Kanadaja ka miratuar vaksinën e kompanisë Pfizer-BioNTech kundër COVID-19, duke u bërë vendi i dytë në botë që e miraton këtë vaksinë, pas Mbretërisë së Bashkuar.
Autoritetet e shëndetësisë në Kanada e quajtën autorizimin një “moment historik” në luftën e vendit kundër koronavirusit. Agjencia që e miratoi vaksinën tha se ajo plotësoi “kërkesat e saj të rrepta të sigurisë, efikasitetit dhe cilësisë”. Vaksina fillimisht është autorizuar për përdorim tek njerëzit e moshës mbi 16 vjeç. Punonjësit e shëndetësisë dhe grupet e ndjeshme të njerëzve, përfshirë të moshuarit, do të jenë ndër të parët që do ta marrin atë.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se vendi do të marrë deri në 249.000 doza të vaksinës këtë muaj. Në total, qeveria kanadeze ka blerë 20 milionë doza të vaksinës – të mjaftueshme për të injektuar 10 milionë njerëz – me mundësinë për të blerë 56 milionë më shumë.
Të martën, një 90 vjeçare u bë personi i parë në Mbretërinë e Bashkuar që u vaksinua me vaksinën e Pfizer-BioNTech.
Rregullatorët amerikanë kanë konfirmuar se vaksina është 95% efektive, duke hapur rrugën që ajo të aprovohet për përdorim emergjent edhe në këtë vend./abcnews.al