Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, mëngjesin e sotëm, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe respektojnë rregullat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social “Facebook” , Manastirliu apelon që të mbajmë maskën, të ruajmë distancën dhe të zbatojmë rregullat e higjienës, për të ruajtur prindërit, gjyshërit dhe veten.
“Është kuptueshme që të gjithë duam të vazhdojmë jetën normalisht, pa virus nëpër këmbë. Por sot gjithsecili ka një përgjegjësi.
Ti, unë, ne të gjithë kemi shumë në dorë për ta mbajtur larg koronavirusin, për të ruajtur prindërit, gjyshërit dhe veten. Të mbajmë maskën, të ruajmë distancë, të zbatojmë rregullat e higjienës. Nuk janë klishe, janë armët që përdor sot e gjithë bota për të dalë të fituar përballë kësaj pandemie.
Të gjithë bashkë mund t’ia dalim për t’iu rikthyer normalitetit më të fortë se më parë. Dhe kur të ktheni kokën pas do të jeni krenarë që veprimet tuaja shpëtuan, qoftë edhe një jetë”, shkruhet në videomesazhin e publikuar nga Manastirliu./ Opinion.al