Home KRYESORE Mos më vrisni ëndrrat…

Mos më vrisni ëndrrat…

Nga Kristina Tepexhiku

I dashur…

Djalë, baba, kushëri, gjysh apo kushedi se çfarë tip mashkulli që je. E kuptoj që në një shoqëri si kjo e jona, “alla shqiptare”, është e vështirë të vlerësosh mundin, sakrificën, dashurinë dhe respektin e një femre kur ti e sheh atë si objekt seksi për të kënaqur shijen dhe egon tënde të pangopur.

E kuptoj që nuk iu funksionon truri se përdorni veglat për t’u orientuar dhe s’keni faj. Lëshoheni si ai ujku që do të shqyejë tufën e deleve. Por jo. Mendoni për një moment se ajo femër që prek, dhunon e me të cilën bën çfarë dëshiron, se e sheh të pambrojtur, nuk është një lodër. Ajo femër është më e fortë se ty burracak, sepse në momentin që ti e mbërthen nga fyti, i shqyen rrobat me egërsi dhe kërkon ta përvetësosh, ajo lufton me shpirtin dhe veten e saj. E kur përmbush kënaqësinë tënde prej të pangopuri, ajo vuan çdo sekondë të jetës duke jetuar me njollën e zezë të atij momenti.

Po, po. Ti mendon se ajo të harron, s’të mban mend fytyrën dhe e fundos kujtimin me të kaluarën. Po si mund të harrosh gjëmën që i bëre ti, o egërsirë? Si të flesh kur ke frikë se netët e errëta, ti i shfaqesh nga hiçi dhe e kthen prapë në ferr? Si të dalësh rrugëve e vetme kur ti je kudo që ajo shkon, madje në çdo fytyrë mashkulli të “pafajshëm”?

Po ty baba nuk të mjafton nëna? “Vetëm një herë dhe nuk të kërkoj më”, i thoshte babai bijës së tij, asaj që e rriti me duart e veta dhe që me duart e veta po e shtyn drejt humnerës. Të plotësosh kënaqësitë e tua seksuale me vajzën tënde, nuk është as krenari dhe as burrëri. Të prekësh përtej limiteve me forcën e një bishe, foshnjën që dikur e ke përkëdhelur me butësinë e ngrohtë të një ati dhe t’i kërkosh të bëhet “e jotja” dhe jo e atij “tjetrit”, është neveri. Absurde. Ai “tjetri” babi im i dashur, është krijuar që të bëhet “i imi”. Këto janë ligjet e natyrës. Ti ke zgjedhur nënën time për të kaluar jetën dhe unë jam bija jote që të dua më fort se gjithçka, por jo në atë mënyrë që kërkon ti. Pse duhet të imponosh dikë të bëjë vepra jashtë dëshirës, kur mund t’i kërkosh të dëgjojë zemrën dhe të bëhet ajo busulla e saj. Dhe kur një ditë merr vesh se më kanë shfrytëzuar, kanë abuzuar me mua, të lutem mos u sill si inekzistent.

Më mbro! Ti thua “e dija që vajzën e ngacmonte prej 3 vitesh dhe e thërriste për t’i dhënë karamele”, po ti çfarë bëje? Apo kishte ndonjë karamele edhe për ty? Po ti moj nënë, nuk u bëre njëherë kurioze pse kjo vajzë nuk hante, nuk pinte, ishte mbyllur në vetvete si një pus i errët? Ah, po. Jemi shoqëri patriarkale dhe fjala e burrit është ligj. Po vajzën? Mos vallë e gjete në rrugë dhe nuk të dhimbset? Nuk e pyet njëherë veten se si u ndje kur ajo egërsirë me emrin “mashkull” e shfrytëzoi dhe e la ashtu mes rrugëve pa një fije shprese, si një mbeturinë? Po ti vëlla? Nuk të vrau pak egoja dhe krenaria e një burri të devotshëm shqiptar? Dhe del si pa të keq para 2 milion e ca shqiptarëve e thua që “motra kishte tentuar vetëvrasje”. Katastrofë.

Meshkuj. Femra është bërë për t’u dashur, jo për t’u shfrytëzuar. Kur je i dehur me shokët mos mendo femrën që të duhet dhe hotelin ku do shkosh, as pyje e lugina. Mendo se ajo femër mund të ishte nëna apo motra jote. E një ditë ajo femër do të jetë vajza jote. Nuk besoj se do rrish duarkryq kur kafshët si ç’je ti, t’i drejtohen princeshës tënde si një skllave e padobishme dhe ta kthejnë në po atë femër me të cilën ti dikur abuzove. Po, po. Një ditë ndoshta, ajo femër që ti e le në rrugë, e shkele dhe e pështyve mund të jetë bashkëshortja jote me të cilën do të kalosh jetën. Dhe atëherë do ta kuptosh se gabimi i një çasti, do të të shkatërrojë gjithë jetën.

Njerëz. Kthjellohuni! Ne, femrat, nuk jemi të dobëta. Jemi shumë herë më të forta se ju. Ia dalim vetë të ecim para, sepse jemi të pavarura. Ju vareni nga ne. Nëse botës do t’i mungonte femra, më besoni se sytë tuaj nuk do të shkëlqenin njëlloj dhe zemra nuk do të pomponte njëlloj gjak. Kuptojeni. Jeni djem falë një nëne dhe burra falë një gruaje. Mos i vrisni ëndrrat e një fëmije dhe as ndjenjat e pastra! Duajeni femrën tuaj çdo ditë si të ishte e fundit!!

Konfident.al

Share: