Home Gjeo-Ekonomia Terrorizmi në Europë/ Macron kërkon një reagim të shpejtë dhe të koordinuar...

Terrorizmi në Europë/ Macron kërkon një reagim të shpejtë dhe të koordinuar evropian

Presidenti francez, Emmanuel Macron të martën, kërkoi një reagim të shpejtë dhe të koordinuar evropian ndaj sulmeve terroriste që janë regjistruar në kontinent vitet e fundit.

Një reagim i tillë duhet të fokusohet tek zhvillimi i një baze të përbashkët të dhënash, shkëmbimi i informacionit dhe forcimi i politikave kriminale – tha ai pas një video konference me liderë të tjerë të BE. Samiti online vjen një javë pasi një mbështetës i dënuar i shtetit islamik vrau katër persona në kryeqytetin austriak Vjenë. Në samit ishin të pranishëm edhe kancelari austriak Sebastian Kurz, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministri holandez Mark Rutte, shefat e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Ursula Von Der Leyen. Ata diskutuan për nevojën e luftës kundër propagandës terroriste dhe fjalimeve të urrejtjes në internet.

‘Interneti është një hapësirë lirie, rrjetet tona sociale po ashtu, por kjo liri ekziston vetëm nëse ka siguri dhe nëse atje nuk kërkojnë strehë ata që duan të godasin vlerat tona ose që kërkojnë të indoktrinojnë njerëzit me ideologji vrastare’- tha Macron.

Ndërkohë për kancelaren gjermane, Angela Merkel, ky nuk është një konflikt mes islamit dhe krishtërimit, por është modeli i shoqërive demokratike që duhet të përballet me sjelljen terroriste dhe anti demokratike.

‘Kemi ende shumë punë për të bërë. Për mendimin tim është thelbësore që ne të dijmë se kush hyn dhe del nga zona shengen. Ne duhet ta dijmë këtë edhe për vendet me të cilat kemi udhëtime pa viza’- vijoi Merkel.

Presidenti francez Emmanuel Macron, denoncoi më herët keqpërdorimin e sistemit evropian të azilit nga njerëzit që kërkojnë të hyjnë në kontinent me qëllime të këqija.

Top Channel

Share: