Zyrtarë të NATO-s nuk pranuan të komentojnë deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt si në Nagorno Karabak, nëse përpjekjet për paqe dështojnë.
Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se si e sheh NATO paralelen që ka tërhequr Vuçiç midis Kosovës dhe Nagorno Karabakut, nga selia e aleancës ushtarake thanë se “misioni i KFOR-it [në Kosovë], i udhëhequr nga NATO-ja, mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e mandatit nga Kombet e Bashkuara, për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.
“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha një zyrtar i NATO-s në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Vuçiç tha të enjten se zgjidhja më e mirë e mundshme midis Serbisë dhe Kosovës është përmes dialogut, në të kundërtën, sipas tij, mund të ndodhë ndonjë konflikt i llojit të Nagorno Karabakut.
Deklarata nxiti reagime të ashpra nga autoritetet e Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, tha se pret që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të reagojnë ndaj “kërcënimit” të Vuçiçit për “luftë të dhunshme”, ndërsa kryeministri Avdullah Hoti tha se deklarimet e presidentit të Serbisë nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Konflikti në Nagorno Karabak
Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por qeveriset nga armenët etnikë, me mbështetjen e Qeverisë armene. Luftimet për kontrollin e këtij rajoni kanë shpërthyer qysh më 27 shtator, ndonëse këtë javë është shpallur një marrëveshje për armëpushim.
Një luftë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për këtë rajon ka përfunduar në vitin 1994 me armëpushim, por pa marrëveshje të paqes. “Konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”, tha të enjten Vuçiç./REL