NGA ARTAN FUGA
Është e urrejtshme që kur dikush ikën nga pushteti, i vërsulen ata që kurrë nuk i kanë bërë ndonjë kritikë dhe nxitojnë për ta kryqëzuar. Ideja ime është që largimi i dikujt nga një post publik, ministër a më poshtë a më lart, shoqërohet edhe me një harresë të natyrshme sepse personi në fjalë hyn në botën e tij private dhe del nga vëmendja publike. Me një fjalë, ikën në punën e vet. Kështu e shoh edhe largimin e ish-ministres së Arsimit, qytetares Besa Shahini.
Mirëpo, duke qenë shpesh kritik i politikave arsimore, pra edhe i punëve në krye të së cilës ka qenë ajo për disa vjet, në largim e sipër, ajo tregoi sukseset e punës së saj dhe premtoi se do të mbetet në politikë, për një të majtë jopopuliste, jodemagogjike, feministe dhe se mbetet në dispozicion të qeverisë shqiptare për çdo kontribut, si dhe premtoi se do ta mbështeste ministren e re. Pra, mbetet në sferën publike. Nuk dëgjova asgjë që ajo të thoshte që nuk shkon në fushën e arsimit dhe të edukatës së nxënësve te ne.
Nuk dëgjova së paku një gjë që të tregonte se ka gabuar, dështuar apo nuk ka arritur ta ndreqë dot. Kjo është ajo e majta jodemagogjike? Çfarë kupton ajo me populizëm? Apo që ne populli që kemi sovranitetin (në parim) jemi një tufë injorantësh që nuk duhet dëgjuar? Mendoj se ky qëndrim jokritik ndaj punëve, ky perfeksionizëm i pamundur, është edhe gabimi i fundit të saj deri në çastin e fundit në detyrë. Është një e majtë piramidale, cinike, e vetëkënaqur, autiste politikisht.
Sa keq të vjen që kur sheh se edhe në brezat e mesëm të politikanëve ka të njëjtën mendësi propagandistike për menaxhimin e punëve, ku faji është i të tjerëve, kurse puna e vetes është pa të sharë. Kështu, pa dashur të personalizoj, sidomos tani, ndërkohë që kritikat i kam bërë në kohën e duhur, desha të tregoj se gjendja nuk është ashtu sikurse kujton ish-ministrja e Arsimit. Por, fillimisht ta nis me një histori personale.
Përpara nja dy vjetësh, ndërkohë që debatohej ligji për Akademinë e Shkencave, pasi Ministria e Arsimit kishte bërë nën drejtimin e zonjës Lindita Nikolla një testim, marrje mendimesh nga profesorë universitetesh për modelet e kundërta për Akademinë e Shkencave, konstatoja që procesi kishte ngecur. Madje, edhe opinionet e dhëna zyrtarisht sipas kërkesës të ministrisë, u fshehën ndërkohë që në krye të ministrisë kishte ardhur qytetarja Besa Shahini. Konsultimi me botën akademike u hodh në kosh prej saj. Për këtë kërkova një takim me të dhe për ta marrë takimin vajta në orarin e pritjes të qytetarëve, si qytetar i zakonshëm dhe jo si akademik, që kërkoja takim për punë shtetërore.
Dikush në ministri më tha: Ju nuk keni përse merrni takim si popull, se vini për punë shtetërore. Edhe pritësja që regjistroi kërkesën time u habit, kurse për mua ishte e natyrshme. Duhej marrë shtegu i malit që nga poshtë fare, modestisht dhe pa pretendime. Unë kisha iluzionin që ndofta si akademik nuk isha në nivelin që duhej për të më pritur ministrja, por si qytetar i thjeshtë pretendoja se kisha një lloj statusi. Mendoja se si qytetar do të tërhiqja për pak minuta kohën e ministres. Pas dy ditësh, sekretarja e ministres më kërkon në telefon: Temën e bisedës, – më tha, – ndonëse e kisha shkruar në kërkesë. Pasi e verifikoi, më pas më telefonoi përsëri dhe më tha prerë: Ministrja nuk ju pret dot.
Shkoni te personat që merren me këtë çështje, të cilët ajo e dinte shumë mirë që i kisha kontaktuar pa zgjidhje më parë. Imagjinoni se çfarë trishtimi dhe fyerjeje, mendova: Kur këta nuk presin një njeri që vjen për punët e shtetit, çfarë bëjnë me mësuesit ose prindër a studentë që kanë ndonjë hall personal?
Mendova për platformën e qeverisjes së bashku dhe nënqesh prej asaj kohe hidhur sepse e provova si edhe në një rast tjetër se ku më çonte mushka e naivitetit tim politik. Por, kjo nuk ishte asgjë përpara asaj që ndodhi pak ditë më pas. Ministria e Arsimit kishte marrë detyrën nga Kryeministri me shkrim, për të formuluar bashkë me Akademinë e Shkencave ligjin për këtë të fundit. Papritur qytetarja Besa Shahini, si ministre tashmë, deklaroi në “Facebook” se ishte e lumtur që iniciativën për këtë ligj tani e kishte marrë një grup deputetësh për ta bërë. Si është e mundur që një detyrë që e kishte ministria, brenda pak sekondash e paraqiti sikur të ishte një projektligj i disa deputetëve…Mendova se do të konsultohej me Asamblenë e Akademisë së Shkencave, por as bëhej fjalë.
Injorim komplet! Telefonova deputeten E. Gj., kryesuesen e deputetëve plagjiatë për ta pyetur se përse kishin marrë për bazë njërin model të projektligjit që ishte arkivuar në ministri dhe jo edhe modelin alternativ që ndodhej po atje? Ajo m’u përgjigj: Vetëm këtë na tha ministria! Zhgënjimi tërësor. Pra, censurohet mendimi i universitarëve, censurohet modeli alternativ, braktiset një punë që i është ngarkuar zyrtarisht, u jepet autorëve të tjerë, që në fakt nuk janë autorë, një projektligj që duhej çuar deri në fund në rrugën e nisur, mospranim për t’u konsultuar me zërat ndryshe, këtë metodë konstatova me trishtim dhe keqardhje. Përtej njeriut me pamje modeste dhe timide u shfaq ministri arrogant dhe cinik. Sa keq, – mendova, – sa gjynah! Pritej të bëhej atëkohë sikurse ishte nisur edhe ligji për kërkimin shkencor, por edhe ai u braktis pikërisht sapo qytetarja në fjalë mori frenat e ministrisë, u la në mes të rrugës dhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku ka humbur. Pas grevës së studentëve të përpara dy vjetëve u bë i ashtuquajturi “Pakt për Universitetin”.
Ky dokument përmendet prej qytetares Besa Shahini, edhe duke dalë nga zyrat e shtetit pas lënies së postit. A nuk mund ta ketë ditur ajo se ku ka përfunduar ky pakt? Po ia them unë ca! U premtua se shteti do të subvenciononte tekste bazë, fondamentalë, në shkenca të ndryshme që do të vendosnin themelet e një biblioteke të qëndrueshme, e cila mungon. Projekti nuk dha asnjë rezultat. U premtua se do të kishim bibliotekat dixhitale, a thua se një bibliotekë e specializuar është t’u japësh pedagogëve linqet për të hyrë në baza titujsh dhe tekstesh dixhitalë, pa menduar se ku do të arrijnë t’i studiojnë tekstet dixhitale studentët dhe sa prej tyre kanë aftësi gjuhësore për t’i kapur, ose sa ato tekste janë ato që duhet për realitetin shqiptar. Edhe kjo iniciativë ra në ujë. U fol për kampusin universitar në Tiranë, por mbeti pa asnjë vijimësi. Shpenzimet e studentëve për studim, relativisht me të ardhurat mesatare të familjeve, nga më të lartat në Europë.
Të lidhura me rezultatet, pra me notën, ato prodhojnë padrejtësi dhe fiktivitet. E kam thënë që edhe kaosi për zgjedhjet në universitete dhe tensionimi i jetës profesionale në ta erdhi në të shumtën e rasteve nga fakti që ish-ministrja nxirrte urdhra me tekste logjikisht dhe juridikisht kontradiktore, si edhe në ndonjë rast në minutën e fundit, duke e nxjerrë procesin jashtë shinave juridike normale. Qytetarja Besa Shahini shprehet në fjalët e fundit para ikjes nga posti se duhet gjetur mekanizmi që universitetet të mos abuzojnë me autonominë. Asgjë nuk bëri ish-ministrja për t’ua dhënë autonominë universiteteve, sepse ajo mbeti rob i ligjit të gabuar dhe e vullneteve centralizuese.
Ende nuk ka një kuadër të qartë juridik dhe teknik për shkollat doktorale. Për të hapur një drejtim të ri studimesh duhet të kalosh male e kodra burokratike. Madje, edhe për të përmirësuar rrënjësisht një sillabus lënde duhet të shkosh deri në majën e arsimit shqiptar Për të mos thënë që kuotat e pranimit të studentëve nuk kanë asnjë lidhje me nevojat e shoqërisë dhe ministria e lë këtë proces që të prodhojë papunësi intelektuale dhe zhvleftësim të diplomave. Asnjë lidhje nuk ka shpërndarja e fondeve publike me cilësinë e punës në universitete etj. As nuk mund të pritej sikurse e kam kërkuar publikisht që ministria të bënte një studim për të parë se cilat ishin rezultatet e hyrjes në fuqi të ligjit për arsimin e lartë, tani pas pesë a gjashtë vjetësh pasi ka vepruar. Pretendimi që universitetet janë autonome, nuk e shfajëson aspak Ministrinë e Arsimit për të parë se përse kërkimi shkencor në botën akademike nuk ka impakt mbi zhvillimin tonë shoqëror dhe teknologjik.
Përse studentët po largohen nga shumë drejtime studimesh, sidomos në universitetet e rretheve? Përse kjo papunësi e lartë intelektuale që në të diplomuarit e drejtimeve të caktuara mund të shkojë edhe në 80 për qind e tyre? Cili është dhe duhet të jetë modeli i menaxhimit dhe ai financiar i universiteteve publike shqiptare? A mos ndodh që buxheti publik edhe atë pak parà që hedh këtu, në fakt dikasteri vetëm e orienton aty, por nuk mat gjënë kryesore: Çfarë rezultatesh njerëzore, shkencore, financiare ai jep? A kemi gjetur ekuilibrin e duhur midis universiteteve publike, universiteteve private dhe universiteteve publike në rrethe? Këto agjenci e konkurrojnë njëra-tjetrën, mbivendosen mbi njëra-tjetrën, i “hanë bukën” njëratjetrës, dublikojnë ose shumëfishojnë njëratjetrën?
Nuk i bën përshtypje ish-ministres që masim performancën e universiteteve me inputet dhe jo me outputet e tyre? Për të mos folur për të drejtat e pedagogëve dhe të studentëve që janë në pikë të hallit, krejt jashtë standardeve europiane dhe që duhej të përbënin objektin e shqetësimeve të dikasterit. Ish-ministrja guxoi të fyente dhjetëra profesorë e specialistë, qindra e mijëra prindër dhe gazetarë kur plasi skandali më i madh në historinë e arsimit shqiptar, teza e Gjuhës dhe e Letërsisë së Maturës. I quajti ata të paformuar në nivelin e asaj teze, që ishte një tallje dhe fyerje e inteligjencës së çdo nxënësi. Unë e di që atë tezë nuk e bën ministrja, por marrja nën mbrojtje e mediokritetit në sektorët që mbulojnë arsimin e mesëm në Shqipëri, ka qenë e pafalshme. Flas për qëndrimin e saj personal dhe jo për sëmundje afatgjata të sistemit arsimor shqiptar, që sigurisht ajo jo vetëm që nuk i përballoi, por as arriti t’i artikulojë. Askush nuk ia kërkonte këto. Nga përvoja që kam me maturantët e diplomuar kur vijnë në universitet, kam përfunduar se teza e Maturës ishte budallaqe dhe idiote jo rastësisht. Por sepse, sidomos në shkencat shoqërore dhe humane, gjendja e dijeve atje është për të qarë hallin.
Programet e letërsisë, filozofisë, gjuhëve të huaja, historisë etj., me përjashtime shumë të rralla, janë në gjendje katastrofike. Nëse do të autorizoheshin universitetet shqiptare që për studentët e regjistruar në vitin e parë të bëhej një audit i dijeve, do ta shihnim se çfarë borxhesh të tmerrshme u ka sistemi arsimor të rinjve shqiptarë. Duhet ta pranojmë që dijet e ofruara janë larg kulturës të sotme botërore. Ku letërsia e sotme, shkencat e sotme ekonomike, filozofia, logjika, shkencat gjuhësore etj., dhe ku ajo që mësojnë sistemet parauniversitare shqiptare. Unë kam përshtypjen që dikasteri nuk ka ndjekur me studime konjitive shkallën e përparimit të rinisë shqiptare në aftësitë e saj logjike dhe intelektuale, si edhe me shkallën e informacionit që ajo merr sot. Gjendja e laboratorëve të kimisë, fizikës, biologjisë, mekanikës, që ka vizituar në Shqipëri është ulëritëse. Për të mos folur për burimet e njohurive, ku teknologjitë e reja dixhitale ende nuk kanë marrë të drejtën e qytetarisë. Ende jemi te letra.
Nuk pretendoja që ajo të zgjidhte çështje kapitale të modelit dhe funksionimit të arsimit shqiptar, as të zgjidhte çështje të ndërlikuara të raportit të dijes të diplomuar me shoqërinë, as probleme të mbetura stok lidhur me mënyrën e menaxhimit financiar të buxheteve publike për arsimin publik, as të vendoste në pozicionin e duhur marrëdhëniet midis hierarkisë burokratike, të zgjedhurve dhe pedagogëve e studentëve, asnjë nga çështjet madhore që gjenerojnë cilësi universitare. Por, që Ministria e Arsimit në drejtimin e saj të nxirrte një manual ose disa manuale pedagogjike për mësuesit, prindërit, nxënësit si të përballonin mësimin në kushtet e Covid-19, do të kishte qenë minimumi që do t’u kishte bërë si nder!
Manuale ku të trajtohej pedagogjia e mësimit që bën kombinimin e informacioneve numerike në web, e përdorimit të rrjeteve sociale, e platformave të komunikimit interaktiv me zë dhe figurë, e teksteve të shkruara, e punës së mësuesit në klasë, e mësimdhënies në televizione etj. Asgjë. Çfarë bilanci të besueshëm përtej fjalëve na la? Një studim mbi gjendjen e kërkimit shkencor dhe të shkollave doktorale? Asgjë! Një studim mbi shkallën e integrimit profesional të të diplomuarve në tregun e punës në Shqipëri? Asgjë.
Një parashikim dhjetëvjeçar mbi fushat e reja të studimeve në arsimin e lartë shqiptar? Asgjë. Një studim krahasimor midis nivelit të dijes së një maturanti perëndimor dhe një maturanti shqiptar? Asgjë. Një studim krahasues mbi hendekun e llahtarshëm mes modeleve menaxheriale dhe të drejtimit të universiteteve shqiptare dhe atyre perëndimore? Asgjë. Apo një projekt gjigant ndërtese biblioteke universitare? Asfare! Një studim mbi fiktivitetin e notave dhe vlerësimeve në sistemin arsimor shqiptar? Asgjë.
Çfarë bëjnë të gjitha ato agjenci pranë ministrisë që paguhen me paratë e studentëve shqiptarë? Çfarë bëjnë instituti apo shoqata që marrin projekte nga ministria? E vërteta është që nuk është përgjegjësia vetëm e saj. Është e të gjithëve ne që punojmë në arsim dhe në kërkimin shkencor. Parametrat matës të punës sonë janë aq të vjetra dhe jashtë kohe, sa edhe ndofta struktura, organizimi, drejtimi i diplomave në universitetet tona. Jashtë kohe!
Askush i vetëm nuk mund ta ndryshojë situatën! Asnjë ndryshim lidershipi i vetëm po qe se nuk ndryshojnë mekanizmat e drejtimit, menaxhimit, financimit, vlerësimit, matjes së rezultateve në dije nuk bën fajde. Ndofta ai dikaster ku mblidhen ndeshjet e boksit apo të tenisit, çështje thelbësore të kopshteve për fëmijë, libri, përfaqësimi dikasterial i kërkimit shkencor, vlerësimi i performancës universitare, arsimi i mesëm etj., është një konglomerat që ndofta nuk ka dreq që e drejton pa e reformuar. Një kaos i tillë nuk prodhon dot gjë më të mirë sesa Turi!
Këtu unë nuk desha të vendos peshë mbi ish-ministren, që ajo as e mbajti dhe as e mbante dot. Kam qenë fare i qartë. Pa hedhur në kosh ligjin për arsimin e lartë dhe ligje të tjera për arsimin dhe shkencën që janë burimi i të këqijave, kot kërkohet përgjegjësi personale. Pa bërë një strategji të re të konsultuar gjerësisht për arsimin kombëtar, për shkencën, kulturën, gjithçka është e pamundur të bëhet funksionale. Por, pozicionimi personal i saj vazhdon të mbetet i gabuar.
Edhe kur erdhi në detyrë, edhe kur e ushtroi detyrën, edhe kur iku nga detyra. Pra, jo për kontekste kolektive dhe objektive, por për përqasje individuale të pajustifikuara, të paargumentuara, aspak transparente, aspak interaktive, aspak në aksin qendror të përparësive që zgjidhin krizën e akumuluar të arsimit dhe kulturës dhe shkencës në Shqipëri. Dhe mbi të gjitha, askush të mos harrojë, as ish-ministrja në fjalë, as ministra, më sipër a më poshtë, se Shqipëria brenda dhe jashtë vendit mund të nxjerrë me këtë format e standard ministra, më lart ose më poshtë, nga mijëra individë. Mijëra!