Nga Manjola Bregasi-
Afrimi i dimrit dhe rritja e shifrave të infektimeve nga Covid në të gjithë botën, qartazi po i japin fund dukjes së rreme të kthimit në normalitet.
Masat shtrënguese nisën të shfaqen sërish, në dilemat ekzistenciale të mbylljes që do të reduktojë infektimet për të shpëtuar spitalet dhe kostos ekonomike, që rrezikon të lërë sërish mijëra të papunë e të varfër.
Ndërsa Greqia vendosi të mbyllë shkollat, Austria mori vendimin për një mbyllje të plotë të vendit deri më 6 Dhjetor. Nga ana tjetër, Ministri Gjerman i Ekonomisë foli për një mbyllje 4-5 mujore, si një kusht për t’i shpëtuar infektimeve të larta që do të rrezikonin kolapsin e sistemit shëndetësor.
Thonë se të gjithë po përpiqen të bëjnë më të mirën. Kam përshtypjen që edhe ne. Edhe politika jonë. Po bën atë që di të bëjë më mirë.
Për fat, (të mirë apo të keq) sfida për të përballuar pandeminë e një herë në 100 vite, bashkohet në Shqipëri me sfidën për t’u përballur me zgjedhjet e 1 herë në 4 vite, e duket se peshorja aspak rastësisht, po anon nga këto të fundit.
Për fat (të mirë apo të keq) para se të mbërrijnë në zgjedhjet e Prillit shqiptarët do duhet të përballen me dimrin, që sipas ekspertëve do të jetë i vështirë. Dhe “lufta” ka nisur. Më shumë se sa me vetë armikun e padukshëm, sikurse Kryeministrit i pëlqen ta cilësojë, lufta ka nisur në kampet politike, ku fjalët dhe premtimet hidhen e priten, ku retorika vërtitet e rimerret rreth pandemisë, por ku duket se “shënjestra” shkon deri në Prill.
Nëse nuk do të ishte kështu, përse qeveria do të ishte kaq e interesuar që me montazhe reale a propagande qofshin, të na tregonte se spitalet janë shumë më mirë nga sa thuhen?
Nëse nuk do të ishte kështu, përse opozita do të kundërshtonte çdo vendim të qeverisë, me të vetmin argument se kur ajo të vijë në pushtet do jetë shumë më mire se kaq?
Video, akuza, statuse e replika në rrjetet sociale janë angazhimi më i madh i politikës shqiptare sot, ku të gjithë po përpiqen të na bindin për të kundërtën e asaj që jetojmë dhe shohim çdo ditë.
Nga një anë qeveria, që na thotë se nuk kemi mungesa në mjekë, se kemi aq skanera sa na duhen, se nuk na duhet të paguajmë shifra të papërballueshme për të kaluar Covidin, se kemi reparte të mirëpajisuarara dhe mjekë mjaftueshëm. Në anën tjetër opozita, që thotë se ka një plan shumë më të mirë, por që e vetmja fjali e ngulitur e këtij plani është: shtimi i testimeve.
Mes tyre janë qytetarët, që herë marrin shërbim e herë jo, që hidhen nga dritaret e spitaleve për arsye ende të paqarta, që ja dalin e nuk ja dalin ekonomikisht, që të panikuar ose jo, ndjehen çdo ditë e më pak të përfaqësuar.
Kur Kryeministri të thotë çudira të tipit: opozita është aleat me covidin dhe kur kryetarja e një partie opozitare del hapur kundër përdorimit të maskës, të besosh atë që është e vërtetë po bëhet gjithmonë e më e vështirë.
Sigurisht më shumë se nga opozita vëmendja është e kthyer nga qeveria, ajo që ka në dorë vendimet dhe zbatimet e tyre. Ajo që ka gjithashtu edhe përgjegjësinë e asaj që do të ndodhë më pas. Për fat të keq, kjo përgjegjësi tashmë ka një kosto të lartë, që nuk llogaritet me euro tenderash, por me jetë njerëzore që më shumë se sa akuza dhe batuta të zgjuara kërkon përgjegjshmëri. Të paktën një herë!/Opinion.al