Nga Prof. Majlinda Ikonomi
Çdo fund viti sjell padashur tek gjithsecili prej nesh një grup emocionesh që përzihen me njëri-tjetrin në formën e trishtimit, entuziazmit, keqardhjes, çlirimit…Në fakt besoj se për të gjithë ne viti që po kalojmë e pothuajse jemi drejt fundit ka qenë një vit për tu mbajtur mend…dhe kjo sidomos për mjekësinë e shkencën mjekësore.
Anatomia Patologjike që në botën perëndimore njihet si “Patologjia” është një specialitet mjekësor pak i njohur por mjaft i nevojshëm për pacientin, sistemin shëndetësor e politikat shëndetësore.
Historia e Anatomisë Patologjike dhe mjekësisë laboratorike ka një të kaluar të pasur e cila natyrisht kur e mendon të bën pa diskutim entuziast. Historia jonë fillon që 400 BC në kohën kur Hipokrati studionte patologjinë e kolonës vertebrale të njeriut, vazhdon me Rudolf Virchow që i dha sy mjekësisë për të parë në thellësi indet e trupit tonë gjatë sëmundjeve e vazhdon me një histori të gjatë e të ndritur shkencëtarësh e mjekësh. Dhe ndjejmë trishtim pasi Juan Rosai “më gjenerozi,” dhe “konsultuesi më i mirë” autori i librit të ashtuquajtur botërisht “bibla e patologëve” që formëson anatomo-patologët në të gjithë globin, nuk është më mes nesh këtë vit.
Në shekuj që nga ngjizja e profesionit tonë e deri më tani padyshim dija është më e madhe dhe ekspertiza jonë vazhdon e zgjerohet. Ndërsa në antikitet anatomo-patologu ishte njëkohësisht edhe kirurg apo klinicist, e puna niste me studimin e kadavrave tashmë anatomo-patologu është një specialist i dedikuar dhe fokusuar tek pacienti dhe sëmundjet e tij sidomos në një patologji të rëndësishme siç është kanceri.
Tashmë që sistemi shëndetësor gjithmonë e më shume po zhvendoset tek kujdesi i bazuar tek vlerat ne si anatomo-patologë kemi kuptuar që ndonëse kemi një histori të limituar të komunikimit me pacientin duhet të përfshihemi me pacientin në mënyrë që të përmirësojmë sistemin shëndetësor. Varet nga ne që të udhëheqim këtë përpjekje dhe duhet të fillojë me ne që të kuptojmë pacientin prapa xhamit dhe fletës që ekzaminojmë.
Për çdo pacient e familjar pacienti është e rëndësishme të kuptojë analizat laboratorike që i bëhen në mënyrë që të ndjejë që po merr shërbimin e duhur në kohën e duhur. Ky është një parim i përgjithshëm në lidhje me atë që ne e quajmë “ siguria e pacientit”.
Ka ardhur koha që të flasim e të dëgjohemi
Pse anatomo-patologët janë të panjohur?
Në fakt nëse do të inkurajoja veten dhe kolegët e mi mjafton të kujtoj që kolegët tanë të specialiteteve të tjera na kanë quajtur “heronj të heshtur”. Pavarësisht kësaj ka një sërë arsyesh pse profesioni ynë nuk është shumë i zëshëm tek pacienti dhe publiku i gjerë.
Në shumicën e rasteve përgjigjet e biopsive rrallë bien në duart e pacientëve. Kjo kulturë komunikimi me pacientin ka ndryshuar vitet e fundit, kryesisht si një formë e ndarjes së përgjegjësisë së mjekut klinicist veçanërisht për rastet e vështira dhe jo kollaj të menaxhueshme.
Nga ana tjetër kur klinicisti komunikon me pacientin për diagnozën e sëmundjes së tij shpesh ai thotë “ laboratori” dhe jo anatomo-patologu e diagnozën e vendosur prej tij. Si pasojë edhe pacienti e imagjinon “laboratorin” si një kuti ku futen e dalin analizat.
Për të përgatitur një material (indor apo qelizor) të marrë nga pacienti (me operacione, endoskopi, punksione, kirurgji të vogla apo kyretazhe) nevojiten pajisje, solucione e grup njerëzish që punojnë vetëm mbi një pacient për afërsisht një javë rresht deri sa mjeku anatomo-patologu të ekzaminojë në mikroskop e të vendosë diagnozën. Pra “ laboratori” është në fakt një shërbim kompleks i përbërë nga njerëz mjaft të kualifikuar e me njohje të gjera e të thella të dijes mjekësore e me një staf teknikësh laboratorikë tepër të specializuar.
Mjekësia është një profesion i veçantë jo vetëm për atë që bën për shëndetin e pacientin por edhe për dimension njerëzor e marrëdhënien me njeriun që e ka të pandashëm në çdo moment të ushtrimit të këtij profesioni.
Në një nga kontaktet e pakta me një paciente më kujtohet që ajo ishte diagnostikuar me kancer gjiri pothuaj në të njëjtën kohë që burri saj kishte pësuar një atak kardiak. Ai për fat te keq nuk ia doli dot ( sa shumë dhimbje e keqardhje ndiejmë në çdo ditë të punës sonë…) ndërkohë që ajo bëri operacion, seanca kimioterapie e radioterapie. Në këtë takim unë i shpjegova asaj diagnozën e saj dhe pse ajo duhej të bënte të gjitha ndërhyrjet e mëpasshme. Më pa me çudi tek sa rrija dhe I flisja përtej mikroskopit, madje u afrua dhe filloi të shikonte imazhet e sëmundjes së saj dhe më tha: “ A mund të kem një foto të kësaj ? “ Ai imazh shfaqet si një pikturë me ngjyra rozë e blu, që kur nuk je anatomo-patolog në një dritë të bardhë thjesht të duket e bukur dhe mistike. Pasi ngriti nga sytë nga mikroskopi tha: “ e dua këtë foto ti kujtoj vetes se jeta është e bukur dhe ia vlen të luftosh”
Me zhvillimet në onkologji dhe imuno-onkologji e trajtimet e targetuara për pacientët roli i anatomo-patologëve po bëhet më i dukshëm dhe gjithëpërfshirës. Mjaft prej këtyre trajtimeve nuk kryhen dot nëse ekzaminimet e sofistikuara anatomopatologjike tregojnë që bëjnë efekt apo jo. Në këtë mënyrë anatomo-patologu nëpërmjet diagnozës së tij jo vetëm përcakton çfarë sëmundje pacienti ka, çfarë trajtimesh mund të ndiqen por edhe nëse terapi të caktuara do të jenë efektive apo jo.
“Të dish çfarë do të thotë diagnoza, cilat parametra janë pozitivë, e cilët më problematikë dhe të dish pse disa ekzaminime shtesë janë përdorur mendoj që i bën pacientët te ndiejnë që janë më në kontroll”.
Anatomo-patologët luajnë një rol të rëndësishëm në kujdesin ndaj pacienti -nga diagnoza tek trajtimi e më tej. Por pavarësisht kësaj pak njerëz janë të ndërgjegjshëm për këtë disiplinë. Të dish më shumë për ekzaminimet anatomo-patologjike e forcon më shumë pacientin, përmirëson shëndetin dhe komunikimi patolog- pacient pasuron jetën e të dyve…. prandaj anatomo-patologët duhet ta duan këtë marrëdhënie.
Një formë e re e kujdesit për pacientin
Kur përpiqem të luftoj kundër mitit që anatomo-patologu është vetëm mjeku që punon në një dhomë i mbyllur me mikroskopin e tij dhe lamat e indet e pacientit e kthej vëmendjen tek komunikimi.
Është e vërtetë që ka një vend edhe për ne si mjekë për komunikimin me pacientin, ashtu sikurse kemi një vend të pazëvendësueshëm në edukimin mjekësor me një ndër lëndët më thelbësore të fakultetit të mjekësisë si Anatomia-Patologjike, dhe sikurse kemi zënë vendin tonë të rëndësishëm në një formë të re të kujdesit ndaj pacientit që është stafi multidisiplinar (SMD). Stafi multidisiplinar është shprehje e një kujdesi bashkëpunues për pacientin nga një grup mjekësh specialistë, të specialiteteve të ndryshme me qëllimi diagnostikues dhe terapeutik kolektiv, për menaxhimin e individualizuar të pacientit . Kanceri i gjirit është një ndër shembujt e parë të menaxhimit multidisiplinar të kancerit. Një SMD i kancerit zakonisht përbëhet nga anatomo-patologë, kirurgë, onkologë mjekësorë e radioterapeut, imazheristë, e infermier. Studimet kanë treguar se SMD rrisin respektimin e protokolleve, nxisin mjedise më të mira për mësimdhënie dhe përmirësojnë përgjegjshmërinë ndaj pacientit. Etika jonë e punës na bën të orientuar drejt arritjeve dhe siguron që jo vetëm të vendosim qëllime për veten dhe SMD-të tona, por edhe t’i arrijmë ato. Për të qenë anëtarë të mirë të ekipit, ne duhet të zhvillojmë të gjitha këto aftësi – dhe duhet të qëndrojmë të vetëdijshëm dhe të sigurojmë që gjithmonë të dëgjojmë kolegët tanë dhe të marrim vendime si një njësi e vetme, në vend të një duzinë mjekësh të ndryshëm.
Ne nuk jemi mjekë të mjekëve
Komunikimet ndër personale me pacientë dhe mjekë nuk janë i vetmi ambient jashtë laboratorit ku aftësitë tona kanë vlerë. Unë e shikoj veten tonë edhe si kujdestarë të shërbimit mjekësor. Nëpërmjet ekzaminimeve tona ne mund të kuptojmë nëse në një pacient janë kryer apo jo ndërhyrjet e përshtatshme apo ka nevojë për ekzaminime apo testime të mëtejshme. Dhe kjo jo vetëm për pacientë të veçantë por për të gjithë popullsinë. Tashmë lufta kundër kancerit ka në themel të saj programet e organizuara të zbulimit të hershëm siç janë ato të kancerit të qafës së mitrës, kancerit të gjirit dhe kancerit të zorrës së trashë. Këto fushata nuk mund të jenë të suksesshme pa një strukturë anatomo-patologjike të përshtatshme dhe nuk mund të realizohen pa mjekun anatomo-atolog, nëpërmjet ekzaminimit të pap testeve, të biopsive të gjirit tek gratë që kanë probleme në mamografinë depistuese apo të biopsive te polipeve të zorrës që zbulohen gjatë kolonskopisëdepistuese. Është në detyrën tonë të ofrojmë një shërbim cilësor e të ngremë strukturat tona të kontrollit të brendshëm e të jashtëm të cilësisë për të bërë programe të tilla shëndetësorë të jenë të suksesshme në popullatë.
Së fundmi Shërbimet e anatomisë patologjike kanë një vlerë të madhe që janë “ të dhëna të rëndësishme për kancerin”. Nga arshivat tona mund të nxirren të dhëna e bëhen studime që i japin vlerë ekosistemit tonë shëndetësor. Menaxhimi i shëndetit të popullatës na ofron ne si anatomo-patologë një mundësi të mrekullueshme për të përdorur jo vetëm aftësitë tona diagnostikuese por edhe ato të mësimdhënies, administrative e të lidershipit të përfituara nga aktiviteti ynë mjekësor. Ajo na ndihmon të rrisim influencën tonë përtej “zyrave tona të diagnozë” drejt komuniteteve për kujdesin shëndetësor. Është një mundësi e mirë për të punuar së bashku më mjekë të specialiteteve të tjera që popullatat në risk janë duke u testuar në mënyrë të rregullt për sëmundjet tumorale dhe çfarë impakti ka ky kontroll në shoqëri.
***
Majlinda Ikonomi është Shefe e Shërbimit të Anatomisë Patologjike, Qendra Spitalore Universitare “ Nënë Tereza”