Home KRYESORE Këshilli i Europës dënon përdorimin ‘joproporcional’ të forcës nga policia gjatë protestave

Këshilli i Europës dënon përdorimin ‘joproporcional’ të forcës nga policia gjatë protestave

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatovic dënoi të mërkurën përdorimin e tepruar të forcës nga policia gjatë protestave që shkaktoi vrasja e 25-vjeçarit, Klodian Rasha.

Nga Besar Likmeta | BIRN |

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, theksoi se autoritet shqiptare duhet të tregojnë vetëpërmbajtje në mënyrën se si policia reagon gjatë demonstratave dhe i bën thirrje që të ndërmarrin një hetim të thelluar dhe të pavarur mbi akuzat për përdorimin e tepruar të forcës.

Mijatoviç shfaqi shqetësim për përshkallëzimin e përleshjeve midis policisë dhe protestuesve gjatë javës që shkoi si rrjedhojë e vrasjes së të riut nga lagja Laprakë e Tiranës, Klodian Rasha – i cili u qëllua për vdekje nga një oficer policie për shkeljen e orës policorë të vendosur gjatë natës për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

“Përdorimi joproporcional i forcës është raportuar gjithashtu edhe në lidhje me demonstratat e tjera që u zhvilluan në Shqipëri në fillim të këtij viti,” tha Mijatoviç.

“Përgjigja ndaj pandemisë COVID-19 nuk u jep autoriteteve kartë të bardhë për të përdorur forcë kundër tubimeve,” shtoi ajo.

Mijatovic thekson se përdorimi i autoboteve me ujë, spraj-it djegës me piper dhe mjeteve të tjera nga policia ka sjellë si pasojë plagosjen e disa protestuesve, përfshirë fëmijë. Ajo nënvizon se edhe pse e drejta e tubimit mund të kufizohet për të mbrojtur shëndetin publik, autoritet shqiptare duhet ti përmbahen principeve të domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.

“Ndalimi total i tubimeve publike dhe shpërndarja e demonstratave për faktin e vetëm se shkelin orën policore, pa marrë në konsideratë masa më pak kufizuese, duhet të shmanget,” bëri thirrje Mijatoviç.

Ajo theksoi se policia duhet të bëjë dallimin midis individëve të dhunshëm dhe atyre që protestojnë paqësisht dhe të shmangi përdorimin e padiskriminuar të forcës.

“Për më tepër, arrestimi i fëmijëve duhet të ndërmerret si masë e fundit, duke respektuar në tërësi të drejtat e tyre proceduriale, përfshfirë marrjen në pyetje vetëm në prezencën e prindërve ose të avokatit,” theksoi Mijatoviç.

Komisionerja e të Drejtave të Njeriut theksoi se kontrolli policor i demonstratave duhet të bazohet tek komunikimi me organizatorët dhe minimizimi i përshkallëzimit të dhunës.

“Është shumë e rëndësishme që oficerët e policisë që operojnë në kontekstin e demonstratave të marrin trajnim të specializuar në menaxhimin e negociuar të tubimeve dhe përdorimin proporcional të forcës,” tha ajo.

Komisonerja gjithashtu u shpreh e shqetësuar për dhunimin e raportuar të gazetarëve që mbulonin protestën nga policia.

“Sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë një shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të drejtës për tu informuar,” tha Mijatoviç. “Autoritetet duhet të sigurojnë që gazetarët mund të vazhdojnë të informojnë qytetarët pa frikë nga kërcënimet ose aktet e dhunës,” përfundoi ajo./BIRN

Share: