Nga Artur ZHEJI
Takoj dhe shoh shpesh e më shpesh, njerëz të kërrusur apo në kërrusje e sipër, të cilët pasi pështyjnë dhe psherëtijnë, u japin zë, ofshamave të tyre të brendëshme, që kumbojnë si vullkanë të shuar në shpirtrat e tyre, plot gjurmë të dukshme e të padukshme plagësh…
Janë turmat e atyre që nuk bien në sy, ndonëse janë shumica e kësaj Bote, femra apo meshkuj, apo qëllon edhe të dyja bashkë njëherësh, që zgjohen për të punuar si ca insekte toke, aspak fluturake mjerisht shumë prej tyre, pa identitet dhe që, kur të vdesin, do të mbeten jashtë Kujtesës së kësaj Toke dhe këtij Universi…
Janë Ata, Shumica Absolute, që punojnë derrçe dhe që dehen me birra të lira dhe ushqehen e gjejnë shije, në paketimet 1 apo 2 dollarëshe…
Ata pra, të Tradhëtuarit e shumtë të kësaj Toke, të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm, se edhe nëse vdesin apo bien në ndonjë greminë urbane, askush nuk do ta ndjejë mungesën e tyre, pasiqë ndoshta janë ca krijesa që nuk lëshojnë as hije, se mbase ata, janë të padukshëm edhe përkundrejt vetë Diellit…
Porse, ashtu sikundër dhe Heshtja ka një Zë, apo sikundër çdo gjallesë lëshon një tingull, edhe turma e të braktisurve e ka një Zot!
Ose më saktë, Zoti, për aq sa Ai egziston, në të vërtetë apo në trurin tonë, Ai Zot pra, është Zoti dhe dashnori i kësaj turme që ofshan, dhe i askujt tjetër…
I kësaj Turme pra, të të shumtëve që ndjehet e tradhëtuar, të vetmuar apo krejtësisht jetime, në ato sekonda jetë, që Universi u ka dhënë borxh për të gjalluar…
“Pse o Zot! Pse o Zot, mbi këtë tokë mbretëron Padrejtësia?! Pse o Zot? Pse o Zot, tradhëtari përbetohet për besnikëri dhe dashuri, pikërisht kur është në afshin e epsheve të tradhëtisë? Përse, hajduti, përbetohet për ndershmëri, ndërkohë që na vjedh, e na zhvat?! Pse?!! Dhe mbi të gjitha përse Zoti, Zoti ynë nuk ndërhyn për të ndrequr gjërat? Për të vendosur Peshore Drejtësie?! Për të ndëshkuar Fajtorët dhe për të mbrojtur të Tradhëtuarit, Jetimët dhe të Pafuqishmit?!”
Dhe janë të shumtë ata që psherëtijnë dhe pështyjnë gjak kësisoj dhe ndjehen të vetmuar dhe të braktisur ata!
Ua lexoj vështrimet, që marrin vrull nga zgavrat e syve, e që ngjiten Lart, në atë Pikën e panjohur që quhet Zot, si ca re avulli të bardhë…
Dhe në këtë vetmi të thellë, në këtë braktisje të pashërueshme, ata, gjithmonë e më të shumtë dhe gjithmonë e më të dëshpëruar, ngrenë sytë lart, diku turbull në Qiell, në kërkim të një Drejtësie Hyjnore!
Por, disa shërbëtorë të stërholluar, paguar nga “zhvatësit” dhe gjakpirësit tanë dhe të kësaj bote, u thonë turmave në mënyra të ndryshme se kjo Drejtësi, për krimet e kryera mbi ta dhe mbi jetët e tyre, nuk do të mbërrijë kurrë mbi Tokë dhe ndër ne!
Sepse, fërshëllejnë si gjarpëri ata, për t’ju helmuar e vrarë çdo shpresë në Drejtësi dhe Nder, “thjesht Zoti nuk është!” dhe “Drejtësia është një shpikje e mëndjeve të sëmura, një koncept brenda kafkës së mjeranëve të pashpresë dhe jo një Mbretëreshë e gjithëpushtetshme e Universit!”… përhapin muzg të shtuar trishtimi ata të pabesë shërbëtorë e shërbyes të Hajdutërisë!
Dhe paskëtaj, të paguarit, këta gënjeshtrathënësit, që flasin me fjalë të puthitura, ngrenë lart, ca vetulla gënjeshtare serioziteti, shkojnë e arkëtojnë te padronët e tyre, monedhat e shpërblesës, që ju shtyjnë Ju, Populli im, herë në vetvrasje, herë në nënshtrim, e që ju lënë në errësirën pa shtegdalje, apo ju mbysin kështu në pusin e vrerit pa kufi që ju kap nga gryka dhe nuk ju lëshon më, derisa ju merr shpirtin e rraskapitur…
Bëj çfarë të duash Populli im, ti gjithmonë je dhe do të jesh i pafajshëm, sepse ti gjithmonë paguan e stërpaguan maskarenjtë…
Vetëm se, mos rresht asnjë çast së besuari te Drejtësia e Tokës dhe e Qiellit, që do të bjerë mbi zhvatësit, mbi tradhëtarët, mbi të pabesët që kanë shpërdoruar si ca prostituta gojë shthurura, Besimin Tënd të Shenjtë!
Sepse Drejtësi ka!
Dhe ajo herë bie si këmbanë e Vdekjes dhe herë si lëngatë pa shërim, e herë herë, e ndoshta gjithmonë e më shpesh, si një aksident pa kuptim, si një Rrufe në Qiell të hapur!
Sepse budallenjtë, maskarenjtë dhe kurvërorët e kurvat, nuk e dinë sa misterioze dhe e beftë është Drejtësia Hyjnore!
Kur ata, shpesh në vetëminë e klinikave të shtrenjta, do të jenë duke lënguar plot spazma, do të ndjehen më vetëm dhe më të mjeruar se kurrë, kur të shohin familjarët, që mezi presin jo shpëtimin, por vdekjen e tyre, për të ndarë babëzisht plaçkën e vjedhur.
Se do të vijë dhe rradha e Tyre për të vuajtur e për t’u brengosur pa shërim, ashtu si ne, Populli im, vuajmë e brengosemi shpesh pa ngushëllim, prej kësaj fare, në të shumtën e vet, farë kopilësh, pa oxhak e pa fis me derë të lartë, apo farë e mosprejardhur prej emrash të njoftshëm…
Do vuajnë pra dhe zhvatësit dhe tradhëtarët e Besimit, se do të zhvaten dhe ata e do të tradhëtohen dhe ata, tradhëtarët, kur të vendosin Besim te bashkëpunëtorët apo te të dashurit e tyre të fshehtë, e do bien edhe ata në pusin e thellë të mjerimit shpirtëror të pashërueshëm!
Dije Popull, ato çaste hidhërimi që vazhdojnë e zvarriten si shekuj në shpirtrat e tyre, nuk mund të gjëjnë ngushëllim dhe ilaç as në kështjellat e tyre, as në piramidat me para dhe as në skutat më të thella të Qënies së tyre të nxirrosur.
Do vijë pra Dita, që “ata” do bien në gjunjë dhe do t’përloten, por nuk do të marrin as përgjigje dhe as ngushëllim, përderisa drejtësi të jetë vendosur…
25 Shtator 2020
360grade.al