Home KRYESORE Me maskë, pa maskë/ Kë të besojmë për t’u mbrojtur nga Covid-19?

Me maskë, pa maskë/ Kë të besojmë për t’u mbrojtur nga Covid-19?

Vendimi për mbajtjen e një maske me detyrim në çdo ambjent të jashtëm vjen pas gati 8 muajsh pandemi dhe ka provokuar polemika dhe dyshime mbi efektet që do të ketë në frenimin e virusit. Konfuzioni vjen për shkak të mesazheve kontradiktore që u shpërndanë për publikun, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Pyetjet që ngrihen janë të shumta. A ka një studim që provon se mbajtja e maskës e frenon përhapjen e virusit? A e nxit transmetimin e virusit keqpërdorimi i maskës? Përse na gënjyen disa muaj më parë kur thuhej se maska nuk ishte e nevojshme dhe përse u mor ky vendim tani?

Këshillat kundër maskës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

Në mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandoi që maska të mos mbahej në ambjente publike. Vetëm për një person të sëmurë me covid-19, ose për ata që janë duke u kujdesur për dikë që është i sëmurë, maska ishte e këshillueshme.
Në udhëzimin që nxorri në faqen zyrtare thuhej se “Nuk ka studime që të kenë vlerësuar efektshmërinë e mbajtjes së maskës në vazhdimësi nga punonjësit shëndetësorë në transmetimin e SARS-COV-2. Me gjithë mungesën e provave, shumica e mjekëve të përfshirë në trajtimin e të sëmurëve me Covid 19 mbështesin praktikën e punës të mbajtjes së maskës në spitale, apo zona të prekura nga virusi apo gjatë trajtimit të të sëmurëve për të evituar mundësinë e transmetimit të virusit”.

Edhe drejtues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dolën në deklarata publik për të thënë se “nuk ka prova specifike që të çojnë në përfundimin se mbajtja e maskës nga popullata ka përfitime potenciale. Në fakt, ka prova për të kundërtën, në rast përdorimi të gabuar i maskës kur ajo nuk rri në mënyrën e duhur.” Citimi është i Majk Rajan, drejtor ekzekutiv i OBSH, për programin e emergjencave shëndetësorenë një konferencë për mediat në Gjenevë të Zvicrës.

Por Organizata Botërore e Shëndetësisë e ndryshoi qëndrimin e saj në qershor të këtij viti. Më saktësisht, në datën 5 Qershor udhëzimet ndryshuan dhe një mesazh tjetër erdhi nga ekspertët e shëndetësisë. Maska u këshillua edhe për ambjente ku virusi transmetohej në komunitet kryesisht për të moshuarit, mbi 60 vjeç apo ata që ndodhen në ambjente ku distance fizike është e pamundur, në autobuzë, dyqane, apo në ambjente ku ka grumbullim.

“Mos mbani maska! Nuk ju mbrojnë!”

Në muajt e parë të pandemisë mesazhet e autoriteteve ishin se maskat nuk të mbronin nga virusi. Mjeku Pëllumb Pipero gjatë një interviste në emisionin Opinion e bëri të qartë se maskat që njerëzit mbanin në rrugë nuk të mbronin nga virusi dhe se kjo ishte e panevojshme.

“Përdorimi i maskave dhe dorezave, në rrugë siç i shohim çdo ditë, apo në majë të biçikletës apo ku di unë, nuk ka asnjë lloj vlere. Nuk ka! Nuk ka asnjë lloj vlere” deklaronte Pipero.

Për ta përforcuar deklaratën e mjekut, kryeministri Rama, në mars e theksoi në parlament sërish tha se mbajtja e maskave ishte e panevojshme. “Maskat nuk mbrojnë, mos harxhoni lekë për maskat” ishte thirrja e Ramës për qytetarët.

Më pas në një status në Facebook, Rama e bëri të qartë se “për ata qe nuk janë të sëmurë, nuk janë duke trajtuar një të sëmurë apo nuk punojnë në një mjedis me shumë njerëz, maskat janë jo vetëm të padobishme, po edhe të dëmshme sepse ulin vigjilencën tonë në zbatimin e rregullave bazë”. 

Për të bindur ndjekësit e tij, Rama citoi edhe një virolog italian, Fabrizio Pregliasco që thoshte se: “Maska nuk është e nevojshme nëse nuk jeni pozitiv. Po përdoret kot! Për shembull, po përdoret në supermarket sepse ekziston frika nga afërsia e tjetrit, por është e kotë. Mjafton të mbani distancën prej të paktën një metër. Jo vetëm po e përdorni kot, po edhe mund t’ju dëmtojë sepse me maskë dhe doreza, ju jeni të prirur që të bëni marrëzira: prekni gjërat me doreza dhe më pas prekni gojën me doreza duke menduar se jeni i qetë. Por nuk janë duart problemi, problemi është ku i vendosni duart. Ekziston rreziku që të ulni nivelin e vigjilencës dhe mbrojtjes”.

Pse gënjyen?

Por si i arsyetonin ekspertët e OBSH këshillat për të mos e mbajtur maskën në publik gjatë ditëve të pandemisë? Duket se Organizata Botërore e Shëndetësisë në muajin mars mori sinjale se mjetet mbrojtëse për mjekët po pakësoheshin në treg. Kështu, në deklaratat e para që e zhvlerësonin rëndësinë e maskës në rrugë, përsëritej vazhdimisht fakti se prioritet i pandemisë ishin mjekët.

“Është problem që të kemi probleme me sasinë e maskave në qarkullim. Në këto moment, njerëzit më të rrezikuar nga virusi janë punonjësit shëndetësorë që janë në frontin e parë, pasi janë të ekspozuar përkundrejt virusit çdo sekondë të ditës. “Vetëm mendimi që atyre mund t’i mungojnë maskat çdo sekondë të ditës është i tmerrshëm” deklaronte Majk Rajan Drejtor Ekzekutiv i OBSH-së në lidhje me furnizimin me maska apo mjete të tjera mbrojtëse..

Mjekja, Maria Van Kerkhove, një infeksioniste pranë OBSH deklaronte se ishte shumë e rëndësishme “që t’i jepej prioritet përdorimit të maskave për ata që kanë më shumë nevojë”, që në këtë rast ishin mjekët që trajtonin të sëmurët me covid.

“Në komunitet, ne nuk e rekomandojmë përdorimin e maskës, vetëm nëse nuk je vetë i sëmurë si një masë për parandalimin e përhapjes së virusit nga ty nëse je i sëmurë” thoshte Kerkhove. “Maskat që ne rekomandojmë janë për njerëzit që janë në shtëpi dhe që janë të sëmurë dhe për ata individë që janë të sëmurë në shtëpi” tha ajo.

Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë e theksonin qartësisht në mars se kishte mungesë të mjeteve mbrojtëse në rang botëror për mjekët. “Duhet të jemi të qartë” tha Van Kekrhove “Bota po përballet me mungesë të mjeteve mbrojtëse për mjekët-përfshirë këtu edhe mungesën e maskave dhe dorezave- dhe mbrojtja e mjekëve duhet të jetë prioritet në këtë periudhë pandemie”.

Skenari shqiptar

Shifrat në Shqipëri janë në kulmin e tyre. Numri i vdekjeve i ka arritur në mbi 400. Numri i infeksioneve ka ruajtur një trend deri diku të njëjtë me më pak se 200 të prekur në ditë, por sipas një politike testimesh të kufizuara, ndërkohë që problem më i madh mbeten kapacitetet spitalore.

Numri i të shtruarve në spitale është mbi 240 pacientë që kanë nevojë për trajtim mjekësor dhe ky është numri më i madh i të shtruarve në vend që nga nisja e pandemisë. Spitalet janë mbushur në maksimum. Qeveria premtoi dy spitale të tjera Covid, por siç duket kjo ka qenë propagandë e pastër, pasi asnjë prej tyre nuk është hapur. Shqipëria nuk ka më përsonel mjekësor të përballojë trajtimin e më shumë të sëmurëve. Në vend të kësaj, u mor vendim për mbajtjen e maskave me detyrim në publik, si hapi i fundit para rikthimit të karantinës, që do të ishte asfiksues për ekonominë.

Ku bazohet sot rekomandimi për maskat?

Ndryshimi i rekomandimeve për mbajtjen e maskave zyrtarisht u ndryshua pas këshillimit me ekspertë botërorë në bazë të të dhënave të përgjithshme të reagimit ndaj virusit. Sipas këtyre të dhënave mbrojtja e fytyrës në popullsi kishte efekte në përhapjen më të pakët të virusit.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot e konsideron maskën një mjet për parandalimin e përhapjes së virusit. Kjo bazohet në studime dhe eksperimente që, sipas mediave të huaja, tregojnë se shpërndarja e virusit bëhet më e vështirë nëse përdoret një maskë. Prova më e qartë janë shifrat nga skenari botëror i pandemisë. Të dhënat epidemiologjike në atë që ekspertët e quajnë “eksperimenti i natyrës” dëshmon për efektet e përdorimit të maskës. Një studim tregoi ndryshimin e shifrave të infeksionit para dhe pas përdorimit të maskës në 15 shtete të SHBA. Rezultati ishte se përdorimi i maskave çon në uljen e ritmeve të përhapjes së virusit. 5 ditët e para shifrat e infeksionit ranë me 0.9%, ndërsa pas 3 javësh ranë me 2%. Një studim tjetër vëzhgoi shifrat e vdekjeve në 198 shtete dhe doli në përfundimin se ato me kulturë apo politika qeveritare në favor të përdorimit të maskave, kishin më pak viktima nga koronavirusi.

Gjithsesi “vetëm maska, nuk do t’ju mbrojë nga virusi” thonë ekspertët, ndaj për masat e tjera, si larja e duarve dhe respektimi i distancës, duhet të qëndroni njësoj të kujdesshëm./Lapsi.al

Share: