Nga cikli ‘As për mua, as për ty’ i Çapajev Gjokutaj
Kriza e stërzgjatur që ka kapluar vendin ka shumë shkaqe, por ndër kryesorët është: iku djathi e mbeti hirra ose, më troç: ikën të zotët e mbetën roskopët.
Kështu më shkruan një mik dhe fjalën e ka për emigracionin. Nuk jam i prirur ta besoj, mbase nga që s’ma ka ënda të bëj pjesë në kategorinë e roskopëve🤡
Natyrisht emigracioni i stërzgjatur dhe në përmasa drobitëse i ngjan hemoragjisë që, me kalimin e kohës sjell dobësi e anemi për organizmin.
Qofsha gabim, por emigracioni ka edhe anë të mira, jo vetëm për ata që ikin dhe familjet e tyre, por edhe për vendin. Tjetër punë se sa të zotë jemi që t’i maksimizojmë e t’i vjelim këto të mira.
Gjithsesi vendin po e drobisin dy gjakderdhje të tjera, vërtetë më më të heshtura e më të padukshme se emigracioni, por tejet më shteruese: mungesa e meritokracisë sidomos në aktivizimin e të rinjve dhe qasjet klienteliste ndaj bizneseve.
Këto janë dhe hemoragji dhe hashash. Demotivojnë përpjekjet e të rinjve më të talentuar, nuk i nxisin por i plogështojnë ata. Kurse tjetra, edhe më e ububushme, zhbën konkurencën dhe dekurajon frymën e sipërmarrjes. Pse të guxosh e të lodhesh kur vendosin lidhjet e shkurtra me politikën?
Pergjumje dhe apati opiumi. Të na rrojnë paritë, më falni partitë, bashkë me militantët, gjithnjë të uritur për poste e zhvatje.