Nga Adela Kolea
Nuk e njoh zotërinë Shllaku, emri i të cilit po lakohet këto ditë nëpër qarqe opinionistësh tironas por, “e njoha” nga një video që më sinjalizuan, me Adi Krastën.
E ndoqa videon në fjalë. Për mendimin tim modest, intervista u rrëshqiti nga duart që të dyve, të intervistuarit dhe Adi Krastës po ashtu.
Deri në një farë pike të intervistës, derisa shpreh mendimin e tij kryesisht për Teatrin… – ku përqendrohej edhe fokusi i pyetjeve të Adit, në rregull me opinionet e tij personale…
Nuk e kuptoj pse bënë këtë “rrëshqitje stili” dhe i lejuan vetes përmendjen e “kryqit” të vjetër, pengut të vjetër të disa qyteteve të tjera të Shqipërisë, pse-në e “Tiranës Kryeqytet”.
Flas në shumës, pasi në këtë opinion denigrues, selektiv, duhet të ndërhynte edhe vetë Adi Krasta, nëse është asnjanës si gazetar e intelektual.
Ai duhej të mbante distancë të menjëhershme nga konsideracionet minimizuese dhe kanalizimet e bisedës nënvleftësuese të zotërisë mbi Tiranën.
Konsideracione provinciale – në 2020-ën – për Tiranën, tipike, stereotipe, cliché të rrënjosura që nga regjimi, nëse përcillen nga ata që quhen intelektualë, mjerë ç’mbetet për opinionin publik në tërësi.
Mbajnë erë regjimi këto cliché mbi Tiranën dhe nëse dikush e mban veten për intelektual të mirëfilltë, se i përket brezash intelektualësh, nuk lartëson veten apo në formë të theksuar etnocentrizmi, nuk mburr qytetin e vet, duke ulur të tjerët.
Me këtë tregon pikërisht të kundërtën…
Në radhë të parë, kush e fillon intervistën në mënyrë autoreferenciale me “bibliotekën më të pasur në Shkodër” që kishte i ati – që edhe ashtu mund të ketë qenë, unë nuk njoh më tepër mbi ta si familje e nuk prononcohem – por, nëse i biri fillon me lëvdata mbi rrugëtimin e babait, nuk më pëlqen personalisht si parantezë interviste, a priori.
Ai tha një të vërtetë të shëmtuar:
“Tirana nuk përziu origjinat, shkodrani frekuenton vetëm shkodranët, etj…!”
Unë nuk ia marr për “mburrje apo meritë” këtë gjë shkodranëve, mos përzierjen me tiranas apo qytetarë krahinash të tjera shqiptare!
Ia marr për debulesë, për pre të mendjemadhësisë, të sensit absurd të superioritetit – stereotip ky fundja, se shkodranët elitarë të hershëm që i kanë dhënë emërtimin apo identifikimin “djep kulture” qytetit të tyre, nuk kanë fare të bëjnë me këta të sotëm. Këta vetëm spekullojnë mbi këtë “cliché kulture” të trashëguar… – një kampanilizëm, një etnocentrizëm i bazuar në ekzaltimin me superlativa të qytetit vetjak dhe qytetarëve të vet, në një forma mentis shumë të mbyllur e fanatike.
Excursus:
Kam ndërkohë plot miq shkodranë që më duan e i dua, që vlerësohemi reciprokisht dhe me objektivitet besoj se ata e kuptojnë synimin e konsideracioneve të mia.
Një intelektual i mirëfilltë, fillon me njohjen e thellë të kulturës së mbytur, të djegur, të asaj të persekutuar e gjymtuar tiranase, fillon me njohjen e intelektualëve tiranas të eliminuar nga regjimi – me njohjen eventuale të kushedi sesa bibliotekave madhështore të intelektualëve tiranas të persekutuar, të përvetësuara apo dëmtuara nga regjimi, analoge ndoshta me ndonjë bibliotekë madhështore shkodrane …- pastaj t’i lejojë vetes analiza arbitrare që padyshim do të lënë konseguenca në opinionin publik.
Si apolitike që jam, do të shtoja edhe këtë:
Pyetjet e pilotuara haptas të Adi Krastës mbi Edi Ramën në këtë intervistë, m’u dukën jo profesionale e të rëndomta.
“Si ju duket juve Edi Rama?- me një ton të pezmatuar e një mimikë fytyre teatrale…
Nuk i duhet gjë askujt se ç’mendim direkt ka ky zotëri mbi E. Ramën në vetvete, relative kjo gjë.
Zotëria më tej, nëse më krahason Tiranën me Parisin:
Ç’lidhje ka kjo gjë? Janë qytete aq të ndryshme për histori e kulturë, që paralelizmi del nonsense.
Me pak fjalë, etnocentrizmi tipik dhe ekzaltimi me superlativa i qytetit tënd duke nënvleftësuar të tjerët, në këtë rast kryeqytetin shqiptar, nuk të bën me zor intelektual.
Tirana mikpritëse, si Tirana intelektuale, si Tirana popullore e zemërmadhe, ajo modeste dhe e urtë, Tirana aglomerat urban dhe qendër e vjetër e mozaikut heterogjen të popullsisë nga çdo cep i Shqipërisë, ndoshta pa e ditur, nga kjo bashkëjetesë e përzier origjinash shqiptare, nga Veriu në Jug, ka shumë për t’u mësuar në hapje mendore, si provincialëve të pashkolluar, po ashtu edhe qytetarëve të kulturuar të zonave të tjera shqiptare, që vijnë ndoshta për oksimoron, nga “djepe kulture” , por që për paradoks, nuk shohin më larg se ndaj hundës së tyre.