Home KRYESORE Jam dardan i Malësisë së Gjakovës dhe dua ta heq mantelin serb...

Jam dardan i Malësisë së Gjakovës dhe dua ta heq mantelin serb që ma veshën sllavo- boshevikët

Nga Azgan Haklaj


Referendum për kthimin në identitet, si gur themel i bashkimit kombëtar 
Konti Bertold ish ministër i jashtëm i Perandorisë Austro – Hungareze, miku i madh e i vendosur i shqiptarëve dhe kalorës i lirisë së tyre është shprehur për vendimet e Konferences së Londrës të vitit 1913-të ku ai ishte pjesëmarrës e avokat i çeshtjes shqiptare:

“U detyruam të bëjnë kompromis të dhimbshëm e ta lenim Gjakovën brenda territorit të Serbisë së çertefikuar nga kjo Konferencë, ku mbeti krejt Kosova, por shpetuam Shkodrën dhe rrethinat e saj, të cilat do t’i dhuroheshin Malit të Zi.Malësia e Gjakovës, Tropoja e sotme, që do ta merrte me vonë këtë emër u bë pjesë e Shqipërisë Londineze.

E theksova këtë fakt historik, si mirënjohje e nderim ndaj këtij diplomati e burrështetasi të shquar e Atdheut të tij që u bë promotor e dalëzotës i pavarësisë së Shqipërisë por edhe për të prurë në vëmendje politikën shkombëtarizuese të ndjekur prej mëse një shekulli nga qeveritë e Beogradit dhe sherbëtorët e tyre shqipfolës, këtu ndër ne.

Si bir i Malësisë së Gjakovës e misionar i identitetit të Kombit tim kam luftuar e do të luftoj sa të kem frymë kundër politikave shkombëtarizuese të zhbërjes së trashëgimisë shpirtërore, tjetërsimit të saj, strategjisë për shterrimin e margaritarëve të kulturës tonë duke ia dhuruar në heshtje armiqëve tanë si pjesë e trashëgimisë së tyre.

Kam kontribuar e do të kontriboj pareshtur për mbrojtjen e simboleve kombëtare nga sulmet denigruese të korit të sorrave shqipfolëse të dirigjuar nga laboratorët e armiqëve tanë shekullorë. Kam mbrojtur pa asnjë kompromis visaret e Kombit.Ka ardhur koha që të kthejme edhe identitetin e dinjitetin e Malësise së Gjakovës, siç është quajtur prej shekujsh vendlindja ime, e cila pas luftërave  ballkanike, pas fillimit të Luftës së Parë Botërore ose më saktë diku në vitet 1916 është pagëzuar me emrin sllavë Tropojë ” Tripolje”, tre fusha duke e mbajtur këtë emër edhe pas Konferencës së Paqes së Parsit, pas mbarimit të kësaj lufte dhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore si shenjë servilizmi ndaj Jugosllavisë Mbretërore dhe asaj Titiste.

Po cila është historia e vertetë e Malësisë së Gjakovës?!!Për etnogjenezën e saj ka argumenta të pafundmë, por do të veçoj disa prej tyre. Ajo është banuar prej mijëra vitesh nga fiset iliro – dardane dhe ka qenë si pikpjekje e qytetërimeve dhe mbretërive të tyre antike, katër shekuj para lindjes së Krishtit.

Në mesjetë ajo ishte pjesë e principatave të Pjetër Spanit dhe Lekë Dukagjinit të shtrirë në dy anët e brigjeve të Valbonës dhe Drinit.Spanët dhe dukagjinët ishin pjesëmarrës në Besëlidhjen e Lezhës së 2 marsit të vitit 1444 dhe u bënë si krahët e shqipes për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin.

Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti kur kaloj në amshim ia la amanet Arbërinë Lek Dukagjinit.Pas pushtimit turk e ndarjes administrative janë krijuar vilajetet. Riorganizimi i Perandorisë Turke pas reformave të Tanzimatit për t’i sunduar më kollaj shqiptarët i ndau në katër vilajete, me nëndarje sanxhaqet dhe kazatë.

Në kohën e Rilindjes Kombëtare sipas Sami Frashërit Gjakova ishte kaza e sanxhakut të Pejës.Malësia që përfshin fiset e vjetra të Gashit, Krasniqes, Nikaj- Merturit, Bytyçit morën së bashku emrin Malësia e Gjakovës.

Për formimin e këtyre fiseve kam patur një cikël shkrimesh kohë me parë, prandaj nuk do të ndalem sot.  Nuk ka vetëm Malësi të Gjakovës, por edhe Malësi të Madhe, Malësi të Krujës të Lezhës. Fjala malësi dhe malësor identifikohet me malet e madhështinë e tyre, të cilat vendlindjes time Zoti ja ka dhuruar me aq dashuri e bujari.

E malet tona kreshnike që e ngrejë kokën mbi re e kanë Zotin e tyre.Kot nuk i kanë thirrur të parët tanë Shkelzeni i Gashit, Korja e Merturit e Kakia e Nikajve.Emri Tropojë na del kështu i imponuar e i qëllimshëm për ta hequr nga harta emërtimin Malësia e Gjakovës.

Ai emër nuk ka ekzistuar as në regjistrimit osmane pas pushtimit nga Perandoria Turke.Në kryengritjen antiturke të vitit 1689 të udhëhequr nga Rilindasi Pjetër Bogdani nga arkivat deshmohet se u mblidhen mijëra luftëtarë vullnetaë nga fiset e Malësise së Gjakovës. Për ata që mendojne ta justifikojnë me emërtimin latin “trope” trupoj apo me andej  po ju them hidhni një sy Iliadës Shqiptare, Lahutës së Malësisë, kësaj Encilopedie të Kombit të Homerit të ndjesive shqiptare poetit kombëtar Gjergj Fishta!Aty do të gjeni me dhjetëra herë emrin e fiseve të Gashit, Krasniqes e Nikaj- Merturit, por në asnjë moment emrin Tropojë.

Regjizorët dhe sponsorizuesit e palokomedisë “I love Tropoja” janë vazhduesit e veprës së baballarëve të tyre që duan të fshijnë identitetin kombëtar të një treve e cila ka që në kohët antike e ka mbajtur të pashuar zjarrin e lirisë dhe në dy shekujt e fundit ka qenë prijësja e të gjitha kryengritjeve kombëtare për lirinë e pavarësinë e Atdheut.

Ka përcaktuar përmes betejave homerike, tehut të jataganit e grykës së pushkës fatet e Kombit.Shqiptarët dhe vëllezërit e mi të Malësisë së Gjakovës duhet ta dinë se erdhi koha për të kërkuar kthimin në identitetin tonë dhe bashkimin kombëtar.”Nuk ndërrojnë emër as flamur, pa këndue qyqja kullë për kullë” ka qenë lejtmotivi i qëndresës sonë në shekuj, në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë për të mbijetuar.

Sot jemi të vendosur për të mbrojtur identitetin tonë kombëtar dhe për t’i çuar para gjygjit të historisë ata që trojet e të parëve duan t’i tjetërsojnë, t’i shesin, të zhbejnë identitetin kulturor, të shterrojnë trashëgiminë shpitërore , t’i trafikojnë margaritarët e kulturës sonë e visaret e Kombit, për të vënë në jetë ëndrrën e kahmotshme të krajlëve të vjetër e të rinj të Beogradit për të grabitur asetet e çmuara të pasurisë tonë shpirtërore të Kombit tonë.Historia na deshmon se pasi i hoqën identitetin Dukagjinit trim, atdhetar e antikomunist duke i fshirë mbiemrat e tyre stërgjyshëror dhe pasi i ndërruan emrin krahinës së Nikaj- Merturit duke e emëruar Lekbibaj, komunistët e Enverit e sherbëtorët e dushanëve serbë i bënë edhe një sherbim armikut shekullorë duke institucionalizuar emrin për Malësinë e Gjakovës, Tropojë.

Atë që nuk e kishin bërë perandoritë romako- bizantino- serbo- turke, e pushtuesit e shumtë në mijëvjeçarë për ta shuar si Sardën iliriane në mesjetë nga Perandoria Turke, apo për ta asimiluar zgjodhën rrugën dinake e të pabesë për të ja veshur mantelin bolshevik sllavo- ortodoks Tropojë.

Bolsheviket e ardhur në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore u përpoqën të ja zhbejnë me një strategji të hollë doket, zakonet kulturën tradicionale duke e quajtur arkaike kulturën e lashtë shqiptare, të cilën duan ta fshijnë duke e perfshirë në propozimin për në UNESKO të Festivalit Kombëtar të Gjirokastrës nën siglën e diktatorit dhe të ideologjisë së tij staliniste Enver Hoxhës.

Kërcimet e kreshnikëve, zanave dhe shtojzovalleve të Malësisë së Gjakovës, këngët maje krahut, lahuta, çiftelia, violina, Eposi i Kreshnikëve, Gjama e Burrave, plisi, xhamadani e xhubleta, janë margaritarët me të shendritshëm të kulturës sonë të lashtë Iliro-arberore, të denja të gjitha për në UNESKO, por kurrsesi me emrin Tropojë të cilat vite me vonë do ti kërkojnë ti pervetësojnë serbët, ku në fakt ndonjë artist për shkak të pakujdesisë për protagonizëm personal nga emocioni, rrëmbyer nga deshira për të kontribuar në këtë fushë, të nxitur nga qellimet keqdashëse të Ministrisë së Kulturës po ia bajmë dhuratë vetë në mënyrë të pavullnetshme e të pavetedijeshme.

Këto aksione kulturore, atdhetare, patriotike, nacionaliste kërkojnë konsultime të gjera specialistesh  sepse ata që i marrin turr fort me veprime vetiake të dehur nga deliri i madhështisë përfundojmë si Narci. Çdo propozim me emërtim toponimin sllav’ është dhuratë në tepsi për Serbinë dhe Akademinë e tyre të shkencave.

I kërkojmë kryeministrit që aq shumë e “don” Tropojën të ndalojë menjëherë gafat që po bëjnë mamaqët e tij të Ministrisë së Kulturës që me plot të drejtë transkiptohen si veprime antikombëtare.I kërkojmë Presidentit të Republikës, si Kryetar i Shtetit e simbol i unitetit kombëtar Shkelqesisë së tij z Ilir Meta të ndërhyjë menjëherë e t’i rikthejë dinjitetin Malësisë së Gjakovës dhe banorët e saj t’i drejtohem referendumit.

Të mbash emrin e stisur Tropojë e të privosh Gjakovën nga Malësia e saj kreshnike është njësoj si të pranosh ta quash Rrafshin e Dukagjinit Metohi, Pejën Pec, apo Shqipërinë etnike Arrnautistan. Identiteti kombëtar i shqiptarëve është ADN- ja e rrënjosur thellë në genet e në gjakun e këtij Kombi të lashtë e fisnik, është pashaporta e identitetit dhe memoria e tij historike.

Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ka si mision të shenjtë pikërisht ruajtjen e vlerave themelore historike e kulturore dhe promovimin e tyre brenda dhe jashtë vendit me qëllim që brezi i ri që nesër ka në dorë fatet e Atdheut ta dijë se kush janë paraardhësit dhe cila është historia, kultura dhe civilizimi që ata lanë pas.

Beteja jonë për të mbrojtur me argumenta historike e shkencore trashëgiminë e të parëve tanë, identitetin dhe kulturën e Kombit është e pandalshme dhe pa asnjë kompromis utilitar.Nuk stepemi përballë projekteve e presioneve të atyre të cilët i për utilitetin personal shesin interesat e Atdheut për 30- aspra.

Share: