Home Approccio Italo Albanese Vizitë e Gjeneralëve të Guardia di Finanza Di Gesùe Arbore në Shqipëri

Vizitë e Gjeneralëve të Guardia di Finanza Di Gesùe Arbore në Shqipëri

Përfundon sot misioni dy ditor në Shqipëri i delegacionit të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza të Romës.

Gjeneral Brigade Cosimo Di Gesù, Kreu i Repartit II për Bashkërendimin Informativ dhe MarrëdhënietNdërkombëtare, dhe Gjeneral Brigade Giuseppe Arbore, Kreu i Repartit III të Operacioneve, janë pritur në Shqipëri nga Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci për një mision në vijim të vizitës në Romë të Kryeministrit shqiptar Edi Rama më 23 Janar të këtij viti dhe të takimit të tij me Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Italisë Giuseppe Conte.

Vizita e Gjeneralëve Arbore dhe Di Gesù dëshmon për rëndësinë dhe vëmendjen që tregon Italia ndaj bashkëpunimit ekonomiko-financiar me Shqipërinë dhe forcimit të luftës së përbashkët ndaj trafiqeve të paligjshme. Delegacioni zhvilloi takime, të koordinuara nga Ambasada e Italisë në Tiranë, pranë Kryeministrisë si dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të vijuar më pas me vizitën pranë ushtarakëve të Guardia di Finanza të pranishëm në Shqipëri (24 njësi në Durrës e Vlorë) me praninë e funksionarit Ekspert të Guardia di Finanza pranë Ambasadës së Italisë në Tiranë, Kolonel Luca De Paolis.

Takimet pranë Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë – krahas vënies në pah të një bashkëpunimi të konsoliduar tashmë të pranisë së Guardia di Finanza në Vendin Shqiponjave prej vitit 1997 – lejuan të diskutoheshin me palët shqiptare nisma të reja të mundshme të ndihmës, formimit dhe bashkëpunimit në hetimet ekonomiko-financiare dhe tatimore, ndër të cilat lufta ndaj pastrimit të parave dhe kapitaleve të paligjshme, hetimet financiare dhe pasurore, mbrojtja e shpenzimeve publike dhe antikorrupsionit. Ky qe rasti për të theksuar edhe një herë gatishmërinë dhe vullnetin e Italisë për të mirëpritur kërkesat e parashtruara nga Qeveria shqiptare, edhe përmes organizimit të kurseve të posaçme të formimit të cilat mund të zhvillohen në të ardhmen në Shqipëri ose në Itali, pranë Shkollës së Policisë Ekonomiko-Financiare në Lido di Ostia (Romë), një qendër e shkëlqyer formimi i Guardia di Finanza e njohur International Tax Academy nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OCSE).

Gjatë takimit me karakter tekniko-operativ të zhvilluar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Gjeneralët Di Gesù dhe Arbore u takuan me Kreun e Policisë Ardi Veliu me të cilin u përvijua situata e deritanishme e veprimtarisë së Guardia di Finanza në Shqipëri si përsa i përket patrullimit detar të përbashkët ashtu dhe fushatës së mbikqyrjes nga ajri, e cila ka nisur tashmë prej një muaji nën patronazhin e Departamentit tëSigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme dhe ka për qëllim identifikimin e plantacioneve të kanabisit përmes avionit të posaçëm të Guardia di Finanza.

Guardia di Finanzia italiane kryen fushata të mbikqyrjes nga ajri që prej vitit 2012, duke sjellë risi vit pas viti në mënyrat e kryerjes me qëllim komunikimin e të dhënave gjithnjë e më të sakta autoriteteve shqiptare të policisë përgjegjëse për sekuestrimin në terren të plantacioneve. Takimi, në të cilin mori pjesë edhe Kreu i Zyrës së Ndërlidhjes së Interforcës së Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Policisë (SCIP) në Shqipëri, Zëvendës Kuestor i Policisë së Shtetit Salvatore Gava, mundësoi njohjen më të thelluar të përparimeve të arritura falë skuadrave hetimore të përbashkëta në arrestimin e pjesëtarëve të bandave kriminale italo-shqiptare (gjatë operacionit më të fundit të përbashkët të kryer muajin e kaluar u lëshuan urdhër arreste në ngarkim të 37 shtetasve si dhe u konfiskua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike që kap vlerën e 4 milionë eurove).

Ambasadori i Italisë në Tiranë Fabrizio Bucci, me rastin e vizitës, përgëzoi të gjithë Trupën e Guardia di Finanza në Shqipëri  “që – nën drejtimin e shkëlqyer të Komandantit të Kufirit Detar Nënkolonel Stefano Leccia – kryen një punë të jashtëzakonshme në mbështetje të autoriteteve shqiptare e që dëshmon për afërsinë e vazhdueshme në 360 gradë të Institucioneve tona ndaj atyre shqiptare. I referohem këtu jo vetëm patrullimit të përditshëm të brigjeve dhe administrimit teknik të fushatës së mbikqyrjes nga ajri por edhe afërsisë njerëzore të dëshmuar pas tërmetit, ku që në orët e para të natës ushtarakët tanë që ndodhen në Durrës kryen gërmime mes rrënojave përkrah autoriteteve kompetente shqiptare dhe familjeve të goditura nga tërmeti”.

Ambasadori Bucci falenderoi në fund Gjeneralët Di Gesùe Arbore “që me këtë mision dëshmuan për vëmendjen që Qeveria italiane i kushton luftës ndaj trafikut të lëndëve narkotike, që mbetet një përparësi absolute dhe një nga kushtet e vendosura nga Këshilli i Evropës për hapjen e negociatave për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Njëkohësisht vizita konfirmon vullnetin për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy Vendeve tona, duke e shtrirë punën në hetimet ekonomiko-financiare e tatimore si dhe formimin, si një mjet thelbësor për fuqizimin e institucioneve shqiptare me qëllim konsolidimin e besimit të qytetarëve shqiptarë në rrugëtimin e integrimit të Vendit në Bashkimin Evropian”.

Share: