Përmes një serie propozimesh, deputetët socialistë synojnë jo vetëm heqjen e imunitetit të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, por edhe përqendrimin e hetimeve për krime zgjedhor në duart e drejtuesit të SPAK –duke vënë në pikëpyetje pavarësinë e sanksionuar në Kushtetutë.
Autor: Gjergj Erebara | BIRN |
Një seri propozimesh për ndryshime ligjore të deputetëve të maxhorancës socialiste në Kuvendin e Shqipërisë duket se synojnë të dobësojnë sistemin e drejtësisë në raport me hetimin e krimeve zgjedhore, duke lehtësuar hetimin administrativ të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor apo promovimin e tyre si dhe duke e kufizuar hetimin e krimeve zgjedhore vetëm në duart e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme- pikë kjo që bie ndesh me një nga shtyllat më të rëndësishme të reformës në drejtësi, autonomisë së prokurorëve në kryerjen e hetimeve. Propozimet e publikuara në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë vijnë nga deputetët Alket Hyseni, Klotilda Bushka e Adnor Shameti dhe shënjestrojnë për të ndryshuar Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale si dhe ligjet për statusin e magjistratëve dhe atë për funksionimin e prokurorisë.Arben Kraja, përgjegjës “personal” për krimet zgjedhore
Propozimi i parë i socialistëve i firmosur nga deputeti Adnor Shameti, i cili kërkon që dy nene të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, 328 dhe 328/b, të cilët dënojnë krime zgjedhore, t’i kalojnë në përgjegjësi Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, njohur nga akronimet SPAK.Propozimi i Shametit [Link] nuk është i vetmi ndryshim i propozuar. Deputeti tjetër socialist, Alket Hyseni, ka dorëzuar në kuvend një propozim të dytë që duket se shënjestron të njëjtën gjë me Shametin, por në një drejtim tjetër.
Hyseni ka kërkuar një ndryshim në ligjin për funksionimin e prokurorisë, i cili u ribë si pjesë e reformës në drejtësi, ku kërkon që për krimet zgjedhore, të jetë drejtuesi i SPAK, personi i vetëm përgjegjës për drejtimin e hetimeve. Me pak fjalë, ndërsa Shameti ka kërkuar që veprat penale të zgjedhjeve “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik për zgjedhje”, t’i kalojnë SPAK, Hyseni kërkon që hetimet për këto çështje të drejtohen nga kreu i Prokurorisë së Posaçme. [Link propozimi i Hysenit]
Propozimi thotë se në detyrat e Drejtuesit të Prokurorisë të përshkruara në nenin 43, shtohet edhe një detyrë tjetër me këtë përmbajtje: “drejton dhe përgjigjet për hetimin e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të cilat janë kompetencë e prokurorisë që drejton.”
SPAK u bë objekt kritikash së fundmi, kur nga dosja famëkeqe 339 që lidhet me krimet e shumta zgjedhore në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2017, urdhëroi arrestimin e disa komisionerëve zgjedhorë në fshatrat e Shijakut, mes të cilëve, edhe dy komisionerë që kishin vdekur prej dy vjetëve.
Propozimi i Hysenit duket se bie ndesh me frymën e të gjithë reformës në drejtësi, e cila synoi që të shkëpusë varësinë e prokurorëve përmes reduktimit të funksionit të drejtuesit të prokurorisë në rolin e administratorit dhe në rritjen e lirisë së prokurorëve duke sanksionuar që prokurorët duhet të kenë autonominë e nevojshme vendimmarrëse dhe kërkon që prokuroria të jetë një institucion i decentralizuar dhe jo i centralizuar, siç ishte para reformës në drejtësi.
Në propozimin e tij, Hyseni kërkon gjithashtu në emër të transparencës dhe llogaridhënies, që Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme t’i raportojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi gjithçka që lidhet me hetimet për krime zgjedhore, përfshirë emrat e personave nën hetim, kurdo që KQZ kërkon informacion.
Amendamenti “Bushka”
Deputetja socialiste, Klotilda Bushka kanë bërë një propozim tjetër që lidhet me zgjedhjet dhe krimet zgjedhore. Propozimi i saj kërkon ndryshime në ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku kërkon që hetimet apo gjykimet që lidhen me zgjedhjet, të bëhen pjesë e vlerësimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Bushka thotë në relacion se “projekligji parashikon krijimin e një mekanizmi për rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së magjistratëve, që bëjnë pjesë në sistemin e drejtësisë, në raport me veprat penale që kryhen në fushën e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.”
Ndryshimi targeton mënyrën se si një magjistrat vlerësohet. Sipas ligjit, ai vlerësohet bazuar në të dhëna të ndryshme administrative, por jo për çështje konkrete.
Propozimi i Bushkës thotë se dosjet e hetimit ose, sipas rastit, te gjykimit për krimet që prekin zgjedhjet e lira duhet të jenë detyrimisht burim për vlerësimin e magjistratit. Propozimi i Bushkës përfshin edhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, pasi dosjet e krimeve “të cilat janë hetuar nën drejtimin e tij,” duhet të bëhen pjesë e vlerësimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të.