Dikur në Europën e Luftës së Dytë Botërore egzistonte një grup shkrimtarësh, që konsideroheshin brez i humbur, por më shumë se kaq, fatin e tyre e kishin dhe miliona të rinj që detyroheshin ose të luftonin në struktura ushtarake ose për të mbrojtur vendet e tyre. Për fat të keq kjo ndodh edhe sot në Kosovë, sidomos me gjeneratat e reja, ata që janë shkolluar, por e kanë të pamundur të sigurojnë një vend punë, jo vetëm në administratën publike, por edhe në biznesin privat, pra nga politika e papërgjegjshme konsiderohen dhe janë në të vërtetë “brez i humbur”.
Unë jam një mbështetëse dhe kontribuese familjarisht e Lidhjes Demokratike të Kosovës e megjithatë gjendem e papunë, megjithse me studime Master. Po jo vetëm unë, janë me qindra të rinj dhe të reja si unë, që kanë mbaruar studimet e larta në dy nivele shkollimi, madje edhe me doktoratura dhe e kanë të pamundur të gjejnë një vend pune në administratën publike.
Madje jo vetëm ata që i përkasin LDK-së, por edhe të rinj të forcave të tjera politike sepse, për fat të keq këtu nuk ka garë të hapur, nuk ka shpallje publike të vendeve të punës ku të konkurojnë sa më shumë njerëz dhe të fitojë më profesionistët, por vijojnë të jenë të forta lidhjet nepotike dhe zyrat e kuadrit të regjimit komunist; në shumë zyra qendrore e lokale gjen babën, birin e të dashurin e të birit, dajën e nusen e dajës, xhajën e nusen e xhajës, kunatin e kunatën, e kështu me radhë.
Vjen një maxhorancë dhe fshin gjithçka nga dikasteret e vendos militantët e pashkolluar, vjen tjetra dhe bën të njëjtën gjë, por përfituesit janë gjithmonë persona që s’kanë lidhje me vendin e punës.
Është vërtet trishtuese kur në shtetin tonë të ri janë shtuar padrejtësitë sepse partitë i kthejnë në monopol gjithçka; nuk ka kufizim mandatesh për ministra, kryeministra, rektorë, drejtues të niveleve të larta, por gjithçka endet në një rreth të mbyllur, çka sjell një pasurim të madh të një shpure politike dhe varfërim të madh për pjesën më të madhe të popullsisë.
Një mendje erudite ka thënë se nuk ka më keq se sa ta dënosh popullin tënd me varfëri dhe kjo vjen pasi nuk ka riformatim të politikës, s’ka ripërtëritje të politikanëve, s’ka subjekte politike demokratike, korrupsioni është në nivelet më të larta në nivelet shtetërore, ndërsa rinia e shkolluar brenda dhe jashtë vendit kërkon të largohet në vende perëndimore për një jetë më të mirë, së paku për një vedn pune që të jetojë me dinjitet.
Kjo është kambana më e rëndë që ndihet në Kosovë dhe nëse nuk kuptohet shpejt vendi do të jetë i braktisur nga rinia, nga gjeneratat e shkolluara që japin më shumë dhe e bëjnë më të drejtë shoqërinë shqiptare.