Sebastian Kurz kërkon dënime për “islamin politik“. Me këtë ai i bën të dyshuar të gjithë myslimanët, që as nuk janë radikalë e as të dhunshëm. Në luftën kundër islamizmit kjo nuk të ndihmon, mendon Waslat Hasrat-Nazimi.
“Islami duhet të iluminohet!” Këtë e theksonte mësuesi im i sportit me gishtin e ngritur para fytyrës. Në sallën e sportit sundonin zhurmat, e në një kohë që klasa vazhdonte të bënte ushtrime, ai më veçoi nga grupi për të më mbajtur një monolog mbi islamin në Europë. Ai nuk njihej për biseda të thella teologjike. Por nuk ishte sekret, që ai ishte një i krishterë i bindur. “Vetëm përmes iluminizmit, si tek ne të krishterët, mundet që myslimanët në Gjermani të integrohen si duhet”, vazhdoi ai. Përpiqesha t’i thoja, se ky krahasim nuk mund të bëhet dot kaq thjesht, por ai nuk më dëgjonte, dhe mua më mbetej të tundja kokën pa fjalë.
Sot më lidh pak me atë 15-vjeçaren e dikurshme, por debatet për gjoja mungesën e iluminizmit në islam nuk kanë ndryshuar që nga rinia ime. Shamia e kokës, shoqëritë paralele, mësimi i notit, minareja apo rrethprerja – rregullisht këto tema vazhdojnë të diskutohen. Kështu ne qartësisht rrotullohemi në një rreth vicioz, sepse politika ende edhe sot nuk e ka gjetur zgjidhjen për “çështjen e islamit”. Nëse ndodh një akt terrorist i tmerrshëm, theksohet menjëherë nevoja e diskutimit, gjatë të cilit tregohen me gisht myslimanët, pastaj kalon një kohë, kjo temë zbehet, deri sa historia fillon nga e para në një moment tjetër.
Të dëgjohet në vend të jepet mend
Në këto diskutime, ku flitet për rrezikun e islamizmit dhe islamit vetë myslimanët nuk janë edhe aq prezentë. Flitet për ta, por rrallë me ta. Si mësuesi im, që as nuk ishte i interesuar për mendimin tim, dhe me pohimet e tij në mënyrë jo të drejtpërdrejtë donte të thoshte, se as unë nuk isha e integruar si duhet në shoqërinë gjermane. Në të njëjtën mënyrë i trajton shoqëria shumicë myslimanët deri më sot, në atë që ajo kërkon të praktikohet një islam liberal, që është i pajtueshëm “me vlerat gjermane”. Me këtë implikohet, që kjo është e mundur, vetëm nëse besimi mysliman nuk praktikohet në mënyrë të dukshme.
Që shumica e bashkësisë myslimane në Gjermani është liberale dhe refuzon çdo lloj dhune, kjo është e rangut të dytë. Studiuesit e islamit si edhe një sërë organizatash islame dhe shoqatash përpiqen prej vitesh të zhvillojnë një debat konstruktiv për islamin. Por në vend që t’u vihet veshi atyre, politika humbet nëpër deklarata boshe dhe sipërfaqësore ose u bën temena partive djathtiste. Prandaj nuk është e habitshme, që nocione si „islami politik”, “xhihadizmi” apo “fundamentalizmi” përdoren si sinonime, megjithëse nuk janë të tilla.
Mos ia lini fushëbetejën islamistëve
Në të gjithë botën, të mos harrojmë që janë më shumë myslimanët që janë viktima të atentateve islamiste. Lufta kundër islamizmit është për këtë arsye një luftë e përbashkët e myslimanëve dhe jo-myslimanëve. Për këtë është e rëndësishme që të dyja palët të komunikojnë dhe të afrohen me njëra-tjetrën. Por nëse shumica e myslimanëve liberalë për shkak të zhgënjimit nuk e ngre më zërin, kujt do t’ia lemë fushëbetejën? Sepse është pikërisht kjo përçarje që po futet në mesin e shoqërisë, nga e cila islamistët e marrin fuqinë e tyre dhe i çon disa të rinj tek ata. Kjo është sigurisht e thënë në mënyrë shumë të thjeshtëzuar, por realisht ka një shkak-pasojë të arsyeve të ndryshme, pse islamizmi në Europë ka ende fuqi tërheqëse, sidomos për djemtë e rinj. Por fakti i thjeshtë, se dikush mban një shami koke, nuk shkon në mësimin e notit, apo është i bërë synet, definitivisht, nuk është asnjë anga këto arsye.
Dyshimi i përgjithshëm do të thotë refuzim
Nëse shoqëria i sheh me dyshim myslimanët, e vetëm për shkak të praktikimit të fesë i sheh si radikalë, atëherë ajo i refuzon ata në të njëjtën kohë dhe e vë në dyshim të drejtën e tyre për praktikim të lirë të fesë në Europën qendrore. A është pjesë e vlerave tona, kur myslimanët stigmatizohen? Si shpjegohet në mënyrë logjike, që qeveritë europiane i shpallin luftë islamistëve, por në të njëjtën kohë u japin armë regjimeve islamiste dhe bëjnë tregti me ta? Ku mbeten këtu parimet e iluminizmit dhe racionalitetit?
Nëse duam t’i dalë ballë islamizmit, duhet që të komunikojmë si të barabartë me myslimanët, në vend që t’u dalim përballë me gishtin e ngritur – që për ironi është një simbol islam për unitetin e zotit. E përveç kësaj, dihet, se kush tregon gjithmonë me njërin gisht të tjerët, i ka drejtuar tre gishta tek vetja./ DW