Home KRYESORE POETIKA E RITA PETROS ËSHTË BLASFEMI FILOZOFIKE DHE POETIKE

POETIKA E RITA PETROS ËSHTË BLASFEMI FILOZOFIKE DHE POETIKE

Nga Shaban Murati

Arti në vetvete është blasfemi, guxim për të shkelur kufijtë e shoqërisë dhe të kohës së caktuar, guxim për të zhbiruar të mirën dhe të keqen, të ndaluarën dhe të paparashikuarën, të bukurën dhe të keqen, moralin dhe perversitetin, për të zbuluar kufijtë e rij të çdo kategorie të mësipërme. Poetika e Rita Petors është blasfemi filozofike dhe poetike.

Është një kërkim i guximshëm artistik në koshiencën dhe subkoshiencën e njeriut. Poetja ka meritën artistike, që nuk e ndan subkoshiencën nga koshienca, siç kanë bërë shumë poetë e shkrimtarë, që unikalizojnë subkoshiencën. Poezia e saj e zbërthen dhe e trajton subkoshencen si pjesë të identitetit shpirtëror të njeriut, të ekzistencës së tij trupore e shpirtërore, në një lidhje ombelikale me koshiencën.

A është gati shoqëria, norma apo kodi bashkëkohës ta pranojë këtë? Arti nuk bën kompromis dhe poetja krijon botën e saj poetike të pacak në një tunel kërkimi artistik tokësor dhe kozmik, ku sheh vetëm yllin polar të shpirtit dhe të mishit. Ajo ka një vizion fantastik shekspirian apo eskilian të shpirtit, të trupit dhe të mendjes së njeriut . Një metamorfozë e mrekullueshme poetike e rrugës jetësore të njeriut, e rrallë jo vetëm në letrat shqipe, përshkon poemën e saj “Poema e fundit për dashurinë”. Që nga “fetusi që ka të drejtë të mendojë” e deri tek shpirti, që gjen lirinë te trupi i robëruar apo i çliruar, që “ndjen energjinë e Zotit, që në honin e misterit më përthith”, vjen rrugëtimi historik i shpirtit të trazuar, që kërkon shpëtimin, besimin dhe lirinë e tij te pakufishmëria e shpirtit dhe e trupit.

Zhbirimi i subkoshiencës do ta çonte poezinë e Rita Petro edhe te reflektimet shumëvalente të kompleksit antik të Edipit. Mund të mos jesh dakord me konceptin filozofik dhe etik të poetes në poemën e saj rrënqethëse “Legjenda e motrës dhe e vëllait”, por ajo duhet parë në spektrin e kërkimit të pandalshëm shpirtëror dhe trupor, në të cilin buron mendimi i saj poetik. Në një këndvështrim ajo ecën në rrugë të gabuar, në një këndvështrim tjetër ecën në rrugën e kërkuar. Poetja e sheh artin si liri, qoftë dhe në rrugën e papranuar nga kodet kontemporane artistike, etike dhe juridike. Poeten e shqetëson kërkimi poetik në vetvete dhe çlirimi i shpirtit dhe i trupit. Çdo gjë njerëzore përtej kufijve të guximit i shërben si instrument artistik për mesazhe përtej kohrave dhe botës së pamendueshme, që ajo synon të krijojë dhe të transmetojë me artin e saj poetik.

Poezia e Rita Petros është një poezi tronditëse, e pazakontë, me një figuracion dhe forcë shprehëse artistike të rrallë në poezinë e sotme shqipe, që e bën atë një nga idividualitetet më origjinale të artit poetik shqiptar. Është një art poetik i së sotmes dhe i të ardhmes.

Në qendër të poetikës të saj është misteri i gruas, së cilës i kanë kënduar mijra poetë në të gjitha kohërat dhe kontinentet, por që ka mbetur i pazbërthyer. Është një mister, të cilit mund t’i afrohen drejt thelbit vetëm gratë poete. Dhe Rita Petro është shembull i rrallë i pakrahasueshëm i forcës poetike, shpirtërore dhe filozofike, për të zbërthyer misterin e gruas, të mishit, të mëkatit dhe të enigmës mijëravjeçare, që është e pakufishme në kufijtë e ngushtë të trupit apo të një pjese të tij. Kemi artin e fuqishëm poetik, që kërkon të dëshifrojë njeriun, trupin dhe mendjen e tij, si një mister që vjen nga e panjohura, nga kozmosi dhe nga toka, nga ajri dhe nga mishi, nga mendimi dhe nga shpirti.
Shaban Murati

Share: