Home Gjeo-Ekonomia Faktori SHBA në marrëdhëniet Shqipëri–Kinë

Faktori SHBA në marrëdhëniet Shqipëri–Kinë

Nga Iljaz Spahiu

Dy ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë tërhoqën vemendjen e analistëve të politikës ndërkombëtare gjatë javës që lamë pas. E para, një letër që presidenti amerikan Donald Trump i drejtonte kryeministrit shqiptar Rama, në të cilën në mënyrë të drejtpërdrejtë i kërkon Shqipërisë shkëputjen e marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës, vend me të cilën e lidh një miqësi tradicionale. Dhe e dyta, në vazhdim dhe konkretizim të kësaj letre, vizita në vendin tonë e nënsekretarit amerikan për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, gjatë së cilës u nënshkrua një memorandum për bashkëpunimin ekonomik, por që në fakt më shumë u vu theksi tek “rreziku” që sipas tij , paraqet Kina për Shqipërinë dhe gjithë rajonin e Ballkanit. Presidenti Trump haptazi i kërkon kryministrit Rama që të nënshkruajë një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, që nënkputon përjashtimin e kompanisë kineze Huawei, si dhe e inkurajon të dalë nga mekanizmi 17+1, një iniciativë bashkëpunimi e iniciuar nga Kina. Edhe nënsekretari amerikan i shtetit falënderoi qeverinë shqiptare për angazhimin, siç tha ai, në Iniciativën Rruga e Pastër. Tirana ishte ndalesa e fundit e tij, në kuadër të një turneu dy javor në tetë vende evropiane, i cili në fokus kishte ofensivën e admnistratës amerikane për krijimin e një fronti antikinez.

Nuk është hera e parë që Ushingtoni kërkon mbështetjen e Shqipërisë për qëndrime dhe politika të veçanta të tij në arenën ndërkombëtare. Por ajo që vlen të analizohet është ndikimi gjithnjë e më i dukshëm i faktorit SHBA në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës, sidomos pas tensioneve në rritje mes SHBA dhe Kinës me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump, të cilët tashmë Kinën nuk e shohim thjesht si një konkurrete, por si një sfiduese serrioze të lidershipit të saj botëror. Dihet që Shqipëria dhe Kina kanë pasur një lidhje speciale në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, lidhje qe pavarësisht bazës ideologjike, u pasua nga një miqësi tradicionale mes popujve, që për hir të të vërtetës vazhdon edhe në ditët tona. Falë asaj lidhjeje, edhe sot kur Kina tashmë është fuqia e dytë ekonomike në botë dhe aktor i rëndësishëm i politikës ndërkombëtare, Shqipëria vazhdon të gëzojë në këtë vend, madje deri në qarqet e larta drejtuese, një imazh të lakmuar nga shumë vende.

Nuk ka dyshim se Shqipëria ka një orientim të qartë e të vendosur euroatlantik, ka realizuar tashmë aderimin në NATO dhe synon integrimin në BE, orientim që gjithmonë ka gjetur edhe mbështetjen e hapur të qeverisë kineze. Por kjo sigurisht nuk e ka penguar atë të ruajë marrëdhënie korrekte me Kinën dhe partnerë të tjerë. Ajo prej disa vitesh aderon në mekanizmin e bashkëpunimit 16+1 (Aktualisht 17+1, Kinë+ vendet e Europës Lindore, Qëndrore dhe Jug-Lindore), si dhe ka nënshkruar memorandumin e Mirëkuptimit për Nismën “Një brez, Një rrugë”. Marrëdhëniet politike mes dy vendeve mund themi se kanë qenë në nivele të kënaqëshme, nisur edhe nga shkëmbimet e vizitave të nivelit të lartë, ndërsa bashkëpunimi ekonomik megjithëse jo në nivelet që priten, është shoqëruar me rritjen e investimeve dhe pranisë së kompanive kineze, po kështu janë intensifikuar shkëmbimeve kulturore, është rritur numrit të turistëve etj. Dy palët i kanë vlerësuar marrëdhëniet e miqësisë tradicionale si një bazë e fortë për thellimin dhe çuarjen përpara të tyre.

Por dy ngjarjet që përmendëm më sipër na bëjnë të besojmë se në të ardhmen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës do të përballen me sfida edhe më të vështira, po të kemi parasysh se politika amerikane ndaj Kinës nuk duket se është thjesht elektorale, përkundrazi të gjitha gjasat tregojnë se ajo do jetë një politikë konstante, pavarësësht formave që do të ndiqen. Sa më shumë të rriten tensionet mes SHBA-së dhe Kinës, aq më shumë pritet që ato të reflektojnë në marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë. Zëdhënësi i ambasadës kineze në Tiranë në një deklaratë lidhur me qëndrimet e nensekretarit amerikan Krach, ndërsa hedh poshtë si të bazë akuzat ndaj Kinës, i cilësoi ato si provokim dashakeq ndaj marrëdhënieve Kinë-Shqipëri, si dhe theksoi se këto marrëdhënie përveç se bazohen në parimet e respektit e përfitimit reciprok dhe mos ndërhyrjes në punët e brendshme, e kanë burimin gjithashtu në miqësinë e gjatë mes nesh, për të cilën ja vlen që të ndjehemi krenarë. Edhe nga ana zyrtarëve të lartë shqiptarë kjo miqësi është cilësuar si një trashëgimi e vyer në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjë që kërkon nga politika shqiptare e të gjitha krahëve një qëndrim të matur e të unifikuar në trajtimin e marrëdhënieve me Kinën, më e pakta të koordinuar me qëndrimet e Bashkimit Evropian, dhe pa u bërë pjesë e përplasjeve apo lojërave politike mes fuqive të mëdha, gjë e cila për Shqipërinë e vogël mund të jetë me pasoja shumë të rënda./CRI.CN

Share: