Home Gjeo-Ekonomia Tensionet me Turqinë/ Kryeministri i Greqisë zhvillon një bisedë telefonike me Donald...

Tensionet me Turqinë/ Kryeministri i Greqisë zhvillon një bisedë telefonike me Donald Trump

Në një moment kur Athina duket më e vendosur se kurrë të mos heqë dorë në përballimin e provokimeve turke si ushtarakisht ashtu edhe me marrëveshje ligjore detare me fqinjët e tjerë të saj, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka pasur edhe një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump mbrëmjen e së mërkurës për të diskutuar zhvillimet e fundit në Mesdheun Juglindor. 

Mitsotakis ka përsëritur gjatë kësaj bisede qëndrimin e patundur të Greqisë se dialogu me Ankaranë mund të zhvillohet vetëm nëse provokimet turke ndalen. Sipas zyrës së shtypit kryeministri grek ka falenderuar z.Trump për interesimin e tij dhe për telefonatën që u zhvillua ndërsa Kongresi i Partisë Republikane është në proces e sipër.

Mitsotakis ka paraqitur edhe njëherë para z. Trump çështjen e veprimeve destabilizuese të Turqisë, të cilat rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe testojnë kohezionin e NATO-s. Ndërkohë edhe shefi i politikës së jashtme europiane Josep Borrell ka theksuar në një postim në blogun e tij se zhvillimet në Mesdheun Lindor morën një “kthesë shqetësuese” në muajin gusht dhe se qëllimi kryesor i BE-së është solidariteti i fortë me vendet anëtare të kërcënuara, duke ulur tensionet dhe ofruar dialogun. 

Nga ana e tij presidenti turk Erdogan, pas deklaratës së Athinës për zgjerimin e ujërave të saj territoriale në detin Jon me 12 milje, me anë të së cilës krijon një precedent edhe për kufijtë detarë në lindje, ka rikujtuar ngjarjet historike të së kaluarës mes dy fqinjëve, ndërsa ka theksuar në Tëitter se Turqia në Mesdhe, Egje dhe Detin e Zi do të vazhdojë të pretendojë çdo gjë që i përket.

Duke përgëzuar rolin e Gjermanisë në përpjekjen e saj për zbutjen e tensioneve greko-turke, sekretari i përgjitshëm i NATO-s nga ana e tij, ka deklaruar se ajo ç’ka duhet në këtë moment është shmangia e nje konflikti të mundshëm dhe fillimi i dialogut. Në këtë kuadër pritet edhe se si do të veprohet në fushën diplamatike në samitin jozyrtar të ministrave të Jashtëm në Berlin këto dy ditë, ku mund të vendosen edhe sanksione ndaj Turqisë. 

Vlen për tu përmendur se para se të nisej për në kryeqytetin gjerman ministri grek i Jashtëm Dhendias ka deklaruar se Athina do të mund të zgjerojë me 12 milje detare edhe ujerat e saj territoriale në jug të Kretës.

Top Channel

Share: