Home KRYESORE Përdhunimi i vajzës nga shefi i Policisë, Lleshaj: Gjest i ulët, kriminal

Përdhunimi i vajzës nga shefi i Policisë, Lleshaj: Gjest i ulët, kriminal

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar në lidhje me rastin e zbuluar dje të shefit të postës së policisë së Fushë-Arrëzit Izmir Duraku, i cili u arrestua nga SHÇBA pas denoncimit të një vajze se ishte përdhunuar nga ai.

Lleshaj  e ka cilësuar sjelljen e zyrtarit të policisë si gjest të ulët dhe kriminal, ndërsa shtoi se duhet që të kemi një qasje tjetër për policinë pas këtyre rasteve.

Vajza që akuzon Durakun, ka deklaruar se në vitin 2015 është paraqitur në komisariat për të bërë kallëzimin për një përdhunim që ishte bërë nga disa persona të tjerë, por Duraku në vend që t’i ofronte ndihmë abuzoi seksualisht me vajzën.

Ka rënë pre e dhunës seksuale nga edukatorët e saj në Shkodër, por më vonë me një sjelle të ulët, pa dinjitet, kriminale dhe të papranueshme të një punonjësi policie që do të duhet të mbrohet para ligjit. Ndoshta ka ardhur koha për të rishikuar qasjen tonë në thelb në drejtim të mbrojtjes së viktimave të dhunës seksuale duke shtuar penalitetet dhe çuar në ekstrem penalitetet për kujdestarët, pasi në shpesh raste dëmet dhe gjëma na ka ardhur prej rojeve, kujdestarëve, atyre që zëvendësojnë prindërit. Dhe kjo është për të ardhur keq. Nuk është thjeshtë çështje e ligjit, masave penale, por sensibilizimit shoqëror për t’u distancuar, që kjo kategori që nuk e meritojnë edhe emrin e njeriut, që të kufizohet, izolohet dhe të bëhet e padëmshme.

Për rastin që flasim nuk besoj që kemi nga 2015-18 ndonjë dinamikë tjetër, nuk i dimë detajet, kemi reaguar pas sinjalit të parë. Do të duhet të kërkojmë detajet dhe të marrim masat. Ne duhet dhe do të marrim masat ndaj atyre që kanë detyrën e shenjtë të kujdesit, pasi rreziku vjen nga ata që janë caktuar për të bërë rojen, kujdestarin, prindin. Dënimi është një cështje e stërdiskutuar, dënimi me vdekje në Shqipëri është i vdekur, i pa kthyeshëm, nuk është ky mekanizmi. Mekanizmi është parandalimi, dënimi i merituar, por vdekja nuk është zgjidhje. Shtetet në Europë kanë adoptuar formulën, që shteti nuk kthehet në krye kriminelin më të madh për të vrarë.

Ne po punojmë për të zhvilluar një instrument të ri për të trajtuar këtë fenomen të dhunës në familje dhe këtë për të gjetur rrugë të reja për të ndërtuar struktura që do të bëjnë bashkë energjitë e shumë aktorëve, policisë, shëndetësisë, shoqërisë civile dhe besoj se shpejt do të kemi zhvillime të reja për instrumentet e reja. Por e rëndësishme është liria për denoncuar. Bëj thirrje edhe medias, mos e cënojmë këtë lirinë e denoncimit, pasi njerëzit i druhen edhe për shkak të mediatizimit të gjerë. Hezistojnë i druhen mediatizimit. I kam ndjekur lajmet e pafundme ditët e fundit për një rast prostitucioni, ku pasqyrohen të gjitha dialoget në media me një precizion pervers. Është shumë e rëndësishme, media të ruajë nga publiciteti rastet dhe detajet se kështu i frenojmë viktimat për të denoncuar. Ne duhet ti inkurajojmë që të bëhet denoncimi. Pa denoncim nuk ka reagim” tha Lleshaj./ Opinion.al

Share: