Nga Çlirim Gjata
Rilindja e Ramës është një sistem që ngrihet mbi bankën e favoreve për çdo dosje të mbyllur në sistemin e drejtësisë. Një dosje e mbyllur nënkupton një histori të mbyllur që nuk ka as gjykim dhe as të dënuar. Si çdo gjë në jetë edhe dosjet e mbyllura kanë faturën përkatëse e cila paguhet nga banka e favoreve të Rilindjes në Shqipëri. Një tip burse në tregun qeveritar, më jep të jap.
Ekzistencën e bankës së favoreve e shpjegon më së miri emërimi në pozicionin e drejtoreshës në shkollën “ Alush Grepca” të zonjës Enduela Sina.
Por kush është Anduela Sina dhe ç’dosje e mbyllur provokoi emërimin e saj?
Majlinda Bufi është kryetare e bashkisë në Roskovec. Arbër Bufi, nipi i saj, por njëkohësisht edhe shoferi i saj, u kap disa ditë më parë me drogë në makinën që përdorej zyrtarisht për të kryer detyrën e tij, si shofer pranë bashkisë.
Pika fillestare e fajit që vihet re në këtë histori është nepotizmi, pra punësimi i të afërmve në poste shtetërore.
Megjithatë, të flasësh apo të gjykosh nepotizmin në këtë rast është një luks i tepruar, pasi kemi të bëjmë në vetë të parë me një sistem trafikantësh që orienton sistemin e drejtësisë në këtë vend.
Pasi shoferi dhe nipi i Majlinda Bufit, kapet me drogë pra, dosja e tij dorëzohet në Prokurori.
Prokurori Ndriçim Sina e mbyll dosjen dhe pas mbylljes së dosjes mbesa e tij, Enduela Sina emërohet drejtoreshë shkolle.
Këmbimi valutor i një dosjeje të mbyllur duket se është një pozicion drejtues në rastin konkret. Bursa e Wall Street do ja kishte zili Ramistëve tanë rilindas.
Kryeministri nuk ka ndërmarrë asnjë hap për pezullimin e Kryetares së Bashkisë në Roskovec.
Trafiku i drogës është refreni i qeverisjes dhe shtylla kryesore e këtij të fundit. Po drejtësia ku është?? Ose më mirë të themi reforma në drejtësi ku ndodhet? – pyet morali në mërgim.
Drejtësia pa forcë është jofunksionale dhe forca pa drejtësi është tirani.