Home KRYESORE Misionet e SHBA dhe BE i kthejnë përgjigje KLGJ-së për Ardian Dvoranin

Misionet e SHBA dhe BE i kthejnë përgjigje KLGJ-së për Ardian Dvoranin

EURALIUS dhe USAID nuk kanë pranuar të shprehen për çështjen çështjen “Dvorani” në përgjigjen e kthyer Këshillit të Lartë Gjyqësor pasi ky i fundit kishte kërkuar opinion.

Misionet e SHBA-së dhe BE-së që ndihmojnë drejtësinë në vend e kanë cilësuar çështjen e qëndrimit të Ardian Dvoranit në Gjykatën e Lartë “çështje individuale” për të cilën nuk mund të shprehen.

Duke u nisur nga shkresa dhe informacionet që na dërguat, kuptojmë që kërkesa juaj rrjedh nga nevoja për të adresuar një cështje individuale. Në këtë kontekst, Misioni Euralius V dhe Projekti i USAID-it Drejtësi për të Gjithë në Shqipëri janë të detyruar të theksojnë se, ndonëse ne jemi të përgatitur të ofrojmë asistencë teknike për Këshillin, jo vetëm si një çështje parimore por edhe praktikash të përcaktuara qartë, ne nuk japim opinione për çështje individuale, pasi kjo është një përgjegjësi ekskluzive e Këshillit”, është përgjigjja e EURALIUS dhe USAID.

Mbledhja e KLGJ në të cilën do të jetë në rend dite çështja “Dvorani” do të mbahet të enjten.

Ardian Dvorani është emëruar në Gjykatën e Lartë në vitin 2005, në pozicionet e anëtarëve jogjyqtarë. Mandati kushtetues i tij ka përfunduar në vitin 2014. Ai vijon të jetë në detyrë gati 7 vjet përtej mandatit, me argumentin ligjor se po pret emërimin e pasardhësit.

Më 15 prill Presidenti i Republikës përcolli një shkresë në KLGJ, ku pretendonte se Dvorani duhet të dorëzonte detyrën e gjyqtarit të Lartë dhe atë të kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas kreut të Shtetit, emërimi në detyrë i tre anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë në muajin mars nga radhët e juristëve të spikatur, Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, përbënin shkak ligjor për largimin e Dvoranit.

Dvorani e konsideroi letrën e Presidentit ndërhyrje në pushtetin gjyqësor, tejkalim kompetencash dhe po ashtu mungesë kompetence nga KLGJ-ja për shqyrtimin e saj.

Presidenti u shpreh se kjo çështje nuk është në kompetencën e EURALIUS dhe USAID për të dhënë opinion por se ajo ishte përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Këshillit të Lartë Gjyqsor, siç edhe thuhet në përgjigjen e misioneve ndërkombëtare. /Opinion.al

Share: