Home Gjeo-Ekonomia Taksat e rënda mbi shtresën e mesme/ Puna e tyre taksohet me...

Taksat e rënda mbi shtresën e mesme/ Puna e tyre taksohet me 23%, më e lartë edhe se milionerët

Ndryshimet e shpeshta në sistemin tatimor kanë krijuar një pabarazi në pagesën e taksave, veçanërisht në drejtim të individëve. 

Për pagat nga 30,001 deri në 150 mijë lekë punonjësit tatohen me 13%, ndërsa ato mbi 150,001 lekë tatohen me 23%. E teksa individët paguajnë ndjeshëm më shumë tatim mbi të ardhurat personale e kontributet sociale, të pasurit nga ana tjetër duken më të favorizuar.Ulja e dividendit nga 15% në 8% është shembulli konkret që pasqyron edhe pabarazinë e krijuar tashmë përmes taksave.

Janë në total rreth 17 mijë tatimpagues në të gjithë vendin sipas të dhënave të Ministrisë së Financave që paguajnë aktualisht një normë prej 23% tatim mbi të ardhurat personale, ndjeshëm më e lartë se mesatarja e rajonit prej 16.9%.
Por, si renditet konkretisht Shqipëria në raport me rajonin sa i takon taksimit mbi të ardhurat? 

“Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon të tatimit mbi pagën. Në Serbi, Bosnje Hercegovinë dhe Maqedoni, tatimi mbi pagat është i sheshtë me 10% për të gjitha kategoritë, ndërsa Kosova ka tatim progresiv që nis nga 0, 4, 8, dhe niveli më i lartë arrin në 10%, duke e bërë vendin me tatimin më të ulët të pagës në rajon. Ndërsa në Malin e Zi, ka dy pragje të tatimit mbi pagën përkatësisht 9 dhe 11%.”

Me këto modele taksimi duket qartë që politikat e vendeve të rajonit shkojnë në linjë me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për një taksim të sheshtë për tatimin mbi të ardhurat personale. 

E teksa debati për taksë të sheshtë apo progresive është rikthyer sërish jo vetëm në radhët e politikanëve por edhe në atë të ekspertëve, mbetet për t’u parë se cilat do të jenë ndryshimet e paketës fiskale 2021 në këtë drejtim, të paralajmëruara tashmë edhe nga vetë kryeministri Edi Rama. 

Top Channel

Share: