Home KRYESORE SHTEGTIM PASQYROR! NGA ANISA MARKARIAN

SHTEGTIM PASQYROR! NGA ANISA MARKARIAN

Gjenova, 15 gusht 2020. Ditë e vranët. Një shkumë resh të përhimta vizaton vagëllimthi një maskë gjigante – qielli përgatitet të teshtijë.

Siluetat tona kureshtare projektohen mbi kalldrëm të epura dhe hollake, fytyrat të latuara rrumbullakthi nga maskat. Të maskuar janë edhe lëmoshëtarët, kamerierët, muzikantët endacakë, patrullat e karabinierëve dhe shitësit e kotësirave me tezgat lidhur në brez. Ulur mbi një stol të gurtë në pozën e mendimtarit të Rodenit, edhe djaloshi-statujë në sheshin Mateoti është i maskuar. Hollësi artistike, maska dhe trupi i tij atletik shpalosin të njëjtin bronzim butaforik.

Në hyrje të Katedrales së Shën Lorencit, luanët krifëgjatë kanë rënë në limontì. Sapo kapërcejmë pragun, ndeshemi ballë për ballë me besimtarin vullnetar që numëron vizitorët nga prapa banakut – shtëpia e Zotit s’mirëpret më shumë se tridhjetë vetë njëherazi. Burri nuk pipëtin. I mbrojtur nga maska kirurgjikale dhe një fletë pleksiglasi lartësuar mes tij dhe vizitorëve, na tregon me kokë shishen plastike të dezinfektuesit dhe ngre lart dy gishta në formë «V»-je.

S’është shenja e fitores. Nënkupton: dy shtypje pistoni, sinjori! Me siguri, doza e efektshme e lëngut alkoolik. Nëse ndokush e ka maskën nën hundë, me dorën tjetër e urdhëron ta tërheqë gjer nën sy. Asnjë fjalë. Buzëqeshje jo e jo. Janë kohë vetëveçimi.
Vulosur e paketuar si dërgesa postare, kabinat e rrëfimit presin transferimin për në magazinë. Mëkatarët janë të lutur t’i shpërfaqin fajet në Skype – shugurimi do t’u vijë me WhatsApp. Vaska e Ujit të Bekuar është bosh. Bosh dhe e lëpirë. Provoj të shkas dorën brenda saj, sa për adet. Më e shpejtë se unë, shigjeta qortuese e portierit më paralizon në vend. Ç’më shkrepi në gisht kjo nismë mendjelehtë?! Mi scusi, signore!
Në rreshtat e karrigeve me shkelëza gjunjëzimi, në çdo tri ndenjëse, vetëm e mesmja është e lirë. Anësoret janë bllokuar me shirita të verdhë kantieri. Masë parandaluese e epërme: në duart e shenjtorëve varen vargje hudhrash të thata. Zëvendësojnë rruzaret…


Në Pallatin Dukal është hapur një ekspozitë e veçantë. Titullohet «Pesë minuta me Monenë» dhe përmban një pikturë të vetme. Artdashësit janë të ftuar në një gosti ndjesish kokë më kokë me zambakët e ujit. Ndonëse tablotë e Monesë dhe të impresionistëve të tjerë i kam admiruar disa herë në Marmotan të Parisit, përvoja e premtuar më josh. Gjer tani, kësaj Dite të Shenjtë i kanë munguar emocionet.

  • Jam kureshtare të di se cila është «e Zgjedhura», – të rrëfej e nxitoj për te biletaria.
  • A jua kontrolluan temperaturën? – pyet biletashitësja e ngujuar në kabinën e tejdukshme dhe më tregon me gisht një termometër të çuditshëm.
    Ka formën e trupit të njeriut. Për të realizuar matjen, duhet puthitur balli me shënjestrën elektronike të aparatit.
  • Bip, bip, bip… 36.2°C! – dhe ndizet drita e gjelbër.
  • Bip, bip, bip… 36.8°C! – dhe postblloku hapet edhe për ty.
    Kryet mbuluar me një kapelë kashte e vështrimin në zhbirim të peizazhit, Mone na pret në majë të shkallëve si për të na uruar mirëseardhjen. Pozon buzë pellgores së kopshtit të tij, me këmbët të zhytura mes kallamishteve. Mjekra e bardhë i varet në gjoks si gushore.
  • Kjo dritë vranësie është e papërsëritshme. Ngutuni ta kapni! – sikur na thotë.
    Ciceronia e ekspozitës ka ngjeshur një maskë prej cohe blu mbi të cilën janë stamposur dy-tre zambakë uji të purpurt. Edhe letra e tapicerisë që vesh përkohësisht muret e sallës riprodhon të njëjtat motive. E kuptoj hamendas se cila është «e Zgjedhura». Një nga më të bukurat e serisë «Nimfeat». Në broshurën shoqëruese gjej një të dhënë interesante. Termi «zambakë uji» përfshin tre lloje bimësh ujore: nimfeat, lotuset dhe nenufarët. Mjeshtri kultivonte në liqenthin e tij nimfea hibride dhe lotus egjiptianë.
  • Gjatë kohës që do të jeni vetëm për vetëm me kryeveprën, mund të zgjidhni të dëgjoni një nga letrat e Monesë të lexuar në italisht, kompozimin për piano dhe violinë të Arvo Pärt «Pasqyrë brenda pasqyrës» ose të qëndroni në heshtje të plotë, – na shpjegon gruaja.
    Zgjedhim të dëgjojmë pjesën muzikore.
  • A më lejoni një këshillë? – pyet befas dhe na mbërthen në vend me një shikim të mistershëm. – Shijojini thellësisht pesë minutat tuaja. Me të gjitha shqisat! Madje, edhe me një të gjashtë nëse e keni. Do të përjetoni një përvojë unike. Një zhytje në magjinë e artit impresionist që…
  • A mund të zhytemi pa maskë? – guxon ta ndërpresësh ti.
  • Kurrsesi, zotëri!
    Në sinkroni të plotë me lëvizjet tona, muzika fillon sapo arrijmë përpara tablosë. Kronometri shënon kryesekondën. Ndodhemi kokë më kokë me «Nimfeat».
  • Ma jep dorën, – të pëshpëris.
    Pikturën e përkëdhelin tingujt e pianos e të violinës. I kam zili. Do të kisha dashur të bëja të njëjtën gjë me gishtërinjtë e mi. Të ndiqja hullitë ku ka rrëshkitur peneli, të ndieja shtresimin e ngjyrave mbi kanavacë, t’u lëmoja pushin myshqeve të pellgut. Veshët më kapin një rrahje flatrash. Një gjelbërushe e porsangritur në fluturim londit degët e shelgjeve vajtues që varen brinjëve të tablosë si flokë shtojzovalle. Notat bëjnë rikoshet mbi gjethet rrethore të zambakëve e shpërhapen në eter si fishekzjarrë. Pëlhura valëzon. Ç’them?! Fërgëllon! Një tel violine ka shkuar në hell shtëllungën bardhoshe të reve. Më kujton lëpirëset me pambuk sheqeri që blejmë në panairët e verës. Neps i gjithëhershëm!
    Kronometri micëron minutat i uritur.
    Shpërfillës ndaj rregullave të klasicizmit, Mone i ka hequr vizën perspektivës. Peizazh idilik pa breg e pa qiell, vepra mund të admirohet edhe picingulthi. Thellësinë ia jep ngërthimi pasqyror i horizontit me cipën e ujit. Ndërkohë që retë xhufkore zhyten toptha-toptha në thellësinë e pellgut, lotuset dhe nimfeat shtegtojnë drejt hapësirash të reja, strajcat të ngarkuara me pjalm vezullor.
  • Mos ik, të lutem, – më flet ti e ma shtrëngon kyçin fort, gjer në përcëllim.
    E kupton që po të zhvokshem duarsh. Po kridhem në një botë pasqyrash ku e vërteta dhe iluzioni bëhen një. Cila duhet thyer, cilën të shpëtoj? Në njërën shëmbëllej djallushe, në tjetrën nimfë lumi.
    Një puhi e lehtë më përshkon kurmin; më flladit e më këndell. Qerpikët m’i trazojnë ca spërkla bojë vaji që përzihen me rimelin tim. Mjeshtri ka shkundur penelin. Përkulur mbi parmakun e urës japoneze lyer në të gjelbër-bretkosë, Mone hulumton i magjepsur visoren ujore. Burim i pashterur frymëzimi, liqenthi dhuron prehje shpirtërore e ngazëllim. Seanca e pikturimit ka marrë fund. Mbledh tubat një për një, palos këmbalecin e fshin duart me një shuk leckash. Në hundë më arrin një aromë rrëshinore. Janë avujt e terpentinës së bojërave. Me ngadalë, hapin të rënduar nga mosha dhe përsiatjet, merr shtegun sekret drejt shtëpisë. Ndalon këmbët një çast, kthehet nga ne e na përshëndet duke tundur kapelën. Një hap, dy, tre… e zhduket përfundimisht, i mbështjellë në një mantel të tymtë.
    Tring! Sinjali i sekondës së fundit. Tring, tring! Koha jonë mbaroi.
  • Ju mirëpresim në ekspozitat e ardhshme! – na përshëndet ciceronia e na shtyn drejt daljes.
    Në dorë ka spërkatësen me lëngun alkoolik. Duhet të dezinfektojë ajrin rrotull tablosë përpara se të hyjë vizitori i radhës. «Nimfeat» nuk kanë maska…

© A.M. Shtator 2020 – shënime pushimesh kovidiane.

Share: