Home KRYESORE OSBE kërkon ndalimin e reklamave elektorale gjatë lajmeve

OSBE kërkon ndalimin e reklamave elektorale gjatë lajmeve

Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt ka kërkuar ndalimin e reklamave elektorale gjatë edicioneve të lajmeve.

Ditën e djeshme, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri tha në përfundim të takimit të Këshillit Politik se është rënë dakord që reklamat të lejohen.

Por OSBE bën me dije sot se në një takim me përfaqësues të një grupimi partish opozitare parlamentare dhe joparlamentare, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, i nxiti ata që të konsideronin shfuqizimin e nenit 84.1 të Kodit Zgjedhor dhe të ndalohet në mënyrë të qartë transmetimi i reklamave politike në lajme.

“Mediat duhet të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e subjekteve zgjedhore garuese, me qëllim kufizimin e përdorimit të kronikave të prodhuara nga vetë partitë politike në edicionet e lajmeve dhe për të shmangur keqorientimin e zgjedhësve. Në çdo rast që media përdor materiale të prodhuara nga partitë politike, ato duhet të etiketohet qartësisht si të tilla”, tha ai.

Po ashtu, Borchardt tha se pavarësia e rregullatorit të medias dhe e transmetuesit publik duhet të fuqizohet më tej, përmes masave që parandalojnë konfliktin e interesit.

Ambasadori i OSBE kërkoi nga pjesëmarrësit në takim që të mbështetin zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, në procesin e reformës zgjedhore.

“Të gjitha partitë garuese në zgjedhje duhet të kenë akses të barabartë në media. Mund të shihet, gjithashtu, mundësia për t’u dhënë të gjitha subjekteve zgjedhore një kohë të caktuar falas”, tha Borchardt.

Lidhur me financimin e fushatave zgjedhore, Borchardt tha se shpenzimet e fushatave duhet të mbeten të kufizuara dhe se ligji duhet të garantojë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë fuqitë e duhura që të mbikëqyrë në mënyrë efikase dhe të sigurojë zbatimin e dispozitave për financimin e partive dhe të fushatave. /Opinion.al

Share: