Home KRYESORE Mik i afërt me ish-ministrin e Ramës, arrestohet sapo zbret në Rinas

Mik i afërt me ish-ministrin e Ramës, arrestohet sapo zbret në Rinas

Pòlicia e Tiranës ka vënë në pranga ish-drejtorin e OST-së Klodian Gradeci, i cili ka qenë njëherësh dhe kreu i hidrokarbureve në Agjensinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN).

Gradeci, u arratis drejt Turqisë një ditë para se të mbahej aksioni i Policisë për arrestimin e gjashtë zyrtarë të AKBN-së, të cilët i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej dy milionë eurosh. Ai akuzohet se ka favorizuar dy biznesmenët Isuf Berberi dhe Naim Kasa, të cilët kanë marrë para nga shteti dhe nuk kanë kryer investime në puset e naftës, për tëcilat ishte nënshkruar marrëveshja.

Gradeci mësohet se është arrestuar në Rinas, menjëherë pasi është kthyer nga Turqia, ku ndodhej që prej 5 Tetorit, një ditë para aksionit të prokurorisë dhe Policisë për kapjen e zyrtarëve të AKBN-së, që janë të përshirë në këtë çështje.

Për ngjarjen vijon që të mbetet në kërkim biznesmeni Isuf Berberi, vendodhja e të cilit mbetet ende një mister, duke i shpëtuar kështu për disa kohë drejtësisë shqiptare.

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit pòlicor të koduar “Akciza”, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””, njofton Policia e Tiranës.

Gradeci, i cili ka mbajtur postin e drejtorit të Hidrokarbureve, duket se nuk e ka aspak të pastër CV-në e tij sa i takon skandaleve, dhe hijeve korruptive, që për çudinë e të gjithëve, e sigurisht për fatin e tij të mirë, duket se ka mundur që të shpëtojë deri tani pa asnjë gjemb në këmbë, kjo edhe për lidhje shumë të forta me një prej ish-ministrave të qeverisë së Edi Ramës. (Lexo lajmin ne Faxweb.al)

Emri i Gradecit nuk është i panjohur, pasi teksa mbante më herët detyrën e drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), dha dorëheqjen pas skandalit me DH Albania, një kompani fantazmë e cila fitoi tenderin prej 12 milionë eurosh për linjën e transmetimit të energjisë Burrel-Peshkopi.

Theksojmë këtu se e njëjta kompani falsifikoi dokumentet si e regjistruar në shtetin Delaware në Shtetet e Bashkuara dhe fitoi tenderin 20 milionë euro të Unazës së Madhe, gjë që çoi vetëm në hetimin e një personi të dorës së dytë, edhe pse dyshimet ishin se pas kësaj megaafere të qendronte kompania Gener 2 në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj.

Pasi skandali mori përmasa të mëdha asokohe, Gradeci u largua nga detyra që mbante, dhe vetëm pak kohë më pas iu besua një tjetër detyrë të rëndësishme, në krye të AKBN, ku tashmë do të vendoset para drejtësisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

(E.K/Faxweb.al)

Share: