Home KRYESORE Raporti i OKB: Marrëveshje sekrete e Shqipërisë për të kthyer gulenistët

Raporti i OKB: Marrëveshje sekrete e Shqipërisë për të kthyer gulenistët

Një raport i zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, që mban datën 5 Maj 2020, ngre shqetësim për atë që mund të cilësohet një praktikë e vazhdueshme e ekstradimeve apo dëbimeve të detyrueshme të shtetasve turq nga vende të ndryshme, drejt Turqisë. Raporti më bën me dije se:  “Deri më sot, të paktën 100 individë të dyshuar si të përfshirë në lidhje me lëvizjen Hizmet/Gulen kanë qenë subjekt i arrestimeve arbitare, largimeve të detyruara dhe torturave, si pjesë e veprimeve të fshehta të organizuara apo asistuara nga qeveria turke në koordinim me autoritetet në Afghanistan, Shqipëri, Azerbajxhaan, Kamboxhia, Gabon, Kosovë, Kazakistan, Liban dhe Pakistan, mes të tjerësh”.

Më tej raporti vë në dukje se mes disa vendeve ka një marrëveshje për bashkëpunim sigurie

Pjesë nga raporti

Marrëveshje për bashkëpunim sigurie

Që nga grushti i dështuar i shtetit në vitin 2016, Turqia ka targetuar anëtarët e dyshuar të lëvizjes Hizmet/Gulen të klasifikuar nga qeveria turke si Organizatë terroriste Guleniste, (Fethullahçı Terör Örgütü, FETÖ). Në këtë kontekst qeveria ka firmosur marrëveshje bilaterale të sigurisë  me disa shtete, me përmbajtjen e referencave të gjera dhe të paqarta për luftimin e terrorizimit dhe krimit jashtë vendit. Burime thonë se marrëveshjet janë hartuar në mënyrë të dykuptimtë për të lejuar përjashtimin apo largimin e kujtdo që konsiderohej rrezik për sigurinë e vendeve pjesë të marrëveshjes. Duket se ka një lidhje të qartë në kohën e ndërmarrjes së veprimeve, pasi pjesa më e madhe e tyre edhe pse jo të gjitha, janë kryer brenda dy vitesh nga koha e hyrjes në fuqi të marrëveshjes. Për shembull akuza janë bërë se Turqia ka nënshkruar marrëveshje të fshehta me disa vende si Azerbajxhani, Shqipëria, Kamboxhia dhe Gabon, ku është raportuar se janë kryer disa veprime.

Raporti sjell në vëmendje gjithashtu faktin se: Në 26 Korrik 2019, gjatë një vizite zyrtare në Shqipëri, Ministri i Brendshëm turk përsëriti kërkesën për mbylljen e shkollave të administruara nga mbështetësit e Gulenit dhe kthimin e stafit të tyre në  Turqi. Kjo vizitë u parapri nga një notë verbale e 28 Majit 2019, që përmbante emrat dhe numrat e pasaportave për 82 shtetas turq me banim në Shqipëri, dokumentat e të cilëve ishin anuluar në mënyrë arbitrare, me qëllim lehtësimin e arrestimit të tyre dhe deportimin e mundshëm.

Gjithashtu në raport paraqitet rasti i Harun Çelik, i cili u transferua Stamboll nga Shqipëria,  në Janar të vitit 2020 edhe pse thuhej se kishte kërkuar azil.

“Në Korrik të vitit 2019, Harun Çelik u kap në aeroportin e Tiranës me një vizë të falsifikuar kanadeze. Duke ju referuar ligjit për të huajt, gjykata e dënoi atë me 8 vite burg. Dyshohet se autoritetet turke kërkuan deportimin e tij të menjëhershëm, pas të cilit një urdhër dëbimi u lëshua nga Ministria e Brendshme më 1 Janar 2020. Në vend që të lëshohej, Harun Çelik u zhduk dhe nuk dihet se ku u mbajt për disa orë. Ai u çua në Departamentin për Kufirin Rajonal dhe Migrimin ku nuk mund ta apelonte dëbimin. Ndërsa u mor me një makinë të paidentifikuar, disa dëshmitarë rastësorë konfirmuan se ai kishte kërkuar me zë të lartë të drejtën për azil. Pak kohë më pas, avokati i tij mësoi se ai ishte transferuar me një avion të “Air Albania” drejt Stambollit”, thuhet ne raport.

Raporti prej 15 faqesh, mban emrat e raportuesve, Luciano Hazan dhe Felipe González Morales, Fionnuala Ní Aoláin dhe Nils Melzer./Opinion.al

Share: