, por sërish nuk duhet të flemë. Përndryshe, ndërsa e dobësojmë komunikimin me tensione të tjera, veç kur ta shohim se Egjipti ka nënshkruar marrëveshje me Greqinë…/tesheshi.com/

*Titulli i artikullit të marrë te “Habertürk” është redaksional. Titulli origjinal është, “Nënadmirali Cihat Yaycı paralajmëron për marrëveshjen Itali-Greqi.”


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Share: