Home KRYESORE Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet marrëveshjen e arritur mes Republikës së Kosovës...

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet marrëveshjen e arritur mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me ndërmjetësimin e SHBA-ve

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka përcjelle me vëmendje zhvillimet rreth bisedimeve në Uashington, në mes të delegacioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ne konsiderojmë se marrëveshjet e arritura në Uashington, që kanë për synim parësor normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, janë një hap i rëndësishëm drejt stabilitetit dhe prosperitetit të gjithmbarshëm të tërë rajonit.

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do përmbyllet vetëm kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga çfarëdo ideje apo platforme që mëton të cenojë sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionalitetin e Republikës së Kosovës.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë konsideron se njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Izraelit dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të të dyja vendeve, është një moment historik, që fuqizon pozicionin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe konfirmon lidhjet historike në mes të popullit shqiptar dhe popullit hebre.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është i inkurajuar nga roli aktiv i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo konfirmon, edhe një herë, rolin e pazëvëndësueshëm që SHBA-të kanë luajtur në vazhdimësi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për paqen dhe demokracinë në Ballkan.

Ombrella Euro-Atlantike është garancia më e fortë për paqen dhe sigurinë e rajonit tonë dhe shtylla kryesore e vlerave të demokracisë, sundimit të ligjit dhe drejtësisë sociale. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson fuqimisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet europiane, që për vite kanë kontribuar në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, do e mbështesin përspektivën e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Europian. Në kohën kur në rajonin tonë vazhdojnë të jenë të pranishme agjenda dhe tendenca politike që të adhmen e rajonit e shohin jashtë kursit Euro-Atlanik, ankorimi i fuqishëm i NATO-s dhe BE-së në rajon bëhet edhe më i domosdoshëm.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përfiton nga rasti të theksojë se populli shqiptar, kudo ku ai jeton, është një komb me vokacion të fortë ndaj vlerave evropiane, një komb me diversitet besimesh, që jetojnë në harmoni të plotë ndërmjet tyre.

Share: