Bashkia e Tiranës ka shpallur sot tenderin për projektin e godinës së Teatrit Kombëtar.
Sipas dokumentit të drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik, tenderi ka si objekt studimin dhe projektimin e Teatrit Kombëtar.
Fondi limit i vendosur nga Bashkia e Tiranës është rreth 60 milionë lekë (të reja).
Kompanitë që janë të interesuara për të ofruar shërbimin e konsulencës kanë kohë të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm deri në datën 14 korrik.
Fituesi i tenderit do të ketë 150 ditë kohë për të hartuar projektin e godinës që do të ndërtohet në truallin ku u prish godina e vjetër e Teatrit Kombëtar.
Kjo çështje ka provokuar një valë protestash nga shoqëria civile si dhe nga opozita të cilët kundërshtuan prishjen e godinës së vjetër të Teatrit.
Në orët e para të mëngjesit të 17 majit, IKMT dhe policia ndërhynë tek zona e teatrit duke larguar aktivistë në mbrojtje të godinës dhe bënë shembjen e saj.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e shoqëroi këtë aksion me protesta si dhe me nënshkrimin e një peticioni ku kërkohet rindërtimi i godinës siç ishte.
Nuk kanë munguar as kallëzimet në SPAK nga Aleanca dhe opozita për procedurën e ndjekur.
Nga ana e saj, qeveria dhe Bashkia thonë se godina e vjetër nuk mund të restaurohej dhe se Teatri ri Kombëtar duhet të ndërtohej në qendër. Fillimisht projekti ishte planifikuar të bëhej me skemën e partneritetit publik privat por Bashkia e Tiranës u tërhoq pasi sipas saj kompania nuk i përmbushi kushtet e nevojshme.
Atëherë u vendos që godina të ndërtohej me paratë e buxhetit të shtetit.
Jo më larg se dy ditë më parë Kontolli i Lartë i Shtetit, pas një auditimi në Institutin e Monumenteve të Kulturës Tiranë, i kërkoi atij që t’i kërkojë qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në të njëjtën zonë dhe me të njëjtin stil dhe pamje arkitekturore që ajo ka pasur.
Ata kanë vërejtur parregullësi në proces si dhe kanë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës vendimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar si indicje penale, për shkak të cenimit të zonës së mbrojtur. /Opinion.al