Home KRYESORE Lleshaj: Denonconi të infektuarit me COVID-19 që thyejnë karantinën

Lleshaj: Denonconi të infektuarit me COVID-19 që thyejnë karantinën

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u bëri sot një apel qytetarëve që të zbatojnë masat antiCOVID si dhe kërkoi ndihmën e tyre dhe medias për të bashkëpunuar në identifikimin dhe denoncimin e personave të prekur me COVID-19 që thyejnë karantinën duke u kthyer në rrezik për të tjerët.

“Policia do vijojë të qëndrojë në terren ndërkohë që unë gjej rastin t’i bëj thirrje qytetarëve për bashkëpunim. Është me rëndësi jetike që këtë sakrificë të madhe ta vazhdojmë edhe në këtë periudhë të mbetur që po shkurtohet. Është me rëndësi që çdo qytetar të bëjë pjesë e tij, të kufizojë lëvizjet që nuk janë të domosdoshme. Duhen kufizuar daljet e panevojshme që të ulim riskun e infektimit. Policia dhe institucionet e tjera do të angazhohen në zbatim të aktit normativ. Shifrat tashmë janë ato që njihni dhe monitorimi fizik i tyre nuk është aq e thjeshtë. Po punojmë për monitorimin e tyre. Gjej rastin t’i bëj thirrje kujtdo që konstaton persona të infektuar që dalin jashtë, edhe median që të ngrenë çështjen përmes një denoncimi pranë Policisë së Shtetit në mënyrë që t’i parandalojmë ata për t’u bërë rrezik publik”, deklaroi Lleshaj.

Lleshaj u ndal edhe në çështjen e kultivimit të kanabisit në vendin tonë. Ministri njoftoi nisjen e fushatës anti-kanabis për vitin 2021. Ai kërkoi zhbërjen e fenomenit të kanabisit në Shqipëri dhe tha se viti që po lëm pas shënon vitin e angazhimit më të madh dhe të sukseseve më të mëdha në luftën kundër kanabisit.

Bëmë bilancin e punës së këtij viti, si dhe filluam, si të thuash, operacionin e ri për vitin 2021, i cili do të jetë po ashtu një thellim i mëtejshëm i angazhimit tonë në luftën kundër kanabisit në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë. Por e filluam nga Durrësi për arsye se në Durrës, specifikisht në Krujë, kemi pasur shqetësime kronike prej shumë kohësh. Ka ardhur koha që intensiteti i punës dhe i luftës së Policisë ndaj këtij fenomeni në këtë rajon, të thellohet në mënyrë që të zhbëhet përfundimisht ky fenomen nga Shqipëria dhe nga Qarku i Durrësit. Dua të them që viti 2020 shënon vitin e angazhimit më të madh dhe të sukseseve më të mëdha në luftën kundër kanabisit. Kjo matet në dy tregues kryesorë: treguesi i parë kryesor është sasia që kapet në vendet e destinacionit tradicional, Itali, Greqi, sasi e cila ka zbritur në minimumet historike. Po them që vetëm në këtë vit janë kapur në Itali gjithsej 911 kilogramë, nga sasi shumë të mëdha që janë kapur historikisht në këtë vend, po kështu edhe në vende të tjera. Megjithatë angazhimi ynë është që ky fenomen të zhbëhet në themel. Ne duam që luftën e operacionin e ri të 2021 ta fillojmë tani. Do fillojë që tani në të gjithë vendin në mënyrë që të lirohen krahët e Policisë për të kryer edhe detyra të tjera, të cilat do të jenë të pashmangshme në kuadër të angazhimit të saj për garantimin e procesit zgjedhor në vitin 2021”, deklaroi Lleshaj./Opinion.al

Share: