Home Gjeo-Ekonomia Grupmoshat që shpenzojnë më shumë për bare dhe restorante në Shqipëri

Grupmoshat që shpenzojnë më shumë për bare dhe restorante në Shqipëri

Teksa Shqipëria është ndër vendet me numrin më të lartë të bar restoranteve në botë, në raport me popullsinë, a e dini se cilat janë grupmoshat që shpenzojnë më shumë para dhe kohë për bare dhe restorante.

Grup moshat e reja nga deri në 34 vjeç shpenzojnë më shumë në hotele dhe në restorante në raport me grup moshat e tjera të popullatës që jetojnë në Shqipëri. Pas të rinjve shpenzimet më të larta për argëtim i ka grup mosha 55-64 vjeç.

Të dhënat zyrtare të INSTAT nga anketa e nivelit të jetesës, tregojnë se gjatë vitit 2019 të rinjtë deri në moshën 24 vjeç kishin shpenzimet më të larta për argëtim, me rreth 11 për qind të shpenzimeve të tyre mujore. Këto shpenzime erdhën në rritje në raport me një vit më parë, kur ishin 9.5 për qind.

Grupi i tjetër i popullatës në moshë të re, 25-34 vjeç kishte shpenzimet më të larta për argëtim me rreth 6.4 % të shpenzimeve të tyre mujore.

Sipas shpjegimeve të INSTAT shpenzimet e larta të të rinjve për bare e restorante në raport me totalin lidhen me faktin se ato kanë një buxhet të ulët në dispozicion për të shpenzuar, që e shpenzojnë kryesisht për bare e restorante, teksa një pjesë tjetër e nevojave të grupmoshave të reja të tilla si, të tilla si banesa, ushqimet etj. përballohen nga prindërit.

Grupmoshat e tjera nga 34-55 vjeç kanë shpenzime me të moderuara për argëtim duke i dedikuar më pak se 5 për qind te shpenzimeve mujore. Kjo lidhet edhe me faktin se, këto grupmosha janë të angazhuar më shumë me detyrime familjare dhe rritjen e fëmijëve.

Kur familjet çlirohen nga detyrimet “financiare” prindërore mbi moshën 55 vjeç nisin të shpenzojnë më shumë për argëtim. Sipas INSTAT grupmosha 55-64 vjeç shpenzoi në restorante dhe hotele 6% të buxhetit mujor më 2019 me një rritje 1 pikë përqindje në raport me vitin 2018.

Por të rinjtë nuk shpenzojnë vetëm të ardhurat e tyre në kafe, por edhe kohën. Një studim i kryer nga fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, rezultoi se të rinjtë shqiptarë harxhojnë çdo ditë mesatarisht, 2.3 orë duke parë televizor, si dhe 3.9 orë online. Kafenetë zënë një pjesë të konsiderueshme të jetës së të rinjve shqiptarë. Sipas studimit në fjalë, të publikuar së fundmi, gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21% e bëjnë këtë me raste.

Shpenzimi i kohës së lirë nga të rinjtë është i rëndësishëm, sepse tregon elemente të tjera të jetës së tyre, si dhe të planeve për të ardhmen.

Sipas INSTAT, i cili publikon konsumin final -të familjeve sipas grupeve kryesore, në 2018-n, viti i fundit kur janë në dispozicion të dhënat, shpenzimet totale për grupin e bare restorante e hotele ishin 47.8 miliardë lekë, ose rreth 385 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord dhe duke u rritur me 11% në raport me vitin e mëparshëm.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT numri i aktiviteteve që ofronin shërbim të pijeve arriti në 14,776 gjatë vitit 2018, duke u rritur me 4% në raport me një vit më parë, pas një rënieje në vitin e mëparshëm.

Në raport me popullsinë, Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor./ Burimi: Monitor.al

Share: