Nis zbatimin vitin e ardhshëm shërbimi online për licencimin e operatorëve të biznesit që ofrojnë shërbim të transportit të udhëtarëve brenda vendit dhe jashtë Shqipërisë. Licencimi i operatorëve të transportit të udhëtarëve nëpërmjet procesit të dixhitalizimit do të kryhet pas përfundimit të afateve të vlefshmërisë të licencës aktuale.
Ministria e Infrastrukturës nëpërmjet një urdhri të botuar në Fletoren Zyrtare ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor të ngrejë komisionin e vlerësimit dhe ndjekjen e procedurave për përzgjedhjen me konkurs të hapur të subjekteve që operojnë në linja të rregullta ndërqytetëse udhëtarësh; nënshkrimin e licencave dhe të certifikatave të operimit, për transportin nderqytetas të udhëtarëve; nënshkrimin e certifikatave për transport ndërkombëtar dhe të brendshëm të rastit. Ky delegim mundëson një rol më direkt për vendimmarrjen në akordimin e licencave të linjave ndërqytetëse dhe linjave ndërkombëtare me autobus. Nëpërmjet këtij urdhri plotësohet paketa e transportit rrugor ndërqytetës në DPSHTRR.
Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë të Shërbimit të Transportit Rrugor, Endri Haxhiu tha për Monitor se procesi në tërësi i jep zgjedhje shqetësimit të ngritur nga operatorët, pasi eliminon burokracitë dhe rrit transparencën.
“Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikes (MIE) janë angazhuar për një vizion të ri, me synim modernizimin e praktikave, lehtësimin e thjeshtimin e procedurave, pararendje për sfidat e formalizimit dhe fiskalizimit të sektorit, për rritjen e nivelit të shërbimit nëpërmjet monitorimit të dhënave, informatizimit e digjitalizimit të proceseve ku bazohen të dhënat dhe shërbimet e transportit rrugor, ku për transportin ndërqytetës ka nisur puna për zhvillimin dhe implementimin në vitin pasardhës të platformës elektronike e-Transport dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët edhe në sporteve virtuale, portale qeveritare shërbimesh e në telefonat smart. Gjithashtu, krijohen llogari për operatorët e licencuar me qëllim lehtësimin e ndërveprimit e transparencës.
Kjo kompetencë i krijon mundësinë DPSHTRR-së që në vitin 2021 procedura e licencimit dhe certifikimit, që për operatorët ka qenë shqetësimi kryesor, të kryhet në mënyrë të automatizuar nga sistemi duke sjellë: eliminimin e burokracive të tepërta; rritjen e nivelit të transparencës dhe besimit; shkurtimin e kohës së shërbimit.
Përfitues direkt të krijimit të Platformës elektronike e-Transport do të jenë shoqëritë e transportit rrugor të udhëtarëve me autobus dhe udhëtarët, të cilëve do t’ju ofrohet një shërbim i standardeve europiane.
Kjo platformë elektronike gjatë implementimit të saj, si një risi teknologjike e dedikuar për operatorët e transportit rrugor ndërqytetës me autobus, mund të ndërlidhet me shërbimin e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve duke sjellë një përmirësim të prekshëm të nivelit të shërbimit, ulje të kostove, rritjes së sigurisë e optimizimin e ndërlidhjes”, nënvizoi Haxhiu.
Për zbatimin e procesit Drejtoria e Shërbimit të Transportit do të koordinojë punën edhe me Qendrën Kombëtare të Biznesit./ Burimi: Monitor