Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, dënojnë me forcë aktet e përsëritura të dhunimit të gazetarëve në krye të detyrës nga policia, gjatë protestave të këtyre ditëve.
Eshtë e papranueshme që gazetarë e punonjës të medias të ndalohen, edhe pse u identifikohen policise ; të dhunohen e shoqërohen sepse po bëjnë detyrën, pra pasqyrimin e ecurisë së protestave. Këto janë sjellje arbitrare e antiligjore të policisë. Pas gazetarit të “Rtv Ora” Xhoi Malësia, shoqërimi i kryeredaktorit të gazetës Koha Jonë, Qamil Xhani, dhunimi i gazetarit të “Syri TV” në Durrës Aldo Mustafa dhe po në Durrës, i punonjësit të medias “Durrës Lajm” Shefqet Duka janë raste që po denoncohen cdo ditë, si sjellje e pandryshuar e policisë.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe drejtorit të policisë së shtetit Ardi Veliu, që të shprehen publikisht kundër dhunës e pengimit të gazetarëve e medias në përgjithësi për të bërë detyrën, pasqyrimin e asaj cfarë ndodh në protesta; të nxisin nxjerrjen e ndëshkimin e përgjegjësve të dhunës ndaj punonjësve të medias.
Në këtë rast, heshtja juaj është inkurajim i sjelljes së padenjë të policisë në shkelje të hapur të lirisë për të kryer detyrën në një shtet demokratik.