Vajzat dhe gratë që mbushën sheshet e Shqipërisë me 4 qershor, për të protestuar kundër dhunës me bazë gjinore janë një ogur i mirë për solidifikimin e lëvizjes feministë në vend.
Nga Liri Kuçi | BIRN |
Protesta e 4 qershorit, ku mijëra gra dhe vajza protestuan në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit për të dënuar përdhunimin e kryer ndaj të miturës nga një shkollë në periferi të Tiranës, njohu përmasa madhështore referuar kauzës dhe protestave të tjera të bëra ndonjëherë në vend për dhunën me bazë gjinore.
Rasti në fjalë nuk është i izoluar, por tashmë kronikë periodike e televizioneve tona, ndërsa raste të tjera janë dhe/ose të paditura, dhe/ose të denoncuara në pirgjet e dokumenteve të rajoneve policore pa u shqyrtuar ndonjëherë dhe pa u marrë masë ndaj rasteve – qoftë mbrojtje e viktimës apo veprim ndaj abuzuesve.
Protesta nxori në sheshin e Tiranës mijëra qytetare/ë, ndër ta aktiviste/ë, prindër, mësues/e, artiste/ë dhe më e rëndësishmja; shumë gjimnaziste/ë. Çka tregon për masivitetin e kauzës është, se paralelisht atë ditë dhe një ditë më pas u manifestua në disa qytete; Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Sarandë, Lezhë dhe Shkodër .
Marshimi në Tiranë u shoqërua me thirrje e këngë në mbështetje të viktimave nga abuzimet seksuale dhe pati ndalesa përballë Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit, për të shenjuar dështimin e shtetit, ministrisë dhe institucioneve arsimore në parandalim dhe mospërsëritje të rasteve të tilla. Thirrjet e kënduara më së shumti dhe që u përqafuan menjëherë nga masa protestuese ishin të frymëzuara nga manifestimi simbolik “Dhunuesi je ti” në 23 dhjetor 2019 në Tiranë, në solidaritet me gratë e vrara dhe të përdhunuara në Kili përgjatë protestave kundër regjimit të dhunshëm dhe shtypës. “Shteti represiv është dhunuesi im – Është policia, është shteti, kryeministria, oligarkia” – qenë disa nga vargjet që jehuan tejpërtej shesheve e rrugëve protestuese të 4 qershorit në Tiranë.
Në tri vitet e fundit ka spikatur një artikulim më i gjerë në lidhje me të drejtat dhe emancipimin gjinor në shoqërinë tonë. Ky artikulim ka marrë shkas prej kontekstit të dhunës ndaj grave dhe shpërfaqjes së karakterit shumëpërmasor të kësaj dhune gjinore – kryesisht shtëpiake, në mjedisin e punës dhe në publik – si ajo psikologjike, fizike dhe seksuale, te përdhunimet dhe vrasjet e shpeshtuara si pjesë e rregullt e kronikave të zeza. Femicidi, i njohur ndryshe si fenomeni i vrasjes së grave dhe vajzave ka sjellë mobilizimin në marshime e manifestime për denoncimin e këtyre vrasjeve.
Protesta e parë, e cila shenjoi njëfarësoj dhe hapin cilësor në artikulim, shtrirje dhe adresim – qe ajo e 8-Marsit të 2018-tës, ku Tirana u zgjua me ‘graffiti’ për gratë punëtore, vrasjen dhe dhunën ndaj grave, ndërsa dita kulmoi me protesta në Kombinat si një ndër zonat më të populluara nga gratë që punojnë në fasoneri , gjithashtu organizata të grave dhe të të drejtave të njeriut organizuan marshim në disa institucione. Një vit më vonë, 8-Marsi 2019 veshur në të zeza bëri bashkë masivisht aktiviste/ë të çështjeve gjinore, gra, vajza, qytetare/ë dhe organizata për të drejtat e njeriut, në simbolikën e ditës ndërkombëtare të grave, duke marshuar kundër vrasjeve dhe dhunës me bazë gjinore. Njësoj, këtë vit u mblodhën në shesh qindra protestues/e në ditën ndërkombëtare të grave.
Ajo që mund të vihet re është, se nga viti në vit ngjarjet e mësipërme kanë ardhur duke u bërë më solide në artikulim dhe më të dendura në pjesëmarrje. Duket se po krijohet kështu, një traditë e marshimit dhe adresimit institucional, nga Drejtoria e Policisë si hallka e parë e kontaktit me rastet e denoncimit dhe abuzimit, te Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për më shumë mbështetje për gratë në nevojë dhe qasje në streha të sigurta për gratë e abuzuara, po aq sa edhe politika shëndetësore të posaçme për to – në shëndetin riprodhues dhe kontrollin e lindjeve – ndërsa, Kryeministria si institucioni që përfaqëson frymën e qeverisjes, politikat shtetërore dhe drejtpërdrejt nismat e mekanizmat e munguar në mbrojtje dhe sigurinë e jetës së grave.
Mendimtare dhe studiuese të ndryshme të çështjeve gjinore konsiderojnë, se dekada pas vitit 2010 përkon për botën me valën e katërt të feminizmit. Sigurisht që secila prej periudhave që përshkojnë valët feministe kanë pasur jo vetëm karakteristika dhe prurje të veçanta nga njëra-tjetra, por edhe hov të ndryshëm zhvillimor nga njëri vend në tjetrin.
Këto variojnë nga vendet perëndimore me demokraci të zhvilluar, të cilat kanë njohur një zhvillim ekonomik, politik dhe historiko-shoqëror të dallueshëm prej vendeve të tjera, ku implikimet e faktorëve të mësipërm përcaktojnë dhe përkthehen në zhvillim kulturor, konsolidim e funksionim institucionesh, shkallë arsimimi, mundësi punësimi, politika të posaçme për fuqizimin gjinor dhe pjesëmarrje në jetën publike.
Vendet të cilat përjetuan revolucionin seksual midis viteve ’60-’80, që përkojnë njëkohësisht me valën e dytë të feminizmit në botë –mendoj shtylla ideore dhe përmbajtësore e feminizmit historikisht – janë pikërisht ato që kanë mundur më pas të thellojnë retorikën dhe kanë kaluar përtej atyre kërkesave, duke sjellë në artikulim këndvështrime të tjera në valët pasuese. Vala e dytë e feminizmit – e mbizotëruar nga mendimi i së majtës kritike- që pati si kryefjalë pabarazitë klasore, çlirimin seksual, seksualitetin, subjektivitetin njerëzor, të drejtat e riprodhimit, të drejtat në punë dhe sfidimin e mitit të familjes, kontribuoi në pasurimin fundamental të mendimit feminist nëpërmjet literaturës dhe mendimtareve të shquara të asaj kohe.
Sakaq, Shqipëria, përgjatë valës së dytë të feminizmit (revolucionit seksual perëndimor) ka qenë ndoshta në vitet më intensive të regjitmit totalitar nën udhëheqjen e Enver Hoxhës. Situata e grave në Shqipëri njohu pak ndryshime dhe ato të kontrolluara nga sunda e kohës. Pas atyre viteve, gjithsesi vendi u krodh në një tranzicion ekonomiko-politik, që e vështirësoi edhe më shumë jetën e grave dhe vajzave, mbi të gjitha kur mbajmë parasysh se pasvitet ’90 janë ndjekur në masë nga trafikimet e vajzave dhe grave jashtë kufijve për shërbime të seksit.
E gjendur në të tilla kushte specifike dhe shtrënguese, në Shqipëri ende sot nuk kemi të konsoliduar një fjalor tonin që ngërthen konceptet e luftës dhe përpjekjeve për emancipim gjinor, të drejta ekonomike, politike dhe shoqërore të barabarta.
Prandaj mjedisi shoqëror i yni është ende i varfër në përvetësimin e terminologjisë bazike dhe koncepteve kryesore të domethënies së feminizmit, si përpjekje e përbashkët drejt një shoqërie të barabartë dhe më të drejtë.
Me hapa të ngadaltë, në Shqipëri këto tri vitet e fundit duket se po ndodh njëfarë vetëdijësimi dhe ndjeshmërie, artikulim më i mirë që shkon për nënvijëzimin e çështjeve gjinore, problemeve në rrafshin privat të shpërfaqura me dhunë dhe në mentalitetin patriarkal të të qeverisurit të shtëpisë, ndërsa në rrafshin publik të qeverisjes nga burrështetasit.
Në sferën shtëpiake, gruaja dhe vajza ende shihen si plaçkë që shkon te shtëpia e burrit për t’u bërë mbarështuese e racës, fisit, mbiemrit, ndërsa në sferën publike vajza shihet si nxënësja e bindur që nuk i kthen fjalën mësuesit dhe/apo si gruaja profesioniste që nuk ia mëdysh fjalën shefit. Sakaq, djemve dhe burrave ende u matet kontributi në shoqëri nisur nga raporti fizik i forcave dhe “aftësia” për të lënë shtatzënë – si superioritet për ta dhe mallkim për gratë, ku këto të fundit pikërisht për këto arsye që u mvishen si determinizëm biologjik duhet të jenë më të kujdesshme dhe ta shfytëzojnë seksualitetin e tyre vetëm me bekimin e vatrës familjare dhe fisit, babait, vëllait, burrit. Kështu është gati çmendurake të mendosh apo të flasësh për përdhunimet martesore, pasi gruaja i përket burrit, trupi i saj resht së qeni i saji, të huajësohet.
Gjithaq, standardet e dyfishta nga lindja dhe rritja e fëmijëve meshkuj dhe femra – pra vetëm aspekti gjinor i tyre si përcaktues i dominancës dhe trashëgimisë familjare – përcaktojnë më pas trajtimin apo sjelljen edhe jashtë shtëpisë. Në publik, njohja apo mohimi i të drejtave, veprimeve, mendimeve ndodh varësisht nëse je djalë apo vajzë, burrë apo grua. Në këtë linjë ndodh dhe normalizimi i gjuhës së nënçmimit, urrejtjes, dhunës dhe përdhunimit, ku opinioni e ka më lëhtë të mbrojë anën e më të fortit. Ndryshe thonë ligjet, konventat, demokracia. Në fund mentaliteti patriarkal është ende këtu, midis nesh i gatshëm të gjykojë, veprojë, justifikojë dhe shtrëngojë dorën e fortë, e cila mbahet prej sistemit ekonomik dhe politik ende e shëndetshme dhe e gatshme të të vrasë dhe përdhunojë, pa e gjetur hiçmosgjë.
Gjithë sa më lart, në këto tri vite ka nisur të artikulohet publikisht nëpër manifestime e protesta, e disi më rrallë nëpër televizione ku bie rasti pak herë të ftohen aktiviste njëmend të kauzës për barazi e emancipim gjinor dhe shoqëror – dhe ato raste janë fatlume, nëse nuk ndërpritet fjala dhe devijohet çështja në politikat kinse të suksesshme qeveritare, përbërjen e kabinetit 50-50, apo suksesin e grave sipërmarrëse. Dalja në pah e kontradiktave duket se është ndihmuar edhe nga artikulimi kritik i periudhës së pandemisë, ku për shkak të qëndrimit në shtëpi, barra e grave si përkujdesëse është disafishuar mbi të gjitha nëse iu është dashur edhe të punojnë, ku bashkë me shtimin e presionit ka ardhur dhuna psikologjike e fizike – ndonëse këto për shumëkënd kanë qenë të pranishme gjithherë.
Mobilizimi qytetar, artikulimi në rrjetet sociale, shtrimi i problematikës dhe skanimi i gjendjes së mjerimit për shkak të shtetit dhe instancave vartëse, pankartat e mençura të protestës së 4 qershorit, baballarë me vajza përdore e kalaqafe, fjalimet e gjimnazisteve të pranishme në mbrojtje të shoqes, fëmijërisë dhe brezit të atyre që vijnë – teksa mamatë u fshinin lotët dhe u mbanin dorën që të tregoheshin të forta – qenë gjithashtu tregues se më në fund diçka po ngjizet dhe se pas kësaj proteste nuk ka më kthim pas.
Kjo protestë u tregoi kryesisht vajzave dhe më të rejave aty se nuk janë dhe nuk do të jenë vetëm dhe si zotim për këtë mund të shërbejë organizimi dhe Lëvizja Feministe – gjithëpërfshirëse, përfaqësuese dhe guximtare për të qenë e pranishme dhe për të vepruar, derisa të mos jetë më nevoja të ekzistojë. Derisa të ketë shoqëri më të mirë dhe të barabartë.
Mendimtare dhe studiuese të çështjeve gjinore, përmendin se pas kësaj periudhe asgjë më nuk duhet të jetë e njëjtë në planin e të drejtave të grave, ku botërisht është shfaqur dhe menaxhuar më së miri aftësia e tyre e punës në shërbimet e nevojshme, mjekësi, fabrika, furra buke, njëkohësisht dhe nëpër shtëpitë e tyre. Për më tepër pandemia sidomos në kushtet e Shqipërisë vuri në pah dhe shtresëzimet klasore – se gratë e varfra qenë të detyruara edhe të punojnë në fabrikë edhe të detyrojnë abuzimin në shtëpi, si e vetmja zgjidhje pas orës së shtetrrethimit, deri në ditën tjetër me plagë të rënduara.
Shumëkund ky shërben si momentum dhe duhet përdorur në konsolidimin dhe artikulimin e thelluar për rëndësinë e jashtëzakonshme në rimëkëmbjen ekonomike botërore gjatë pandemisë, por edhe shtimin e raportimeve të dhunës me bazë gjinore. Mesa duket këto parashikime do të shërbejnë si ogur i mirë edhe për solidifikimin e rrënjëve të Lëvizjes Feministe në Shqipëri. Sepse, po, ky është momentum dhe Lëvizja është domosdoshmëri në përmirësimin e jetëve të vajzave dhe grave në Shqipëri. Lëvizja është kushti drejt barazisë dhe një shoqërie të drejtë.
Po, kjo protestë tregoi se një Lëvizje e tillë është në formim. Vërtetim për këtë janë edhe komentet kinse naive apo me tendenca theksuese deri në trashje, se në protestë pati dhe burra andaj Lëvizja nuk quhet feministe, por qytetare.
Status quo- ja ka nisur së paku të kriset, prandaj tronditjen do ta presim të organizuara dhe të palodhura për të shprehur se Lëvizja Feministe u përket të gjithëve që besojnë se shoqërinë mund ta bëjmë më mirë bashkë, krah për krah pa frikë dhe pa dallime – gjinore, klasore, racore, identitare, të orientimit seksual – por me solidaritet./BIRN