Ditën e sotme ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar një takim me strukturën e Task Fores anti- COVID në lidhje me situatën e krijuar në vend nga shtimi i rasteve të reja me koronavirus dhe strategjinë e parashikuara nga autoritetet për të përballuar situatën e vështirë të vjeshtë-dimrit.
Ministrja ka deklaruar në këtë takim se janë marrë të gjitha masat për përballimin e një fluksi të shtuar pacientësh. Aktualisht dy spitalet COVID kanë dhe 25% të kapaciteteve të lira, ndërkohë që dhe dy strukturat e tjera janë të gatshme nëse rastet do të shtohen më tej.
Po ashtu, Manastirliu bëri edhe njëherë thirrje qytetarëve që të zbatojnë rregullat e thjeshta duke nisur nga mbajtja e maskës në të gjitha ambientet jashtë shtëpisë.
“Rritja ka ardhur si pasojë e disa elementeve që i prisnim, rihapja e shkollave, hapja e lokaleve restoranteve dhe periudha e vjeshte dimrit. Në strategjinë tonë prisnim një rritje që ka sjelle rritje të numrit të të infektuarve dhe atyre që trajtohen në spital. Shumë vende në rajon dhe botë kanë filluar vendosjen e masave agresive, jo në mbyllje totale, por kanë kufizuar lëvizjes dhe kanë vendosur orare për aktivtete të ndryshme si bare e lokale si dhe duke vendosur maskën e detyrueshme në ambientet e jashtme. Kemi zgjedhur një rrugë që besojmë që ka më pak efekte por që drejtohet nga ekspertë dhe që shpresojmë që do të na sjellë një ulje të numrit të infektimeve, e cila do të arrihet vetëm nëse zbatojmë rregullat e thjeshta, duke filluar mbajtjen e maskës. Qytetarët po e zbatojnë në përgjithësi masën për mbajtjen e maskës por nevojitet ende më shumë ndërgjegjësim. Maska është mjeti më efikas dhe ka sjellë një reduktim të përhapjes së infeksionit, shoqëruar këtu me distancimin. Jemi 24 orë në punë, jemi në këmbë për t’iu përgjigjur çdo qytetari. Këto 3 muaj nuk ka për të qenë e lehtë, pritet rritje e numrit të infektuarve dhe rritje e numrit të personave që do të kërkojnë hospitalizim. Aktualisht kemi 25% të kapaciteteve të lira të dy spitaleve, 2 strukturat e tjera janë të përgatitura për të ofruar shërbim në rast të shtimit të rasteve. Në skenarë janë të përfshira dhe spitale rajonale. Sado që të rrisim testimet, gjurmimet është e nevojshme që çdo qytetar të zbatojë rregullat e thjeshta”,-tha Manastirliu./ Opinion.al