Home KRYESORE Suedia nxori tanket dhe ushtrinë në ishullin Gotland, tensione me Rusinë

Suedia nxori tanket dhe ushtrinë në ishullin Gotland, tensione me Rusinë

Javën e shkuar në Gotland, një ishull i vogël suedez në detin Balltik janë regjistruar aktivitete ushtarake, që në Suedi nuk shiheshin që nga koha e luftës së ftohtë. Rrugët e ishullit janë patrulluar nga ushtarë, ndërsa mediat kanë transmetuar imazhe të mjeteve të armatosura që kanë zbarkuar në port, ndërsa prej ditësh avionë gjuajtës kanë kaluar mbi kokat e ushtarëve, banorëve apo edhe turistëve të ishullit.

Ushtria suedeze është mobilizuar për shkak të një stërvitjeje ushtarake detare ruse, që përfundoi shpejt, por kjo situatë tregon qartë rritjen e tensionit mes Rusisë dhe vendeve në zonën e Balltikut.

“Më mirë të jemi gati se sa të zënë në befasi”, tha për Financial Times Johan Wiktorin, një analist, pjesë e Akademisë mbretëore suedeze të luftës.

Në Gotland jetojnë afërsisht 58 mijë persona që mbahen kryesisht me industri lokale dhe turizëm. Në të shkuarën ishulli ka qenë nën vartësinë e danezëve, të suedezëve, të gjermanëve dhe rusëve që e kishin pushtuar për një kohë të shkurtër gjatë lufterave napoleonike.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ishulli ka qenë në qendër të pëprlasjeve mes Bashkimit Sovjetik dhe Suedisë që i përmbaheshin një marrëveshje të detit, dhe konsiderohej strategjik si nga NATO (ku Suedia nuk bën pjesë, por konsiderohet një aleat besnik) ashtu edhe nga forcat sovjetike, nisur nga fakti që ishulli është vetem 600 km larg Shën Petërburgut në vijë ajrore.

Fundi i Luftës së ftohtë e bindi Suedinë që në vitin 2005, të largonte bazën ushtarake nga ishulli./Opinion.al

Share: