Home KRYESORE E njëjta dorë kundër Kosovës dhe Shqipërisë…

E njëjta dorë kundër Kosovës dhe Shqipërisë…

Nga Artur ZHEJI

Gjëndja ndërshqiptare e politikës shqiptare është në truallin e pabesive të njëpasnjëshmë dhe 360 gradë, sëpaku në Shqipëri dhe Kosovë.
Duket se tinëzisht dhe në mënyrë të padukshme, një forcë, apo disa forca të mirëkoordinuara, po e destabilizojnë botën politike dhe për pasojë edhe atë ekonomike dhe sociale shqiptare.

Nëqoftëse jemi të vëmendshëm se çfarë ndodhi dhe pritet të ndodhë në Prishtinë, imoraliteti politik ka kapur aty, maja fare të larta. Një qeveri e votuar ndershmërisht, bllokohet, shantazhohet dhe hidhet në erë, përmes një grushti shteti trasversal në Kuvendin e Kosovës, duke krijuar një shumicë artificiale që nuk përfaqson vullnetin e shqiptarëve të atyshëm.

Nëqoftëse zbresim në Tiranë, dinakërisht dhe pa kurfarë morali, një pjesë e madhe e mediave, dhe lodra të ndërlikuara makinacionesh, rreken te krijojnë bindjen se duhet të fillojë një “përndjekje” antikorruptive ndaj Opozitës, ndërkohë që “cash machine” e qeverisë, bluan pa llogaridhënie qindra milionë euro, në tendera që guxojnë çdo gjë.

Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri, është krejtësisht i bllokuar, ndërkohë që reforma në drejtësi, po rrëfehet ditë pas dite, një fëmijë i vdekur, në rastin më të mirë apo një robot në duart e pushtetit dhe mëkatarëve të cilët kanë siguruar kësisoj: “blerjen e pafajsisë”, për krimet ekonomike që kanë kryer dhe ato që pritet të kryejnë në të ardhmen…

Për të mbrritur këtu, po shkallmohet dritën për Diell, çdo kod dhe ligj, sipas parimit: “Forca arrogante deri në verbëri e pushtetit, vendos mbi ligjin”, në kushtet e mungesës së qëllimshme të një sistemi funksional drejtësie.

Në mënyrë po aq të qëllimshme, po përhapet dhe po zmadhohet në trajtë të panatyrshme bindja e rreme, se Shqipëria, ashtu si edhe Kosova tashmë, duhet t’i nënshtrohen një klime të re, pro ruse apo pro serbe, sepse kështu duan edhe aleatët tanë strategjikë perëndimorë. Mirëpo kjo logjikë, e gatuar si tasqebab pikant me qepë e hudhra, si edhe me shumë PPP, kokainë, heroinë e barishte, që u jepet për gjellë politike shqiptarëve të lodhur nga hallet e pazgjidhura, nuk merr qëllimisht parasysh, se: “Aleatët strategjikë, nuk mund të japin si zgjidhje, “formula politike, jo-strategjike” dhe jo-afatgjata, sikundër janë formulat gjeopolitike rajonale.

E pra, perëndimorët, kushdo qofshin ata, nuk mund të këshillojnë seriozisht që : Kosova të ulë kokën, kundrejt Serbisë, kur 20 vite më parë ka luftuar me armë kundër saj dhe ka fituar edhe me gjakun e saj, për të qenë pjesë e Perëndimit. Dhe, nëqoftëse Serbia duhet të vijë në Perëndim dhe premton të vijë, kjo nuk mund të bëhet mbi kurrizin e pavarsisë së relativizuar të Kosovës dhe të resurseve të saja.

E pra po ashtu, edhe në Tiranë, pro-oksidentalizmi, nuk mund të gëlltitet si një paketë e përbashkët me heqjen dorë, në mënyrë të vullnetshme prej shqiptarëve të Shqipërisë, të gurëve të themelisë demokratike:

Zgjedhje të lira dhe Gjykata të lira nga korrupsioni i pushtetit të dehur nga afshi i pandëshkueshmërisë. Në këtë absurd të krijuar, në këtë përmbysje të logjikës fillestare dhe parësore të marrëdhënieve shtetformuese, në këtë hutesë, ngatrresë dhe kaos të organizuar, ndjehet se gjarpëron një Dorë e Tretë konspirative. Që sigurisht e ka guzhinën në seksionet për Shqipërinë, seksione shumë aktive dhe të mirëfinancuara.

Për të mos bërë lojra fjalësh dhe për të mos u akuzuar për teori të pathemelta konspirative, aroma që të çon në këto “guzhina ku gatuhet destabilizimi” ka një tregues fare të thjeshtë: “Janë pikërisht ato vende që nuk njohin Republikën e Kosovës!” që do të thotë, që nuk njohin të Drejtën autoktone shqiptare mbi trojet e veta. E pra, duan zbrazjen e tyre, mjerimin e tyre gjithëshfarësh, luftën midis tyre dhe mungesën e thekshme të Besimit, për të ardhmen ose Jo të Ardhmen e Vendit të tyre!

Dhe këto “Seksione”, kanë padyshim edhe rekrutime të rëndësishme edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, por, “mosvëmendja strategjike” e aleatëve tanë strategjikë, nuk do të vazhdojë gjatë, sepse do të kuptojnë sakaq, në “Mullirin” e cilëve antioksidentalë, të çon ky farë uji…
360grade.al

Share: