Home KRYESORE Mbron familjen e një personi të rrëmbyer, dhunohet dhe kërcënohet avokati

Mbron familjen e një personi të rrëmbyer, dhunohet dhe kërcënohet avokati

Avokati Kujtim Cakrani është sulmuar dhe kërcënuar mëngjesin e sotëm për shkak të detyrës.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Vlorës. Avokati ka qenë në një lokal pranë zyrës së tij kur siç thotë ai dy persona i janë afruar dhe i kanë kërkuar të heqë dorë nga një çështje dhe më pas e kanë goditur.

Ajo që e bën rastin edhe më shqetësues është se çështja në fjalë ka të bëjë me rrëmbimin e një personi ku Cakrani mbron palën e viktimës.

Në një prononcim për mediat avokati thotë se i ka identifikuar personat që e kanë sulmuar dhe ka bërë kallëzim në polici.

“Unë sot në mëngjes kam ardhur në zyrë, dhe kam shkuar në një lokal përpara zyrës, dy persona me makinë të zezë, që i kam marrë dhe targën më kanë ardhur dhe më kanë kërcënuar. Më kanë kërkuar që të heq dorë nga një çështje që lidhet me rrëmbimin e një personi, dhe unë mbroj palën e familjes së viktimës.

I kam identifikuar personat, se kanë qenë më parë tek unë, unë zyrën e kam survejuar me kamera dhe i kam të fotografuar të paktën njërin prej tyre që ka qenë më aktiv. Më kanë goditur në fytyrë, kam lajmëruar policinë, nuk heq dorë nga kërcënimet se unë jam avokat dhe kësaj çështje do t’i shkoj deri në fund. Jam kërcënuar dhe herë të tjera nga këta persona, në mënyrë të vazhdueshme, sa herë që hedh një hap në mbrojtje të klientit tim, në këto kushte jam i detyruar që të kërkoj mbrojtje nga policia e shtetit. Nuk i kam denoncuar herë tjetër se nuk kishin arritur deri në dhunë fizike.

Jam në të drejtën time që të kryej detyrën në mbrojtje të klientëve të mi dhe nuk intimidohem aspak nga këta persona se jam në të drejtën time. Kjo punë duhet të marrë fund“, tha Cakrani. /Opinion.al

Share: