Home Gjeo-Ekonomia Transporti publik nuk do të rifillojë punën më 15 qershor

Transporti publik nuk do të rifillojë punën më 15 qershor

Transporti urban publik në të gjithë Shqipërinë nuk do të rinisë punën më 15 qershor nëse nuk plotësohen katër kërkesat e operatorëve. 

Vendimi për mosnisjen e transportit urban u mor nga përfaqësuesit e shoqatave të transportit një ditë pas protestës të zhvilluar para Ministrisë të Infrastrukturës.

Sot pas mbledhjes, Shoqata Kombëtare e Transportit qytetas, Ndërqytetas dhe Rrethqytetas të Udhëtarëve, si dhe Shoqata Urbane dhe Interurbane Veri në një letër drejtuar kryeministrit Rama, ministres të Financave, Anila Denaj,  ministres të Infrastrukturës Balluku dhe ministrit Shalsi kërkojnë edhe një herë plotësimin e 4 kërkesave që nga heqja e akcizës, TVSH-së, si dhe rimbursim për reduktim të kapacitetit dhe kategorive që udhëtojnë falas.

Operatorët e transportit publik në të gjithë vendin thonë se nëse këto kërkesa nuk do të plotësohet puna nuk do të rifillojë. Nesër në orën 10:00 përfaqësues të Shoqatave të Transportit dhe operatorë të këtij shërbimi do të zhvillojnë një tjetër protestë për plotësimin e kërkesave të tyre.

Përfaqësues të Shoqatës paralajmërojnë përshkallëzim të protestave deri në plotësimin e kërkesave të tyre financiare. Qeveria vendosi që transporti publik të rinisë punën më 15 qershor me 70% të kapacitetit të lejuar dhe protokoll sigurie të miratuar nga Instituti i Shëndetit Publik.

Por sipas shoqatave të Transportit nisja e punës me kapacitet të reduktuar dhe me çmimet aktuale të biletave do të çonte drejt falimentimit sektorin. Në Tiranë operojnë 15 linja të transportit publik urban, të cilët kanë vendosur të mosrikthehen në punë me 70% të kapacitetit të lejuar, pasi kjo do të vështirësonte situatën financiare të këtij sektori.

LETRA E PLOTË

Përfaqësitë e shoqatave të transportit publik janë duke ndjekur me shqetësim situatën alarmante të krijuar nga Covid-19. Pa dyshim që qeveria shqiptare po përballet me vështirësi në këto momente delikate, por ju bëjmë me dije se situata e transportit në shqipëri, më saktë shoqëritë tregëtare të cilat operojnë janë të fundit ende të mbyllura dhe si pasojë në kolaps ekonomik.

Bazuar në informacionin e marrë në rrugë jozyrtare, i cili thotë për rifillimin e shërbimit më datë 15 Qershor, në pritje të zyrtarizmit të dy prej kërkesave të premtuara nga Kryeministri, ne po ju përsërisim edhe një herë kërkesat tona ekonomike të panegociueshme, për të mundësuar rifillimin e shërbimit:

1.Heqjen e akcizës dhe taksave për blerjen e karburantit nga shoqëritë e transportit publik( njësoj siç është për industrinë e peshkut).

2. Zbritjen e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e saj në nivelet e turizmit 6%, pasi edhe transporti është një nga hallkat thelbësore të zhvillimit të tij.

3.Rimbursimin e kapacitetit të munguar si arsye e protokollit të sigurisë.

4.Rimbursimin e kategorive të cilat përfitojnë shërbimin falas në burim, në respekt të ligjit nr.37, datë 10.04.2014./Burimi: Monitor

Share: