Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar lidhur me lajmin e publikuar nga mediat për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, ku parashikohen dënime me burg për njerëzit që publikojnë ‘meme’ apo montazhe me qëllime ironike.
Basha nëpërmjet një statusi në Twitter thotë se Rama gjen kohë të merret me meme ndërkohë që nuk punon për të shpëtuar jetë njerëzish dhe për të ndihmuar shëndetësinë.
“Nuk punon për të shpëtuar jetë njerëzish dhe për të ndihmuar shëndetësine, por gjen kohë të merret me meme. Nuk jep ndihmë financiare për shqiptarët në këto ditë të vështira, por përpiqet tu mbyllë gojën kritikëve.”– shkruan Basha
Reagimi i Lulzim Bashës, vjen pas mohimit të lajmit nga ana e kryeministrit Rama me një status në Twitter.
“Po si mund të ndalohen memet me ligj na e thonë dot këta orakuj të kombit? Asnjë shans s’ka, ku ta gjenim që dhe këta të merreshin me meme që të vlenin për diçka”, ka shkruar më herët Rama.
Statusi i plotë i Lulzim Bashës:
Nuk punon për të shpëtuar jetë njerëzish dhe për të ndihmuar shëndetësine, por gjen kohë të merret me meme. Nuk jep ndihmë financiare për shqiptarët në këto ditë të vështira, por përpiqet tu mbyllë gojën kritikëve. Nëse gjithë kohën dhe paratë e harxhuara për të fshehur të vërtetën e dështimit me pandeminë dhe krizën, do ti kishte shpenzuar për të ndihmuar shqiptarët, Shqipëria nuk do të ishte sot vendi me ndihmën më të ulët ekonomike, shpenzimet më të ulëta shëndetësore dhe papunësinë më të lartë. Për 7 vite Rama nuk mbajti asnjë premtim. Boll më!/Opinion.al