Nga Çerçiz Loloçi
Shaban Murati, një emër i spikatur i publicistikës dhe diplomacisë shqiptare, autor i disa librave, ambasador në disa vende perëndimore, në 2 shtator 2020 kishte përvjetorin e lindjes dhe bënte plot 75 vjeç. Në faqen e tij zyrtare në rrjetin më të njohur social ai pati urime nga qindra e mijëra shqiptarë, lexues dhe admirues, sepse për një kohë relativisht të gjatë dhe sidomos në tri dekadat e fundit ka qenë një zë i veçantë që ka përcjellë zhvillimet shqiptare, shpesh herë kritik jo vetëm ndaj politikave dhe marrëveshjeve të mbrapshta të politikës, por edhe për qëndrime të institucioneve të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.
Shqipëria e tridhjet vjetëve të fundit por edhe shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, në luginën e Preshevës, etj., kanë përjetuar zhvillime të mëdha e të gjithanshme dhe ‘kronisti’ më i vëmendshëm ka qenë Shaban Murati, disa herë duke i inkurajuar këto ngjarje të mëdha, por edhe duke denoncuar akte dhe dokumente që bien ndesh me interesat tona kombëtare si dhe me raportet ndaj aleatëve strategjikë.
Megjithëse diplomat dhe ambasador, Shaban Murati njihet më shumë se të gjithë ministrat e jashtëm të Shqipërisë të marrë së bashku, falë përkushtimit të tij, njohurive të thella që ka në ndjekjen e diplomacisë ndërkombëtare, botimeve cilësore në shqip dhe anglisht, por edhe në artikulimin e qëndrimeve të guximshme, gjitherë në të mirë të shqiptarëve në hapësirën e tyre natyrale.
Përballë meskiniteteve dhe punëve të pista politike, përballë matrapazëve mbarëkombëtarë këtej e andej kufirit, përballë foklorikëve që me bejte mund të ‘pushtojnë’ krejt botën, përballë përbaltësve të personaliteteve tanë kombëtare, Shaban Murati është tashmë një institucion më vete, që në një datë të rëndësishme jetësore duhet të kishte vlerësimin e Tiranës e Prishtinës zyrtare, të zyrtarëve të të gjithë spektrit politik.
Për një periudhë gati pesëvjeçare Shaban Murati është kontribues i gjithershëm i ‘Albspirit’, çka i jemi mirënjohës për analizat e ngjarje politike në Shqipëri, Ballkan, Europë e më gjerë, për vëzhgimet e mprehta duke e shpërfaqur si një personalitet të padiskutueshëm të kohëve të sotme.
Post scriptum: Shaban Murati është gazetar, publicist dhe diplomat karriere. Autor i shumë librave, shkrimeve dhe komenteve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në to. Ndër të tjera ai ka botuar: Serbia kundër Serbisë : analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë – 2004; Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: (fletë nga ditari i një ambasadori) – 2007; Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës: një testament diplomatik – 2009; Profile të diplomacisë europiane në Ballkan – 2009; Hije në diplomacinë shqiptare – 2012; Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit – 2013; Rusia ballkanike – 2014; Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare – 2016 dhe Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana – 2019