Home KRYESORE “Ishte një ndjenjë aq e madhe, sa…”! Rita Petro rrëfen dashurinë 20-vjeçare...

“Ishte një ndjenjë aq e madhe, sa…”! Rita Petro rrëfen dashurinë 20-vjeçare që humbi, zbulon SMS-në e fundit për të: S’durohet gjatë pa ty!

Nga Fatmira Nikolli, Balkanweb.com

Si është të humbësh një dashuri, për të cilën ke sakrifikuar shumë? Të humbësh 20 vite për një çast, dhe me to, partnerin, burrin dhe shokun më të mirë? Poetja Rita Petro, gruaja e guximshme e letrave shqipe, vjen në një rrëfim të ndjerë për dashurinë dhe burrin, që një ditë, iku duke i thënë “do kthehem të dielën”. Ai, nuk e mbajti fjalën, dhe është hera e vetme. Boshi i pamatë që lë pas, në proporcion me vendin që pat në jetën e saj, ilustrohen nga “Kufiri”, libri që dokumenton një dashuri, libri i shkruar prej një burri, për një dashuri që shemb një burrë.

“Romani e tejkalon autobiografinë, është më shumë letërsi. Por në të ka disa kufij, janë kufijtë familjarë e shoqërorë, është edhe një kufi fizik që ndan dy shtete. Por ne kishim shumë kufij për të kapërcyer. Por ishte një dashuri shumë e madhe që ia doli ti kapërcente”.

Lati, ose Latif Ajrullai dhe Rita Petro u njohen në një mbrëmje letrare në Maqedoni më 1998. Ishte dashuri me shikim të parë. Liria dhe guximi e të mos paturit frikë, ishte ajo që i bashkoi. “U njohëm rastësisht. Ishte dashuri me shikim të parë. Unë ndjeva që më kishte munguar romanca, kisha rënë në monotoni. Kur pamë që një dashuri e madhe s’mund të ishte ilegale, atëherë vednosëm të jetonim bashkë. Ai merrej me mjekësi dhe prej meje, nisi të merrej me librin dhe bëmë një biznes në tri shtete”, tregon Rita.

Fillimet qenë të bukura, por edhe të vështira për shumë arsye.

“I kemi vuajtur kufijtë familjarë e shoqërorë. Një dashuri mund të ndërtojë por një dashuri edhe mund të shkatërrojë. Në u përpoqem të ndërtonim gjërat pa shkatërruar të tjerët”, thotë Rita, duke kujtuar se sa u dukën egoistë në fillim, koha tregoi se ata do të kujdeseshin për të tjerët.

Ka shumë fraza me të cilat një poete, mund të përshkruajë një dashuri. Ajo zgjedh më të thjeshtat. “Kufiri ishte siç e thoni ju, vendi ku bashkoheshim e ndaheshim. Latifi thotë në libër se ‘jetët tona puqeshin ku zinte fill shpirti dhe ndaheshin ku nisnin përgjegjësitë’. Ne kemi respektuar gjërat e njëri-tjetrit. Ajo që ishte e tija, ishte e tija, ajo që ishte e imja, ishte e imja. Respektonim hapësirat ë njëri-tjetrit”.

Këtë rregull ajo e respekton ende sot, në mungesë të tij, si për të respektuar një dëshirë të fundme.

“Ku ai iku, mbetën shumë gjëra. Mbeti edhe kompjuteri. Dhe i thashë vetes stop, kompjuterin e tij nuk e prek, ishte vetëm i tij. Secili nga ne ka vendet e tij të errëta ku nuk do të jetë askush, dhe unë këtë e respektoj. Ne ndanim një krevat, dhe pse, kishim rënë dakord që kur ta pengonim njëri-tjetrin, të flinim në krevatë të ndryshëm. Nuk ndodhi, ne nuk e bezdisëm njëri-tjetrin”.

Ditën ku ai u nda nga jeta, dhe Rita Petro shkroi një shënim për të, veçoi këngën e Leonard Cohen, “I Am your man”.

“Kënga e Cohen flet për një dashuri të jashtëzakonshëm burri, për nëj dashuri ku burri është gati të ulët në gjunjë dhe të ruajë autoritetin. Se ne i mendojmë burrat sikur duhet të jenë vetëm të fortë, por jo, ata mund të jenë edhe të tillë që të ulen në gjunjë dhe të ruajnë autoritetin. Shpesh çiftet zihen dhe gratë nuk marrin vendime. Burrat bëhen hipokritë që të mos zihen me gratë. Ndërsa unë isha një grua që merrja edhe vendime. Dhe ai e dinte. Ai e dinte që mund të më humbte dhe unë e dija që mund ta humbja. Ishim të dy kapitenë. Ai ndonjëherë nuk donte që unë të isha kapitene. Por ne të dy toleronim, dhe kur tolerojnë të dy, është më e lehtë të flasësh. Ne mund të mos kishim zgjedhur të ishim bashkë. Kemi pasur edhe ne krizat tona. Por ne zgjodhëm të rrimë bashkë ”, rrëfen Rita.

Mbi nje raport qe zgjati e mbi nje raport qe dhemb, ajo rrefen detajet e vogla, qe i bene ata te pandashem.

20 vite bashkë, me një shtëpi botuese në tri shtete, ata tashmë kishin rite të caktuara. Ai nisej të enjteve dhe kthehej të dielave.

“Bëmë një aktivitet për Sabri Hamitin. Hëngrëm një drekë dhe më pas ai iku, i nis për në Maqedoni, për t’u kthyer në fundjavë. Në fundjave më tha se kishte temperaturë, dhe tha që do rrinte sa të bënte testin”.

Në fillim, Rita ishte e qete, derisa mesazhet e saj, nuk morën përgjigje.

“Gjatë javës ishte mirë, fola me të dhe fola me mjekun. Mjeku e kontrollonte çdo ditë dhe gjendja ishte e qëndrueshme. Një ditë fola në telefon dhe më tha ‘unë nuk jam mirë”. E kishin shtruar në spital më pas, në Shkup.

Zëri i tij ishte ndryshe. Ajo nuk e njihte më. Të shkonte në Shkup ishte e kotë, në spital, nuk lejohej.

“I çova mesazhe. Ishin katër mesazhe. Ishte hera e vetme që nuk më ktheu përgjigje. U shqetësova dhe në mesazhin e fundit i thashe ‘më fol se nuk durohet kaq gjatë pa ty’. të shtunën që mjeku më kishte premtuar se do të flisja me të, na erdhi lajmi kobzi se e kishim humbur. Kishte pësuar arrest kardiak”. Ai ishte prekur nga Covid 19 që i kishte shkaktuar bronkopneumoni, mandej ishte zemra që e la. Nuk kishte pasur asnjë problem shëndetësor, madje ecte, notonte e vraponte.

E shtuna erdhi pa të. Madje pa zërin e tij. Kishte ardhur edhe fundjava madje erdhi dhe e diela, dhe ai nuk u kthye. Asaj i duket se fillimi dhe fundi, lidhen ne nje vallezim.

“Te festa e fundit që bëmë në shtëpinë në plazh kercyem bashkë. Edhe herën e parë që jemi takuar, kemi kërcyer. Madje ramë në dashuri gjatë atij kërcimi”.

Burri sportiv, që vishej me jeshile, burri me mjekër që kendonte Leonaad Cohen, burri që pat ardhur për të si dhuratë, me flokët e mjekrën ngjyrë argjend, nuk u kthye. Ajo sot, gjen vetëm një frazë, për partnerin e të dashurin e dy dekadave.

“kam shënuar në një libër që ia kam kushtuar atij ‘Për burrin që di të vdesë për një grua, për burrin që di të rrojë për një grua. Ky do të ishte ajo që ndjeja unë për të”. dikur, ajo i pati thënë nëse do të vdiste për të. “pse duhet të vdes për ty, kur mund të jetoj për ty dhe me ty”, iu përgjigj ai.

Jeta pa Latifin për Ritën, nuk do të jetë e lehtë. Më e pakta nuk do jetë kurrë njësoj, dora mbi supe, siguria në shtëpi dhe një zë i qetë.

“Po e mendoja mbrëmë ku pata një si gjendje ankthi. Po shihja një yll mbi një bredh dhe më dukej se ai, ishte aty. Doja të thosha se do më mungojë prania e atij që më zbuste rrahjet e zemrës”.

E dinim gjithnjë se Rita Petro është një grua guximtare. Këtë herë tregoi që është një grua e fortë. Është e zorshme të rrëfesh për një dashuri të madhe pa u përlotur. Ajo e bën me një buzëqeshje të lehtë.

“Ka ardhur ime bijë dhe ka bërë pemën. Do pres nipërit e Latifit me dhurata poshtë pemës. Çdo gjë do të jetë njësoj si të ishte dhe ai. por atë, nuk do ta kem në krah. Dhe unë do ta vuaj, pa ua treguar të tjerëve”, pohon me një zë të palexueshëm.

Kufiri i ndau sërish, por një kufi ndan atë çfarë ka qenë bashkë. Ai nuk erdhi të dielën, dhe as do të vijë të dielën tjetër. Por kufiri i shkruar me dorë, dëshmon një jetë të jashtëzakonshme të dy njerëzve që u deshën shumë.

(BalkanWeb)

Share: