Home Gjeo-Ekonomia Turqia, Greqia shkëmbejnë kritika të ashpra

Turqia, Greqia shkëmbejnë kritika të ashpra

Turqia dhe Greqia shkëmbyen kritika të ashpra të shtunën, një ditë pas mbajtjes së faljeve në Hagia Sofian e Stambollit, e shndërruar tashmë në xhami, faljet e para islame pas 9 dekadash në këtë objekt antik.

Presidenti Tayip Erdogan, i cili mori pjesë në ceremoninë e së premtes, nuk e përmendi Greqinë por tha se ata që kritikojnë shndërrimin e Hagia Sofias në xhami janë thjesht kundër myslimanëve dhe Turqisë.

Kritikat greke kanë qenë mjaft të ashpra dhe kanë nxjerrë më shumë në pah marrëdhëniet e tensionuara midis Greqisë dhe Turqisë.

Hagia Sofia më parë ishte muze dhe shumica e grekëve e shikojnë atë si objekt me rëndësi të madhe për fenë e tyre ortodokse. Të premten, në të gjithë Greqinë ushtuan kambanat e kishave në shenjë zie.

“Ne shohim që shënjestra e atyre vendeve që kanë bërë kaq shumë zhurmë ditët e fundit nuk është Hagia Sofia apo Mesdheu lindor,” tha zoti Erdogan në një fjalim televiziv. “(Shënjestra e tyre) është vetë ekzistenca e kombit turk dhe e myslimanëve në këtë rajon,” tha ai.

Në një deklaratë më herët të shtunën, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme turke tha se “Greqia tregoi edhe njëherë armiqësinë e saj kundrejt Islamit dhe Turqisë, me justifikimin e reagimit ndaj faktit që xhamia Hagia Sofia po hapej për falje”.

Ai dënoi me forcë deklaratat anëtarëve të qeverisë dhe parlamentit grek si dhe djegien e flamurit turk në Selanik.

Ministria Greke e Jashtme u përgjigj me deklaratën e vet, duke thënë se “bashkësia ndërkombëtare e shekullit XXI shtanget kur dëgjon fjalimet fanatiko fetare dhe nacionaliste të Turqisë së sotme”.

Të premten, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e quajti Turqinë një “ngatërrestare”, ndërsa shndërrimin e muzeut në xhami e cilësoi “fyerje për qytetërimin e shekullit 21″.

Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, nga hapësira ajrore dhe zonat detare në Mesdheun lindor e deri te Qiproja e ndarë etnikisht./ VOA

Share: