Home Gjeo-Ekonomia Voltana Ademi: Gjermania ne mbështetje te Shkodrës

Voltana Ademi: Gjermania ne mbështetje te Shkodrës

Ishte kënaqësi për mua të prisja sot në Dajç në Shkodër, Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë z. Peter Zingraf, në një aktivitet të përbashkët inagurimi të bashkëpunimit për mbështetjen e komunitetit vendor në drejtimin e punësimit sezonal, përmirësimit të infrastrukturës bujqësore dhe minimizimin e efektit të përmbytjeve përmes konceptit punësim për punë publike.

Për ne është shumë e rëndësishme që këtë nismë e keni testuar me qytetin tonë që në vitin 2017, jo vetëm për vetë ndikimin e madh që përmbytjet dhe ndryshimet klimatike kanë tek ne, por edhe për numrin e madh të emigrantëve që kemi, fenomen i cili deri diku i atribuohet edhe efektit të pamatë të përmbytjeve gjatë viteve në ekonominë lokale bujqësore.Që atëherë, nisma “PARA PËR PUNË PUBLIKE” është kthyer në një ritual të përvitshëm. Në 2019- ën, vit në të cilin ne nuk arritëm të siguronim mbështetjen e qeverisë gjermane, bashkia me financat e veta pati mundësinë ta replikojë këtë nismë në 2 njësi administrative të Bashkisë së Shkodrës.

Sot kemi parë së bashku rezultatet e para të punës për këtë vit, vit në të cilin kemi punësuar 214 punëtorë në 8 njësi administrative të cilat ndikohen më shumë nga fenomeni i përmbytjeve dhe emigrimit, dhe të cilat kanë numrin më të madh të familjeve në ndihmë ekonomike. Janë afërsisht 200 km kanale kulluese të dyta dhe ty treta që po pastrohen me punën e palodhur të këtyre njerzve të mrekullueshëm, të cilët përveç kontributit të madh që po japin për punë publike që i shërbejnë gjithë komunitetit, kanë mundësinë të përmbushin sadopak nevojat ekonomike të tyre dhe familjeve të tyre. E tashmë në prag të fundvitit, kjo mbështetje merr edhe një atribut social të rëndësishëm.

Në emrin e banorëve të bashkisë tonë, dua të falenderoj nga zemra qeverinë gjermane, për këtë mbështetje jo të zakonshme dhe njëkohësisht t’i shpreh kërkesën për vazhdimësinë e kësaj nisme për vetë efektin që ajo ka në:• ekonominë e brishtë të zonës së Shkodrës, • në mbështetjen e bujqësisë si sektori më jetësor në këtë zonë,• në minimizimin e emigracionit të familjeve pa mundësi punësimi, • në efektin e përmbytjeve si dhe• në mbrojtjen e mjedisit.Sigurova Ambasadorin Zingraf, qeverinë gjermane dhe GIZ-në që çdo mbështetje në këtë zonë ka një ndikim shumëdimensional social, ekonomik e mjedisor. Gjithashtu shpreha gadishmërinë e bashkëfinancimit të kësaj nisme për vitet më pas, me qëllim shtimin e numrit të përfituesve dhe arritjen e një ndikimi më të qënësishëm.

Bashkëpunimi për zhvillimin e komunitetit gjithmonë është një vlerë avantazhuese e pozitive e Shkodrës. Falenderoj Ambasadën e Gjermanisë, agjensinë gjermane të zbatimit të projekteve të qeverisë gjermane GIZ, përfaqësuesit dhe teknicienët e projekteve KLIMA- “Para për punë publike” dhe DIMAK Albania – “Promovimi i punësimit të të kthyerve nëpërmjet angazhimit në punë publike në Bashkinë e Shkodrës”, si dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Ujësjellës -Kanalizime Shkodër, dhe Njësinë Administrative Dajç për zbatimin në territor të kësaj nisme.Gëzuar tetorin Gjerman! Për mua ishte kënaqësi ta festojmë së bashku këtu në Shkodër, duke promovuar këtë bashkëpunim dhe duke takuar njerëzit e mrekullueshëm.

Share: