Home Gjeo-Ekonomia Basha takohet me Osmanin, heqja e barrierave dhe ndryshimi i kursit të...

Basha takohet me Osmanin, heqja e barrierave dhe ndryshimi i kursit të marrëdhënieve thelbi i deklaratave

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ditën e sotme priti në takim për vizitën e saj zyrtare, Ushtruesen e Detyrës së Presidentit të Kosovës, Znj. Vjosa Osmani.

Gjatë konferencës së përbashkët, Basha deklaroi se me PD-në në pushtet do ketë një kthesë rrënjësore të qasjes së Tiranës zyrtare ndaj Kosovës ku marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri do vendosen në plan të parë.

Kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë t’i uroj mirëseardhjen Vjosa Osmanit. Dua ta falënderoj nga zemra për pritjen shumë të ngrohtë gjatë vizitës time në korrik në Prishtinë. Shkurtimisht dua të ndalem në 3 prej tyre, domosdoshmërinë për një qëndrim të unifikuar Tiranë-Prishtinë në arenën ndërkombëtare sa i përket gjithçkaje që lidhet me Kosovën. Dua të përsëris zotimin tim dhe të PD se pas 25 Prilit do këtë një kthesë rrënjësore të qasjes së Tiranës, në vendosjen e marrëdhënieve Shqipëri-Kosove në plan të parë”-deklaroi Basha

Më tej Basha premtoi se nëse vjen në pushtet vendimi i parë që do marrë do jetë heqja e traut në Rrugën e Kombit.

Jam krenar që kemi bërë gjithçka për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj kombëtare. Jam i brengosur që në një kohë të vështirë Prishtina s’ka mbështetjen që duhet të ketë nga Shqipëria. Kjo do të ndryshojë. Kuvendi i ri do miratojë rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Prishtinë. Ne nuk mund të lejojmë që historia të rishkruhet nga agresorët. Në këtë kuadër do vazhdojmë të mbështesim fuqimisht dialogun Serbi-Kosovë, ku qëllimi dhe përfundimi do të jetë njohja e ndërsjellë e dy shteteve. Kjo më sjell te çështja e dytë që diskutuam, nevoja për të eliminuar barrierat zyrtare dhe jo zyrtare që vazhdojnë të pengojnë integrimin ekonomik të dy vendeve tona. Një nga vendimet e para do jetë heqja e traut në rrugën e Kombit, dhe negocimi për mosvendosjen e asnjë tarife në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Jemi përfaqësues e një brezi të ri politik, e ardhmja ka fytyrën e rinisë së Shqipërisë dhe Kosovës”, vijoi kryedemokrati.

Edhe gjatë takimit me kreun e opozitës, Osmani tha se masakrat e Serbisë kanë qenë përtej çdo imagjinate të një njeriu normal duke kërkuar dënimin e gjenocidit nga Shqipëria.

Të mos lejojmë që Serbia të ketë sukses, sepse ata po falsifikojnë historinë. Historia ka ndodhur para syve të gjithë botës. Pamjet e masakrës janë regjistruar nga e gjithë botë. Ne nuk kemi nevojë ta ekzagjerojmë atë që ka ndodhur. Edhe ashtu siç ishte, ishte e tmerrshme. Ishte  përtej çdo gjëje që mund ta imagjinojë koka e një njeriu normal. Prandaj që të flasim të gjithë për ato krime, sepse pa e njohur të vërtetën, pa pasur drejtësi asnjë nga shtetet tona nuk do mund të ecë përpara dhe nuk mund të kemi paqe dhe stabilitet në rajon”, tha Vjosa Osmani.

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, tha Osmani, nuk duhet të kenë barriera.

Është detyrë e imja parësore që të flas me zërin që ma kanë dhënë qytetarët e Kosovës, të paraqes detyrat legjitime dhe të kërkoj bashkëpunimin e sinqertë mes Kosovës dhe Shqipërisë, një bashkëpunim që nuk duhet të ketë barrierë ose keqkuptim. Edhe nëse ato krijohen të punojmë bashkërisht që ti eliminojmë, sepse mbi të gjitha jemi shqiptarë”-tha Osmani.

Share: