Nga Azgan Haklaj
Trinia e shenjtë e Kombit Shqiptar thirrje shqiptarëve të Malit të ZiBashkohuni!!
Muaji gusht flet me trininë e shenjtë të Kombit Shqiptar.Flet me shpatën ngadhënjimtare të Gjergj Kastriotit mbi hordhitë turke në vitin 1465 në dy fronte, në Bulqizë dhe Kashar, me fjalën e Ideologut të projekteve kombëtare e kuvendeve të mëdha për pavarësi Hasan Prishtinës që jehoj në Shkupin Dardan të çliruar me 12 gusht të vitit 1912-të.Kjo ditë, në kalendarin enciklopedik është prologu i shpalljes së pavarësinë së Shqipërisë pas pesë shekujsh robërie.
Me dt 26-të gusht të vitit 1912-të Zoti u blatoj shqiptarëve bijën më të shquar të historisë së tyre Shënjtorën Nënë Terezën, lapsin e Zotit në tokë, princeshën e dashurisë e njëherësh ikonen e ndritshme, e cila çertifikoi në mbarë botën shpirtin e madh dhe humanist të kombit të saj e vlerat e tij hyjnore, të cilat janë në themel të qytetërimit të sotëm europian dhe të çdo populli, i cili ka vendosur të ecë në rrugën e lirisë, demokracisë dhe progresit.
Është kjo arsyeja që ky muaj i bekuar i historisë e përpjekjeve tona për liri, na kërkon në mënyre imperative që të jemi përherë të bashkuar si një komb i unifikuar rreth simboleve tona të mëdha gjuhës, flamurit, historisë dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar, të vlerave të trashëguara nga të parët tanë dhe të trojeve tona etnike si pjesë integrale dhe e pacënueshme e Atdheut tonë të përbashkët.
Në këto kohë të zhvillimeve të mëdha politike, të rikonfigurimit të çeshtjes shqiptare si nyja gordiane, si faktori determinat i zgjidhjes së problemeve të Ballkanit të trashëguara nga e kaluara, stabilitetit, paqes dhe sigurisë së tij e bëjnë votimin e shqiptarëve në Mal të Zi një ngjarje të rendësishme të politikës kombëtare për realizimin e përpjekjeve të shqiptarëve të kësaj treve për të ruajtur identitetin kombëtar, të drejtat e tyre njerëzore e politike, si qytetarë të barabartë me kombësitë e tjera, e për të konfirmuar statusin e merituar si njësi etnike shtet formuese.
Shqiptarët e Malit të Zi banorë autoktonë mijëravjeçarë në trojet e tyre etnike, me votën e tyre unike çertifikojnë jo vetëm të drejtat e tyre politike por edhe ato historike si komuniteti më i vjetër etnikë, më vital, i cili edhe sot me gjithë tkurrjen e tij për shkak të politikave kolonizuese të spastrimit etnik e të emigrimit të detyrueshëm për të siguruar mbijetesën rracore ka deshmuar se për shkak të vokacionit perëndimorë, qoftë dhe me një votë vendosin kahjen e rrugëtimit.Ata e mbajnë në këmbë këtë shtet të vogël dhe me votën e tyre e kanë përcaktuar në vijimësi busullën e tij euroatlantike.
Vendi i një kombi në historinë e njerëzimit apo e një etnie në historinë e një kombi, apo populli nuk varet nga madhësia numerike e tyre por nga historia, simbolet dhe vlerat që prodhojnë si pjesë integrale dhe e dallueshme e civilizimit botërorë. Në këtë aspekt shqiptarët e Malit të Zi jo vetëm se nuk ndihen inferiorë ndaj asnjë komuniteti që banon në këtë republikë, por përkundrazi ata janë krenarë sepse që nga antikiteti e deri në kohën tonë kanë nxjerrë figura të shquara mbretërish, perandorësh e prijësish, të cilët kanë patur në dorë fatet e Ballkanit e të Europës.
Mbretërit ardianë Teuta, Genti, Agroni i mbrojtën këto troje ilire me luftë të paepur nga hordhitë barbare të lindjes dhe nga legjionet romake.Dioklea një nga qendrat më të rendësishme kishtare në Ballkan, nga e cila e ka origjinën Perandori i madh, simboli administrativ i Perandirisë Romake Diokleciani, gjendet vetëm 4-5 km larg Podgoricës.
Dinastia e famshme e Balshajve luftoj në tri fronte, kundër sulltanëve turqë, zhupanëve serbë e bazileusve bizantinë.Kjo treve ka qenë në shekuj një kala e pamposhtur lirie e qendrese e trojeve arbërore. Qysh në Epokën e ndritur të Gjergj Kastriotit, në Besëlidhjen e madhe të Lezhës u përfaqësua nga kunati i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, Princi i Zetës Stefan Cernejoviç, i cili ishte nipi i balshajve.
Në Epokën e kuvendeve të mëdha ballkanike siç ishte kuvendi i Kuçit i udhëhequr nga Lala Drakali, në Epopenë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Epopenë e Pavarësisë së Shqipërisë shqiptarët e Malit të Zi i dhanë Kombit tonë strategë e prijës të shquar të lirisë si Ded Gjon Luli, Jakup Ferri, Ali Pashë Gucia, Çun Mula, gratë spartane Tringë Smajli e Nora e Hotit.
Troja Shqiptare, Vranina e Oso Barotit është Meka dhe Jeruzalemi Shqiptar.Flakët e Kullës sê Oso Kukës ndezën zjarrin për liri e pavarësi dhe u bënë burim frymězimi për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ku për herë të parë shqiptarët plasuan platformën politike të shtetit komb.
Në luftërat ballkanike e ato botërore shqiptarët e Malit të Zi u detyruan të luftonin në disa fronte për të mbrojtur trojet e tyre, lirinë dhe identitetin kombëtar. Padrejtësia e fuqive të mëdha ia aneksoj këtë trevë shqiptare Malit të Zi e cila ra më vonë në kthetrat e shovinizmit serbo- madh në Jugosllavinë e parë mbretërore, pas Luftës së Parë Botërore dhe në Jugosllavinë Titiste pas Luftës së Dytë Botërore.
Në vitet 90-të shqiptarët e këtyre trojeve u përballën me revanshizmin e diktatorit të fundit të Ballkanit Sllobodan Millosheviçi.Ata ishin faktor përcaktues me votën e tyre në pavarësinë e Malit të Zi nga Serbia, antarësimin e Republikës Malazeze në Nato dhe hapjen e rrugës për antarësimin në BE.
Ata u bënë barrikadë e pakapërcyeshme dhe parandaluan gushtin e shtetit dhe shterruan përpjekjet e Rusisë dhe Beogradit për ta kthyer këtë shtet në një satelit e sherbëtor të interesave të tyre hegjemoniste e pansllaviste në Ballkan.Me votën e tyre përcaktuan vazhdimin e kursit politik perëndimor të Malit të Zi.Ky 30-të gusht domethënes për shqiptarët e Malit të Zi është mes tre datave të rendësishme për Kombin tonë.
Vetëm pak ditë para 26-të gushtit, ditëlindjes dhe gjashtë ditë para 5 shtatorit, ditës së kalimit në amëshim në vitin 1997- të të Nënës së botës, Shen Terezës, pesë ditë para 4 vjetorit të shenjtërimit të saj. Lista e përbashkët në garën elektorale për zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi është një sprovë e mençurisë, e pjekurisë e unitetit dhe e vizionit politik dhe atdhetarë të liderëve politikë të shqiptarëve të Malit të Zi.
Me dt 4 gusht skadon afati ligjor i regjistrimit të koalicioneve dhe subjekteve zgjedhore. Unifikimi i qëndrimit politik dhe bashkimi i tyre në një koalicion të vetëm zgjedhor me dt 30-të gusht është dhurata më e bukur që liderët politikë shqiptarë në Mal të Zi i bajnë Atdheut të tyre dhe Shënjtores Nënë Terezës, pak ditë para përvjetorit të ngritjës së saj në nderin e altarëve e në lavdinë e përjetshëme qiellore. Bashkimin e shqiptarëve në këto zgjedhje do ta bekojë jo vetëm shpirti i amshuar i Nënë Terezës, por edhe Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti, emblema e përjetshme e lirisë dhe e bashkimit të shqiptarëve. Do ta bekojë dhe shpirti i arkitektit të pavarësinë dhe shtetit komb Hasan Prishtina.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, nderuar me “Medaljen Gjergj Kastrioti” ju ban thirrje liderëve politikë dhe shqiptarëve të Malit të Zi bashkohuni në një koalicion të vetëm, i cili përtej interesave politike partiake do të unifikojë votën, do ta rrisë përfaqësimin, do t’ju faktorizojë si një ndër etnitë shtet formuese, duke garantuar barazinë qytetare e shanset e barabarta me të tjerët.
Vëllezer dhe motra shqiptarë të Malit të Zi: Bashkohuni!!Bashkimin tuaj e kërkon Kombi Shqiptar. E bekon trinia e tij e shenjtë.
Azgan Haklaj “Mjeshtër i Madh” ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, nderuar me “Medaljen Gjergj Kastrioti”Autor i 7- të librave.