Nga Lluka Qafoku
Shëmbull i madh shqiptar i heroizmit mendor
(mbi jetën e veprën e botuar e të pabotuar të z. Petro Zheji)
Kur isha tepër i ri, pata fatin të lexoj një vepër jashtëzakonishht frymëzuese për përkushtimin ndaj filozofisë, veprën e Will Durant, “The story of philosophy” në versionin e saj italisht, ku ishte zakon që titujt të përktheheshin liberalisht, e në rastin konkret “Gli eroi del pensiero”. Aty përshkruhej me hollësi sesi për filozofët me të vërtetë të mëdhej, duke filluar me Sokratin, heroizmi për mbrojtjen e mendimit të ri që do ti përçonin njerëzimit dhe për të cilin ishin përzgjedhur për të qenë të vetëdijshëm të parët, ishte imperativ kategorik natyral (apo instikt sublim), e prandaj jeta e tyre kryhej në funksion të veprës e si flijim për veprën.
Pata fatin të njoh e të ndjek një personalitet të tillë në kushtet e obskurantizmit modern shqiptar, i cili gjithashtu ishte ndjekës i një starets-i tjetër, të cilin gjithashtu e njoha, z. Petraq Fundo. Ky ishte z. Petro Zheji, i apasionuar pas filozofisë që në vegjëli, por me shkollim të lartë matematik. (Nga dijetari i shquar Petraq Fundo, Petro trashëgoi simbiozën e adhurimit të njëkohshëm të fesë kristiane dhe të logjikës matematike) Gjithashtu, Petrua është karakterizuar gjithmonë nga një kurajë civile e pashoqe, që kundër pushtuesve italianë në shkollë italiane, e deri kundër komunistëve kriminelë shqiptarë e të huaj, kur dhe ku nëpërkëmbeshin vlerat kombëtare, si dhe “të deklasuarit” patriotë nacionalistë e nacionalisto-fetarë.
Ne shqiptarët heroizmin fizik e kemi patur historikisht të natyrshëm e shoqërisht të mbivlerësuar. Ndërsa ndaj heroizmit mendor (që duhet thënë, edhe ky s’na ka munguar kurrë) shpesh kemi qenë dhe jemi shoqërisht dritëshkurtër e deri të verbër, mospërfillës, mosmirënjohës, neglizhentë dhe harrestarë. Madje deri “flakjes” (it. “reietto”, ang. “reject”) së tij jashtë trupit “të shëndetshëm” të mbijetesës thjesht fizike të popullit (!?) Gjë që ka sjellë historikisht eksportin pa kthim të të talentuarve (madje dhe thjesht të profesionistëve), por natyrisht dhe gjenive, deri në denatyrimin e tyre në personalitete të popujve bujtës, fqinjë e jo vetëm.
Më poshtë një shkrim imi për këtë temë, pas emigrimit të Petro Zhejit, botuar sëpari tek gazeta “E djathta”, n.3, 24 qershor 1994 (kryeredaktor Zyhdi Morava) i cili mendoj se është akoma aktual.
DISA FJALE MBI PERSONALITETIN E PETRO ZHEJIT
Fatkeqësia e Kombit Shqiptar është se, për shkak të konjukturave shumë të rënda por edhe të karakteristikave tepër specifike dhe origjinale të psikologjisë së tij sociale kombëtare, nuk ka mundur të njohë, të vlerësojë edhe të ruajë personalitete të shquara që kanë bërë e po bëjnë të mundur ringjalljen e tij. Kjo bën që maksimat “nuk ka profet në atdhe” etj të ndjehen tek ne deri në absurditetin që pothuajse çdo vlerë e vërtetë të duhet patjetër të mërgojë që të mund të mbijetojë e të afirmohet.
Kam rastin të shkruaj për mikun tim me te ngushte, duke qene dhe bashkepunetori i tij me i ngushte. Kuptohet që pozita ime është e vështirë; se duke thënë të vërtetën për të, unë heshtazi mburr dhe veten. Megjithatë personaliteti i Petros, pavarësisht se i paafirmuar ende në shkallën e e meritës së tij të vërtetë dhe të gjerësisë së tij, është rrezatuar aq fort në intimitetin e krijuesve shqipatrë, sa që është detyrë për të gjithë ne që e njohim që të përpiqemi t`i japim vendin që i takon.
Petrua, para se të jetë gjeni, vazhdimisht ka ditur të jetë njeri. Për çdo intelektual dhe shqiptar që ai njohu, është themel besimi, fymëzimi dhe vetërespekti. Ai diti të jetë njeri, diti ta ruajë të paprekur ndërgjegjen e së vërtetës dhe ta shpallë atë me forcë kur e vërteta konsiderohej krim dhe dënohej egërsisht nga bishat komuniste. Intelekti i tij superfin dhe i mprehtë,dhe ndjeshmëria e tij artistike e delikate do të ishin bërë pluhur me kohë nën presionin përçudnues të lakejve të diktaturës dhe të spiunëve të sigurimit, të grumbulluar në institucione për dizinformim artistik, kulturor dhe shkencor,si Akademia eShkencave dhe Lidhja e Shkrimtarëve, po të mos kishin si themel një besim hyjnor, të fortë deri në shkallën sa të sfidonte fatin.
Që në rini i hoqën të drejtën e mësimdhënies në matematikë, se nuk pranoi të diferenconte nxënësit, nuk pranoi që detyrën e shenjtë të mësuesit ta komprometonte me direktivat e kuadrit komunist. E lanë pa punë dhe, kur e lejuan të punojë,duhej të përkthente,se vetëm ky asokohe ishte profesion I lejuar për intelektualin disident.Duhej të përkthente kryevepra me normë dhe të përleshej me censorët inkompetentë, të veshur me petkun e intelektualit, të cilët i “saktësonin”(lexo: sakatonin) përkthimet. Të përleshej për një fjali, e për një fjalë të pushohej nga puna e të mbetej pa bukë. Ky ishte fati i tij. Dhe ndoshta dhe të syrgjynosej në burg e psikiatri, prejnga vetëm për hir të Zotit doli a shpëtoi. Puna me normë e përkthimit ishte projektuar nga djajtë e kuq si poshtërim e lavazh (truri? LT)për intelektualin krijues. Megjithatë ai arriti të botojë përkthime të kryeveprave të tilla, si pjesën e dytë të Don Kishotit të Servantesit, “Vilet e Zemërimit” të Shtainbekut, “Zoti President” dhe “Papa Jeshil” të M.A. Asturiasit, vepra të A S.Ekzyperisë etj.
Për sa i përket përkthimit artistik, përkthimet e Petro Zhejit në vijim të përkthimeve të Fan Nolit, përbëjnë një ridimensionim të mjeteve shprehëse të gjuhës së gjallë dhe letrave shqipe. Fjalëformimet e lira dhe me një përqëndrim kuptimor të pakrahasueshëm mbushin përkthimet e tij, dhe forca shprehëse e gjuhës shqipe si rrallëherë ka arritur nivelin e gjuhëve më të përpunuara evropiane. Përkthimi i Asturiasit është një nga dëshmitë e heroizmit intelektual shqiptar. I botuar në kulmin e agresivitetit të diktaturës së Hoxhës, me gjuhën e tij të ashpër, të drejtpërdrejtë dhe stigmatizuese, ringjalli shpresën dhe i dha frymë zjarrit gati të fjetur të ndërgjegjes politike shqiptare.
Dhe puna e tij e përkthyesit , për mrekulli të Zotit u bë sugjeruese e idesë themelore të veprës së tij fetare e filozofike mbi logjikën e gjuhës dhe të komunikimit , e në veçanti, mbi gjenezën e gjuhës shqipe, ku as më shumë e as më pak ndërtohet një logjikë dhe një linguistike e re, në të cilën kristalizohen punime të filozofëve dhe të linguistëve të mëdhenj të shekullit si dhe të mëparshëm si Heidegger, Husserl, Koestler, Wiittgenstein, Eco etj. Kjo punë realizon për herë të parë edhe idealin e psikanalizës për krijimin e një ure kuptimore të qëndrueshme ndërmjet inkoshjentit kolektiv dhe koshjentit individual të çfarëdoshëm, ose, e thënë ndryshe, mentalitetit primitiv me atë bashkëkohor (zhvillim përfudimtar të ideve të C.G.Jung etj)
Punimet e Petros “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” përcaktojnë në raportin botkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën, që është filluar e vazhduar nga Etërit e Kishës që nga Shën Pauli e deri më sot, e që pasqyron në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Bëhet i mundshëm logjikisht tërëkuptimi rivlerësues i trashëgimisë së qytetërimit,nëpërmjet trashendimit të epokës teknologjike, që del si relika e fundit e idolatrisë antike. Aty ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të endrrës së herojve të tillë të mendimit si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu etj. Në të shfaqet e revelohet mjedisi mendor-instinktiv që bën të mundur përkthimin, kuptimin, komunikimin , krijimin dhe zbulimin, shfaqen pra bërthama kristalizuese të një gjuhë-logjike universale natyrore, formalizohen pra arketipet. Ndërsa për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “ Shqipja dhe Sanskritishtja ”, “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe” shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë çvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si ato të mësipërmet, tej çvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S. Frashëri, Fan Noli, Sh. Gjeçovi, At Gjergj Fishta etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë. Këto punime tani janë duke u botuar. Mendoj se me këto punime krijohet dhe mundësia e korrigjimit real dhe ndoshta e shërimit të megallomanisë perverse vetëshkatërruese të gjenisë së kombit shqiptar, që ka buruar nga një kompleks kombëtar inferioriteti kuazi absolut ndaj qytetërimeve dhe që s`ka lënë pa prekur e dëmtuar edhe figura tona nga më të shquarat. Figura si Martin Camaj, Robert Elsie etj kanë vlerësuar lart përmbajtjen e këtyre punimeve. (Kete periudhe do ta shohesh kur te jap gazeten LT) Mendoj se është detyra e intelektualëve shqiptarë të njihen sa më parë e në thellësi me këto punime dhe të zgjerojnë implikimiet e tyre, të cilat pa dyshim do të rezervojnë të papritura të mëdha dhe përmbysje pozitive.
360grade.al